Ballina Aktualitet Tragjedia në Tetovë, sot zhvillohet protestë në shesh, para komunës dhe selisë...

Tragjedia në Tetovë, sot zhvillohet protestë në shesh, para komunës dhe selisë së Bashkimit Demokratik për Integrim (FOTO)

Në qytetin e Tetovës sot është paralajmëruar protestë në sheshin “Iliria” për të kërkuar drejtësi në lidhje me rastin tragjik të 8 shtatorit, ku si pasojë e djegies së Spitalit Modular për Kovid në Tetovë humbën jetën 14 persona. Protesta fillon në ora 13:30, nga sheshi i qytetit.

“U bej apel të gjithë shqiptarëve që me datë 17.09.21 të grumbullohemi në sheshin e Tetovës për rastin e 14 kufomave se ato janë djegur dhe nuk është vdekje natyrale kështu që duhet të merret përgjegjësi drejtësi sepse ekspertet gjerman i thërrasim ta bëjnë ekspertizën mirë po duhet edhe punën ta bëjmë deri në fund si gjermanët, domethënë, me pas përgjegjësi drejtësi sepse tragjeditë ndodhin në të gjitha shtetet e botës, por ka përgjegjësi”, shkruan Ibin Emshi, i cili i ka humbur babain dhe vëllain në rastin tragjik. Ai gjithashtu i rithekson kërcënimet ndaj tij, ryshfetin në spital dhe pakujdesinë e autoriteteve shëndetësore.

Sipas njoftimit protesta pritet të përfundojë te selia e B D I-së në Reçicë të Vogël, shkruan Tv Shenja.

Nga SPB Tetovë, për Portalb.mk, konfirmojnë se protesta është paraqitur, por tani për tani, nuk tregojnë se kush është personi, apo grupi i personave që e kanë paraqitur të njëjtën në polici.

Portalb.mk, jozyrtarisht mëson se organizator i protestës është Blerim Ahmedi, vëllai i “El Chekës”, i cili gjithashtu ka qenë një prej organizatorëve të protestave të fundit për rastin “Monstra”.

Sot, në ora 13:30 do të protestohet në sheshin “Iliria” dhe marshi protestues do të vazhdojë te Komuna e Tetovës dhe do të përfundojë para selisë së B D I-së në Reçicë të Vogël. Sipas organizatorëve, qëllimi i protestës do të jetë: drejtësi, përgjegjësi dhe dorëheqje e qeverisë, njofton Nistori.