Mbi 42 milionë goma të makinave të vjetra, të hedhura në rërën e Kuvajtit, kanë nisur të riciklohen, ndërkohë që shteti i Gjirit Persik po trajton problemin e mbetjeve që kishte krijuar një nga var*rezat më të mëdha në botë të gomave. Vendi gjigant i hedhjes së mbeturinave ishte thuajse 7 kilometra larg një qendre periferike. Banorët ishin ankuar prej kohësh nga zjarret e vazhdueshme që lëshonin tym të zi hel*mues. Këtë muaj, Kuvajti, që kërkon të ndërtojë 25,000 shtëpi të re tek qendra, ka përfunduar zhvendosjen e të gjithë gomave në një vendndodhje të re në al-Salmi, pranë kufirit me Arabinë Saudite, ku ka nisur riciklimi i tyre.
Në një fabrikë të drejtuar nga kompania e riciklimit EPSCO, punëtorët rendisin dhe copëtojnë gomat e vjetra e më pas sheshojnë grimcat duke formuar pllaka dyshemeje në ngjyrë gome. “Fabrika po ndihmon shoqerinë duke pastruar gomat e vjetra të hedhura, duke i kthyer ato në produkte konsumatori”- tha ekzekutivi i kompanisë, Alaa Hasan, duke shtuar se ata eksportojnë gjithashtu produktet në shtetet fqinje të Gjirit Persik dhe Azi. Fabrika, që nisi operimin në Janar 2021, mund të riciklojë deri në 3 milionë goma në vit, sipas kompanisë.
Mbetjet e gomave përbëjnë një problem të madh mjedisorë në të gjithë botën për shkak të sasive të mëdha dhe kimikateve që emetojnë. Kuvajti, vendi i pasur me naftë dhe një anëtar i OPEC me një popullsi prej rreth 4.5 milionë njerëz, kishte rreth 2.4 milionë automjete në vitin 2019. Qeveria shpreson se al-Salmi të bëhet një qendër e riciklimit të gomave, me më shumë fabrika të planifikuara në të ardhmen.
Klevis Llaha / SCAN