Ditë më parë është mbajtur seanca e fundit e Këshillit të Komunës së Tetovës dhe i është dhënë fund përbërjes 2017-2021. Gjatë katër viteve të kaluara, sërish nuk u gjet konsensusi mes këshilltarëve shqiptarë dhe maqedonas që të ndryshohen emrat e institucioneve të ndryshme, shkollave, urave dhe shesheve që mbajnë emra që nuk përkojnë me këtë kohë. Rrjedhimisht me përmbylljen e këtij mandati, edhe ky problem do të bartet tek përbërja e ardhshme e Këshillit të Komunës së Tetovës.
Ish-kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti, në disa prononcime kishte siguruar se shumë shpejtë do të ndryshohen emraty, por kjo nuk ndodhi edhe në përfundim të këtij mandati katër vjeçar. Deklarata e tij e fundit për këto katër vite si kryetar Këshilli ishte në muajin gusht, kur për gazetën Koha, kishte thënë se do bëjë edhe një tentim për të harmonizuar qëndrimet rreth kësaj çështje. “Ka një frymë pozitive për të sjellë vendim dhe mendoj se të gjitha palët e involvuara, respektivisht partitë politike, do të gjejmë një mesatare, apo do të biem një ujdi për të ndryshuar emrat të cilët kanë mbetur ende nga sistemet paraprake figurojnë dhe që nuk reflektojnë realitetin e ditëve të sotshme”, kishte thënë Bekim Memeti, tashmë ish kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës.
Por me mbajtjen e seancës së fundit të Këshillit dhe mos gjendjen në rend dite të kësaj pike, problemi me ndryshimin e emrave sidomos të rrugëve dhe shkollave, do të jetë edhe një sfidë për përbërjen e re. Këshilli i Komunës së Tetovës në vitin 2007 kishte sjellë vendim për ndryshim të emrave të rrugëve, por që ky vendim asnjëherë nuk ka marrë formën zyrtare dhe institucionet nuk respektojnë këtë vendim të Këshillit të Komunës së Tetovës edhe pse nëpër disa tabela janë të shënuara emrat e rrugëve të cilët u miratuan në përbërjen e këshillit 2005-2009.
Kështu, edhe gjatë kohë tetovarët do të vazhdojnë të përballen me disa emra që nuk reflektojnë realitetin e përbërjes etnike në Tetovë, siç janë “Rruga Lenin”,”JNA”, “Kuzman Josifovski Pitu”, “Ivo Llolla Ribar”,”Bllagoja Toska”,”Marshall Tito”,”Boris Kidriç” e kështu me radhë. Krahas rrugëve edhe bulevardet nuk mbajnë emër që do të ndërlidhet me shqiptarët si bulevardi “Bllagoja Toska”, Bulevardi “Ilindenit” apo bulevardi “Vidoja Smilevski Bato”. Deri më tash vërejtje për emrat e rrugëve, shkollave apo institucioneve kanë shfaqur edhe disa parti shqiptare, por edhe vetë partitë maqedonase. Megjithatë, harmonizim për këtë çështje nuk u gjet që të votohet në këshill, kur dihet se kjo pikë duhet të votohet në bazë të parimit të badenterit dhe do të duhet të ketë shumicën e votave të partive maqedonase./Kohamk/