Nga Vuk Vuksanovic “National Interest”
Serbia dhe Kosova kohët e fundit përjetuan një krizë të vogël të sigurisë. Qeveria e Kosovës dërgoi në pikat kufitare njësitë speciale të policisë për të kërkuar nga shoferët me targa serbe që të vendosin targa të përkohshme kur hyjnë në Kosovë.
Serbët që jetojnë në Kosovën Veriore protestuan dhe e bllokuan trafikun, ndërsa Serbia vendosi automjete të blinduara dhe avionë luftarakë pranë kufirit. Kriza e fabrikuar, ishte një shfaqje force, e motivuar nga dëshira e të dyja qeverive për të forcuar kredencialet e tyre nacionaliste para zgjedhjeve përkatëse.
Në fund Bashkimi Evropian e zgjidhi këtë mosmarrëveshje, dhe dy palët ranë dakord
për masat e de-përshkallëzimit të tensioneve, dhe mbi vijimin e bisedimeve teknike të ndërmjetësuara nga Brukselit për të adresuar çështjen e pazgjidhur të targave.
Por Rusia e shfrytëzoi këtë krizë si një mundësi për t’u rishfaqur në çështjet serbe. I shoqëruar nga Ministri serb i Mbrojtjes Nebojsa Stefanovic dhe shefi i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë së Serbisë Milan Mojsilovic, ambasadori rus në Serbi Alexander Botsan-Kharchenko vizitoi një garnizon të ushtrisë serbe, që ndodhet pranë Kosovës dhe në një gjendje gatishmërie të shtuar luftarake.
Ndërkohë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, shprehu shqetësimin
e Rusisë mbi situatën, teksa bënte me faj qeverinë e Kosovës, NATO-n dhe BE-në, për dështim në zgjidhjen e krizës. Ndërkohë edhe presidenti serb Aleksandar Vucic u takua gjithashtu me ambasadori rus Botsan-Kharchenko, për t’u konsultuar mbi Kosovën.
Ngjarjet e fundit i dhanë mundësinë Moskës për të riaktivizuar ndikimin e saj në Beograd pas një periudhe krize në marrëdhëniet e tyre, duke demonstruar se ndërsa ndikimi rus në vend është zvogëluar, ai nuk është zhdukur tërësisht. Vitin e kaluar, marrëdhëniet serbo-ruse përjetuan një goditje të ashpër, dhe Rusia u përball me disa dështime në vend.
Rusisë nuk i pëlqeu fakti që Vucic u përpoq ta zgjidhte mosmarrëveshjen me Kosovën
me ndihmën e administratës së presidenti amerikan Donald Trump. Ky vendim i Serbisë nënkuptonte humbjen e një prej satelitëve të fundit të Moskës në Ballkan.
Mosmarrëveshja Serbi-Kosovë e lë Beogradin politikisht të varur ndaj Moskës dhe vetos
së kësaj të fundit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Për më tepër, për Moskën, ky vendim ishte një shenjë se Beogradi donte të mbante një raport më të ngushtë me Uashingtonit.
Ndërkohë po gjatë kësaj periudhe, u bë gjithashtu e qartë se Serbia e zëvendësoi Rusinë me Kinën si partneren e saj kryesore jo-perëndimore. Para kësaj, në korrik 2020, Serbia përjetoi protesta të dhunshme kundër bllokimit. Tabloidet dhe mediat pro-qeveritare, akuzuan lojtarët pro-rusë për nxitjen e trazirave, gjë që nënkupton se qeveria serbe ishte e gatshme të distancohej nga Rusia në favor të Perëndimit.
Ndërkohë në shtatorin e vitit 2020, Serbia anuloi “Vëllazërinë Sllave”, një stërvitje ushtarake me Rusinë dhe Bjellorusinë, duke njoftuar një moratorium 6-mujor për të gjitha stërvitjet ushtarake ndërkombëtare. Po ashtu pati pikëpyetje nëse Partia Socialiste e Serbisë (SPS) dhe udhëheqësi i saj pro-rus Ivica Dacic, do t’i bashkoheshin sërish koalicionit qeverisës.
Dacic mbeti kryetar i parlamentit. Por tensionet u shfaqën në tetor 2020, kur një anëtar tjetër pro-rus i SPS, Dushan Bajatović, drejtori i kompanisë shtetëror serbe të gazit“Srbijagas”, u përplas me Ministrien pro-perëndimore të Energjisë Zorana Mihajlovic.
Gjithsesi, rrethanat ndryshuan sërish në favor të Rusisë. Pasi shpresoi rizgjedhjen e Trumpit në detyrë, Vucic druhet tani nga presidenca e Joe Biden, pasi pret që kjo administratë të ketë një qëndrim më të ashpër në lidhje me mosmarrëveshjen me Kosovën, rënies së sundimit të ligjit në Serbi, dhe ndaj lidhjeve të saj të ngushta me Rusinë dhe Kinën.
Për pasojë, Serbia po anon sërish nga Rusia për të siguruar mbrojtjen diplomatike të Moskës. Dhe Beogradi ka ndërmarrë një sërë hapash në këtë drejtim. Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në dhjetor 2020, Serbia votoi kundër dënimit të Rusisë për çështjen e Krimesë. Po atë muaj ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov vizitoi Beogradin.
Por shenja më e fuqishme se Beogradi po rindërton lidhjet me Moskën erdhi më 1 janar 2021, kur nisi nga puna gazsjellësit rus “TurkStream”, duke siguruar që Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina fqinje të mbeten të ndërvarura nga furnizimi me gaz rus. Ministrja Mihajlovic nuk mori pjesë në ceremoni, ndryshe nga Bajatovic pro-rus.
Serbia nuk mund të shpëtojë kollaj nga varësia energjetike që ka nga Rusia, pasi që nga viti 2008, kompania ruse “Gazprom” zotëron 51 përqind të aksioneve të kompanisë kombëtare serbe të naftës dhe gazit “Petroleum Industry of Serbia” (NIS). Ky transaksion interpretohet nga disa si shpërblim i pjesshëm për mbështetjen e Rusisë ndaj Serbisë mbi çështjen e Kosovës.
Edhe dinamika e brendshme në Serbi është në favorin e Rusisë. Ndjeshmëria e publikut serb ndaj çështjes së Kosovës, i detyron politikanët serbë që ta kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, dhe për këtë ata kanë nevojë për Rusinë. Për më tepër, Rusia dhe presidenti i saj Vladimir Putin, mbeten shumë popullorë në opinionin publik serb.
Politikat haptazi anti-ruse shmangen për të shmangur humbjen e mbështetjes së votuesve pro-rusë. Ndaj politikanët serb përpiqen të mbajnë një pozicion të balancuar, por edhe ta vënë Rusinë dhe Perëndimin kundra njëra-tjetrës, si një taktikë për të fituar si votat e votuesve pro-perëndimorë po ashtu edhe atyre pro-rusë.
Aktualisht ka një luftë të heshtur politike mes Vucicit dhe Ministrit serb të Mbrojtjes Stefanovic. Për ta mbajtur Vucic në pozita mbrojtëse, Stefanovic bën lojën e balancimit midis Rusisë dhe Perëndimit. Përveç mjeteve tradicionale të ndikimit rus në Serbi dhe Ballkan, një rrugë e re ndikimit është vaksina ruse kundër koronavirusit, Sputnik V.
Pas një marrëveshje me Rusinë, Serbia filloi prodhimin më vend të Sputnik V. Bashkë me prodhimin e vaksinës kineze Sinopharm, kjo lëvizje po e bën Serbinë një qendër rajonale për vaksinat në Ballkan, gjë që i jep asaj aftësinë për të përdorur “diplomacinë e vaksinave” përmes dhurimit të vaksinave për fqinjët.
Ajo e përdor atë edhe në nivel global, duke i dhuruar vaksinat ruse Sputnik V vendeve në zhvillim në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azi, për t’u siguruar që ato të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Lidhjet serbo-ruse janë zbehur, por nuk janë eliminuar plotësisht.
Faktorët e përshkruar më lart do të sigurojnë që Rusia të mbetet një lojtare me një ndikim domethënës në Serbi.
Shënim: Vuk Vuksanovic, është studiues në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCSP) dhe bashkëpunëtor i LSE IDEAS, një think-tank i politikës së jashtme të Shkollës së Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër (LSE).
/Përktheu: Alket Goce-abcnews.al