Përfaqësuesit e të gjitha partive politike, që e përbëjnë shumicën parlamentare në Maqedoninë e Veriut nuk e kanë pranuar vendimin e marrë nga Zoran Zaev për t’u tërhequr.
Në takimin e djeshëm me kreun e LSDM-së, ata shprehën mbështetje për qeverinë duke thënë se shumica parlamentare është e qëndrueshme dhe se qytetarët kërkojnë nga ai që ta rishikojë vendimin për t’u larguar nga posti i kryeministrit.
Në takimin e përbashkët u konstatua se nuk janë të nevojshme zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pasi sipas tyre, zgjedhjet do ta çonin vendin në krizë më të thellë ekonomike, shoqërore, ekonomike dhe të sigurisë.
Ndërkohë nga kabineti i presidentit Stevo Pendarovski, zyrtarisht nuk është informuar për dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev.
Edhe Kuvendi informoi se dorëheqja e Zaevit nuk ka arritur tek ata, ndërsa thanë se në takimin e djeshëm koordinues me kryetarin Talat Xhaferi, nuk është biseduar fare për dorëheqjen e Zaevit.
Shumica aktuale parlamentare përbëhet prej 62 deputetëve, në përbërje të së cilës janë LSDM, Lëvizja Besa, PLD, RDM, LD, OBRM-Popullore, Partia e Pensionistëve, Pala Serbe në Maqedoni, Partia për Lëvizjen e Turqve, si dhe BDI dhe PDSH. /abcnews.al/