Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pasditen e sotme në dalje të Dibrës, në aksi rrugor Dibër – Strugë, afër objektit të ish-Shpërndarjes së energjisë elektrike, ku kanë mbetur të lënduar shtatë persona, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Në aksident janë përfshirë dy vetura të udhëtarëve, njëra nga Dibra dhe tjetra nga fshati Novak, komuna e Qendrës Zhupës.
“Pas denoncimit të një qytetari, menjëherë kemi dërguar një autoambulancë në vendngjarje. Shtatë persona kanë mbetur të plagosur, dy prej tyre në gjendje të rëndë, ndërsa pesë janë lënduar lehtë. Të gjithëve u është dhënë kujdesi adekuat shëndetësor. Njëri nga të lënduarit, banues në Dibër, i cili mbeti i plagosur rëndë është transportuar në Spitalin e specializuar për Ortopedi dhe Traumatologji “Shën Erazmi” në Ohër, ndërsa një grua nga Novaku është nën vëzhgimin tonë në repartin e kirurgjisë, por nëse është e nevojshme do ta transportojë në një institucion tjetër përkatës”, tha për MIA-n Baki Alili, drejtor i Spitalit të përgjithshëm me aktivitet të zgjeruar në Dibër.
Pesë personat e tjerë janë trajtuar në mënyrë përkaëse dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore, por për shkak të stresit që e kanë përjetuar, sipas Alilit do të qëndrojnë disa orë në spital dhe më pas do të përcillen për në shtëpitë e tyre.
Në vendngjarje është kryer ekspertizë, ndërsa komunikacioni është ridrejtuar përmes vendbanimit Venec dy.