Aleanca për Shqiptarët ka bërë sot thirrje për rrëzimin e qeverisë aktuale dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sipas Elmi Azirit nga kjo parti, pushteti aktual edhe njëherë dështoi në përmbushjen e kushteve për marrjen e datës, për fillim të negociatave me BE-në.
“Kalon edhe viti 2021 pa datë për hapjen e negociatave për anëtarësimin e RMV-në në Bashkimin Evropian. Nga këtu bëjmë thirrje për rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Dje për të satën herë me radhë Këshilli Evropian nuk dha dritën e gjelbër për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Kjo dëshmon se regjimi LSDM-BDI, ka dështuar në përmbushjen e kushteve të Bashkimit Evropian. Veçanërisht sa i përket shtetit të së drejtës dhe zbatimin e traktatit të miqësisë me republikën e Bullgarisë të gushtit të vitit 2017”, tha Aziri.