Ballina Aktualitet Mickoski propozon Afrim Gashin si kryeministër për Qeveri kalimtare (VIDEO)

Mickoski propozon Afrim Gashin si kryeministër për Qeveri kalimtare (VIDEO)

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në konferencën e sotme për shtyp tha se VMRO-DPMNE-ja do ta mbështeste Afrim Gashin si mandatar të ri në Qeveri vend të Dimitar Kovaçevskit, me kusht që pastaj vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, shkruan TV21.

“Këtë mund ta shohim nëse inkurajohen dhe e përkrahin idenë e VMRO-DPMNE-së që të dalim në zgjedhje. Që të ndihmojmë, siç thoni ju, për shkak se Pendarovski kërkonte 61 nënshkrime, të qëndrojmë me 61 nënshkrime prapa emrit të Afrim Gashit dhe Afrim Gashi në vend të Dimitar Kovaçevskit të jetë mandatari i ardhshëm”, tha mes tjerash Mickoski.

https://youtu.be/wd5ob-BBSLk

Mickoski tha se pret që ky propozim të mbështetet edhe nga opozita shqiptare.

“Pres që edhe opozita shqiptare ta mbështes këtë propozim dhe pres që edhe Ali Ahmeti dhe BDI do ta propozojnë dhe ta mbështesin Afrim Gashin në vend të Dimitar Kovaçevskit për mandatar të ardhshëm të Qeverisë së Maqedonisë, nëse nuk kanë 61 deputetë, VMRO-DPMNE-ja do të jetë në dispozicion që të kenë 61 deputetë, që t’i mundësojmë Afrim Gashit që të lëviz dhe ta zgjidh krizën energjetike dhe ekonomike”, deklaroi mes tjerash Mickoski.

AAA falënderon Mickoskin për propozimin që Gashi të jetë kryeministër: S’ndryshojmë agjendë!

Nga Alternativa kanë komentuar propozimin e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski për që Afrim Gashi të jetë mandatar për Qeveri kalimtare. Nga kjo parti thonë se nuk kanë arsye për ta ndryshuar agjendën dhe se nuk mund të flasim për asgjë tjetër.

“E falënderojmë z. Mickovskin për vlerësimin e tij për kryetarin Afrim Gashi, por Alternativa aktualisht është në një proces i cili vijon dhe ende nuk ka përfunduar. Në këtë periudhë nuk kemi asnjë arsye për ta ndryshuar agjendën dhe nuk mund të flasim për asgjë tjetër”, thuhet në reagimin e Alternativës.

Grubi: Kryeministrin shqiptar e propozon Ali Ahmeti, VMRO mund të propozojë kur t’i fitojë zgjedhjet

Artan Grubi nga BDI ka komentuar propozimin e liderit të VMRO-DPMNE-së që Afrim Gasgi të jetë mandatar për kryeministër në Qeveri kalimtare, shkruan TV21. Grubi thotë se për të propozuar kryeministër, VMRO-DPMNE fillimisht duhet të fitojë zgjedhjet parlamentare.

“Propozimi vije nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, gjegjësisht nga z. Ali Ahmeti, nuk mund të propozojë ndonjë parti tjetër në përputhje me marrëveshjen, në veçanti jo VMRO, për arsye se nuk e ka mandatin. Në momentin kur e fiton mandatin në zgjedhje parlamentare, po qoftë se propozon një shqiptar VMRO-ja për kryeministër në vend të z.Mickoskit apo këdo qoftë tjetër që e kanë planifikuar për mandatar, gjithsesi se do e përkrahim”, ka deklaruar Grubi.

ASH përkrah propozimin “Gashi për kryeministër”! Aziri: Mickoski ka parë kapacitet te Gashi për zgjidhje të problemeve

Nga Aleanca për Shqiptarët e përkrahin propozimin e Mickoskit i cili e propozoi Afrim Gashin për mandatar. Nënkryetari i ASH-së, Elmi Aziri sot në Kuvend tha se me siguri Mickoski ka parë kapacitete te Afrim Gashi që mundet t’i zgjidh të gjitha çështjet.

“Sigurisht z.Mickoski ka parë kapacitete te z.Afrim Gashi për ta zgjidhur edhe problemin e bllokadës nga ana e BE-së, edhe për zgjidhjen e çështjeve ekonomike, shëndetësore etj etj… Dhe e ka bërë një propozim të tillë, sigurisht që ne do ta përkrahim”, tha Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët.

@tn.lajmelokale
@tetovanews