Ballina Bota “Në sytë e botës, Franca është tashmë në luftë civile”: Kriza franceze...

“Në sytë e botës, Franca është tashmë në luftë civile”: Kriza franceze sipas historianit britanik Andrew Hussey

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Nga Alix L’Hospital / L’Express, 26 tetor 2026

Në vitin 2025, historiani britanik Andrew Hussey hidhte poshtë në një intervistë për L’Express tezën e një lufte civile të afërt në Francë, vendin e tij të adoptuar. Një vit më vonë, ndërsa mobilizimi i nxënësve të shkollave të mesme është shndërruar në krizë sociale, autori i Fractured France (Granta Books), një eseje mbi vijat e përçarjes në shoqërinë franceze, pranon se nuk është më aq i sigurt.

“Zemërimi i atyre që ndihen të dëmtuar ka marrë një përmasë tjetër”, shpjegon ai, duke përshkruar “një tragjedi” që po zhvillohet ende pa u mbajtur zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.

Sipas tij, “nuk ekziston më mundësia e gjetjes së një gjuhe të përbashkët mes francezëve”, deri në atë pikë sa bashkatdhetarët tanë mund të jenë fare mirë në pararojë të problemeve të shekullit XXI në Evropë.

L’Express: Gjatë intervistës sonë të fundit, një vit më parë, ju hidhnit poshtë tezën e një “lufte civile” të afërt në Francë… Sot nuk jeni më aq i sigurt për këtë, siç keni deklaruar edhe për The Telegraph. Përse?

Andrew Hussey: Në kohën e trazirave që pasuan vdekjen e të riut Nahel, në vitin 2023, ishte tashmë e qartë se, duke sulmuar banesat e përfaqësuesve të zgjedhur, por edhe zyrat postare, bibliotekat apo shkollat, pjesëmarrësit në trazira kishin në shënjestër Republikën. Por ngjarjet që po zhvillohen aktualisht në Francë tregojnë qartë se kjo dhunë dhe kjo urrejtje ndaj gjithçkaje që mban vulën e Republikës janë intensifikuar ndjeshëm.

Jam tronditur jashtëzakonisht shumë nga shkatërrimi i kambanores së bashkisë së Limoges, e cila datonte nga viti 1885 dhe që as nazistët nuk kishin arritur ta shkatërronin në atë mënyrë. Studentët që protestojnë kanë kërkesa legjitime, ashtu siç kishin edhe Jelekverdhët. Por disa po e shfrytëzojnë këtë kryengritje për të kundërshtuar Republikën dhe, ndonjëherë, madje edhe për të mbështetur kauza që nuk kanë asnjë lidhje me të, siç është çështja palestineze. Kjo përzierje kauzash mund të çojë, pra, në një luftë civile.

Natyrisht, kur mendojmë për luftën civile, na vijnë ndër mend shembuj si ai i Spanjës, me dy ushtri, uniforma, pushkë dhe tanke. Por në shekullin XXI, lufta civile me shumë gjasë nuk do të ketë këtë pamje.

Nëse kjo vërtetohet, do t’u afroheshim më tepër rasteve si ai i Irlandës së Veriut, me tensione dhe dhunë që ndodhin vazhdimisht, pa marrë kurrë formën e një lufte tradicionale, siç e kuptonte teoricieni ushtarak prusian Carl von Clausewitz.

Përveç rastit irlandez, situata e tanishme më bën të druaj edhe nga një skenar i ngjashëm me atë të Algjerisë. Në vitet 1950, bëhej fjalë për një luftë civile me tre palë: Kolonët evropianë të Algjerisë, qeveria franceze dhe Fronti i Çlirimit Kombëtar (FLN).

Franca sot po përballet me këtë lloj ballkanizimi, madje edhe libanizimi. Dhe më vjen keq që më duhet ta them, por kjo mund të përfundojë vërtet shumë keq.

L’Express: Çfarë ka ndodhur që situata të përkeqësohet kaq shumë brenda një kohe kaq të shkurtër?

Andrew Hussey: Zemërimi i atyre që ndihen të dëmtuar ka marrë një përmasë tjetër. E kam fjalën për nxënësit e shkollave të mesme dhe pensionistët, të cilët janë prekur drejtpërdrejt nga përkeqësimi i ekonomisë që prej vitit 2023.

Por edhe për njerëz për të cilët askush nuk do ta kishte menduar se mund të ndiheshin të braktisur nga Republika.

Në vendin ku jetoj, njoh një mësues në pension që është shumë i shqetësuar nëse do të jetë në gjendje ta paguajë ngrohjen e banesës këtë dimër. Megjithatë, edhe në pension, askush nuk do ta kishte imagjinuar vite më parë se një mësues do të kishte frikë se një ditë mund të binte në varfëri.

Kur shtresat e mesme fillojnë ta ndiejnë peshën e masave shtrënguese ekonomike, zemërimi vetëm sa mund të rritet.

Në librin tim Fractured France, shenjat e para ishin tashmë të pranishme. Këtë e dëshmon një episod që kam rrëfyer, kur u gjenda në mes të një trazire, pjesëmarrësit e së cilës nuk ishin vetëm militantë të blloqeve të zeza (black blocs) apo persona që shkatërronin prona.

Mes tyre kishte edhe njerëz të brezit tim, të atij brezi që ishte rritur me bindjen se shteti ishte në anën e tij.

Sot shohim se kjo bindje është zhdukur dhe i ka lënë vendin një hidhërimi të thellë.

Së shpejti do të thuhet për francezët se kanë qenë në pararojë të problemeve të shekullit XXI në Evropë.

L’Express: Historia e Francës është e mbushur me kryengritje. Çfarë do t’u përgjigjeshit atyre që mendojnë se kjo periudhë është vetëm një ndër shumë të tjera dhe se do të shuhet si të mëparshmet?

Andrew Hussey: Disa historianë francezë ose anglishtfolës i shohin këto tronditje të shumta franceze – si Revolucionin e vitit 1789, kryengritjen pariziene të Tri Ditëve të Lavdishme (1830), Revolucionin e Shkurtit që vendosi Republikën e Dytë (1848), Komunën e Parisit (1871), apo lëvizjen e Majit 1968 – si mënyrën klasike të funksionimit të vendit tuaj për sa i përket ndryshimit shoqëror.

Me fjalë të tjera, në Francë ndryshimi shoqëror nuk mund të ndodhë ndryshe veçse përmes protestave, madje edhe revolucioneve.

Kjo është pjesërisht e vërtetë.

Por tashmë një pjesë e madhe e dhunës që po vëzhgojmë i kapërcen kufijtë e modeleve që njihnim.

Do të thosha pothuajse se ajo ka ndryshuar natyrë, duke marrë shpesh ngjyrime nihiliste, antievropiane dhe anti-perëndimore.

Sot në Francë po ndodh diçka që historianët dhe mendimtarët e tjerë ende nuk e kuptojnë plotësisht.

L’Express: A nuk tregon fakti që edhe vende të tjera po përjetojnë aktualisht mobilizime të ngjashme se Franca është më tepër simptomë e një krize më të gjerë?

Andrew Hussey: E gjithë Evropa ka vërtet probleme të mëdha.

Në shumë aspekte, vende si Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Suedia, Gjermania apo Italia po përballen me vështirësi të ngjashme, si ndryshimet e mëdha që lidhen me imigracionin masiv, faktorë të ndryshëm ekonomikë, tërheqjen graduale të angazhimit amerikan ndaj Evropës…

Por e gjithë kjo funksionon pak a shumë si shërbimi informatik i ruajtjes në re (cloud): Edhe pse ai shtrihet përtej kufijve kombëtarë dhe mbulon botën, çdo shkarkim prej tij realizohet sipas kushteve të secilit vend.

Problemet e Francës nuk janë vetëm të sajat, por shqetësimet që lidhen me imigracionin, ekonominë, NATO-n apo Ukrainën shfaqen atje në mënyra të ndryshme.

Merrni rastin e antisemitizmit, i cili është rritur në mënyrë shpërthyese në shumë vende.

Në Francë, ky fenomen ka marrë një ngjyrim të veçantë, sidomos sepse ruajmë kujtesën e antisemitizmit kolonial që u shfaq që në shekullin XIX, ndër të tjera në Afrikën e Veriut, por natyrisht edhe për shkak të regjimit të Vichy-së gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ajo që po ndodh sot është njëkohësisht e përbashkët për disa vende dhe specifike për Francën.

L’Express: Në librin Fractured France, ju nuk tregoheshit aspak i butë me “bobos”-të tanë, borgjezët bohemë. Mirëpo, gjatë kësaj periudhe, disa intelektualë të majtë, me mënyrë jetese borgjeze, e kanë legjitimuar dhunën. Shkrimtari Édouard Louis, të cilin e përmendnit në librin tuaj, ka deklaruar, për shembull, se është “pro vënies së zjarrit rrugëve të Parisit” dhe që “të shkohet e të thyhen gjëra”. A u atribuoni atyre përgjegjësi?

Andrew Hussey: Jam i zemëruar me borgjezët bohemë. Dhe kjo që përpara se ata ta legjitimonin dhunën në rrugët e Parisit.

George Orwell thoshte se mund të jesh njëkohësisht revolucionar dhe snob. Pikërisht këtu qëndron thelbi i problemit.

Borgjezi bohem dëshiron një status të lartë shoqëror. Dhe një nga mënyrat për ta arritur këtë është të bëhet pjesë e një elite të vogël, e vetmja që pretendohet se është e aftë të kuptojë çfarë po ndodh, ndërsa proletariati, “prolet”, siç u thonë, do të ishte tepër budalla për të kuptuar se çfarë i ka ndodhur.

Borgjezët bohemë, në njëfarë mënyre, kanë kolonizuar një pjesë të së majtës.

Për pasojë, ata që njëzet apo tridhjetë vjet më parë do të kishin qenë anëtarë të Partisë Komuniste Franceze, sot nuk votojnë më për të majtën, sepse ndihen të tjetërsuar prej saj.

Ndonjëherë lexoj gazeta të majta dhe nuk kuptoj asgjë nga ato që thonë. Kanë zhargonin e tyre, një gjuhë që nuk i thotë asgjë askujt tjetër përveç vetes.

Në tubimet e Bashkimit Kombëtar (Rassemblement national), ku kam marrë pjesë gjatë përgatitjes së librit Fractured France, publiku nuk ngjante me fashistë, por me njerëz të shtresës punëtore, të cilët kishin të përbashkët faktin se e gjenin veten më shumë te fjalët e Marine Le Pen sesa te ato të gazetës Libération.

Prandaj, po, për t’iu kthyer pyetjes suaj, borgjezët bohemë, dhe jo vetëm ata që votojnë për Francën e Panënshtruar (La France insoumise), mbajnë përgjegjësi për gjithë këtë.

L’Express: Mund të mendohet se kaosi i tanishëm do t’i shërbejë Bashkimit Kombëtar për zgjedhjet e vitit 2027. A mund të përfitojë nga kjo periudhë, e shënuar edhe nga një sulm terrorist në Yvelines, edhe Franca e Panënshtruar?

Andrew Hussey: Jean-Luc Mélenchon është një njeri shumë inteligjent.

Ai di të krijojë një atmosferë revolte, duke e mbështetur atë mbi pakënaqësi legjitime.

Shkollat dhe universitetet franceze janë vërtet në një gjendje të mjerueshme prej rreth tridhjetë vjetësh.

Duke u nisur nga kjo, është e lehtë të ndërtosh një retorikë që u flet atyre që ndihen të braktisur, si ajo e “Francës së Re”.

Kjo mund të tërheqë të rinjtë, veçanërisht ata me prejardhje nga imigracioni dhe, në përgjithësi, brezin postkolonial.

Por kjo strategji ka dy kufizime.

Së pari, ka kufizime elektorale, sepse përjashton një pjesë të tërë të popullsisë që nuk e gjen veten në këtë rrëfim.

Së dyti, shumë njerëz e duan mënyrën e tyre të jetesës në Francë; ajo është pjesë e identitetit të tyre.

Duke e minuar këtë ndjenjë, Franca e Panënshtruar i krijon vetes kundërshtarë të fuqishëm.

Ndërkohë, në anën tjetër, Marine Le Pen i hap tubimet e saj duke cituar poezi patriotike!

Rezultati është se ata që instinktivisht neveriten nga diskursi i Francës së Panënshtruar dhe strategjia e Jean-Luc Mélenchonit bien në grackën e rreshtimit përkrah nacionalistëve.

Megjithatë, mund të vërejmë edhe të kundërtën: Ata që nuk e duan Bashkimin Kombëtar po orientohen gjithnjë e më shumë drejt Francës së Panënshtruar.

Por viti 2027 ende nuk ka ardhur.

Ajo që më shqetëson është se, ende pa u ditur rezultati i zgjedhjeve, në Francë po zhvillohet një tragjedi pikërisht në këto çaste.

L’Express: Kjo është një fjalë e rëndë…

Andrew Hussey: Unë jam një i moderuar aq i zakonshëm, sa bëhem i mërzitshëm (qesh), por më duhet ta pranoj se pajtohem me ata që mendojnë se nuk ekziston më mundësia e gjetjes së një gjuhe të përbashkët mes francezëve.

Franca është e mbërthyer mes dy ekstremeve.

Kjo është e gjithë tragjedia e ardhjes së Emmanuel Macronit në pushtet, e cila krijoi një zbrazëti politike në qendër.

Sot është tepër vonë që kjo qendër të rindërtohet deri në vitin 2027.

Kjo është tragjike, sepse na mbeten vetëm Franca e Panënshtruar dhe Bashkimi Kombëtar, të cilët nuk kanë për të ofruar veçse premtime boshe dhe iluzione.

Ndërkohë, kemi arritur në një pikë ku Franca përballet me një situatë që do të kërkojë një ekuilibër delikat mes papërgjegjshmërisë buxhetore, e cila do të çonte drejt një situate “të ngjashme me atë greke”, dhe ruajtjes së gjendjes ekzistuese, ku njerëzit ndihen gjithnjë e më të varfër dhe thellësisht të zemëruar.

Kam dyshime për aftësinë e Emmanuel Macronit që ta kapërcejë këtë krizë siç duhet, në cilësinë e tij si kryetar i shtetit.

L’Express: Për momentin, disa drejtues politikë kërkojnë masa më të ashpra. Të tjerë druhen nga një përshkallëzim i masave të sigurisë… Sipas jush, cila do të ishte përgjigjja më e keqe ndaj kësaj situate?

Andrew Hussey: Skenari më i keq do të ishte kalimi drejt një modeli paramilitar të ruajtjes së rendit publik, madje drejt një shtypjeje të ashpër autoritare.

Sot zgjidhja nuk është përdorimi i më shumë armëve me plumba gome apo gazit lotsjellës.

Mendoni pak: Në sytë e botës së jashtme, Franca është tashmë një vend në luftë civile, edhe pse demonstrata e fundit u zhvillua pjesërisht në mënyrë paqësore.

Nga pikëpamja strategjike, një qasje pothuajse ushtarake do t’u shërbente atyre që kryejnë shkatërrime dhe grupeve black blocs, të cilat kërkojnë pikërisht përballjen.

Përgjigjja e vërtetë mund të jetë vetëm afatgjatë: Integrimi në shoqëri i atyre që ndihen të tjetërsuar prej saj dhe financimi i shërbimeve publike.

L’Express: Pas demonstratës së 24 tetorit, ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, vlerësoi se “marshimet kaluan mirë”. A nuk është kjo inkurajuese?

Andrew Hussey: Dhuna e 17 tetorit nuk mund të vazhdonte pafundësisht.

Por është një lojë e maces me miun mes radikalëve, grupeve black blocs dhe policisë, të cilët po i përshtatin gradualisht metodat e tyre.

Asgjë nuk ka përfunduar ende.

Problemet themelore dhe shqetësimet e rrënjosura thellë nuk janë zhdukur.

Megjithatë, unë jam optimist.

Ashtu si historiani Fernand Braudel, mendoj se identiteti francez është gjithmonë në lëvizje, se ai ndryshon dhe riprodhohet vazhdimisht, ndryshe nga Éric Zemmour, sipas të cilit qytetërimi francez po vdes.

Franca, zemra e Evropës, po transformohet, pa dyshim në mënyrë të ashpër dhe të dhimbshme, por gjërat po ndryshojnë.

Jam i bindur se së shpejti do të thuhet për francezët se kanë qenë në pararojë të problemeve të shekullit XXI në Evropë, madje edhe më shumë se britanikët apo spanjollët.(L’Express)