Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka arsyetuar kthimin në Kuvend për rishqyrtim të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në arsyetimin e saj, Shiroka-Pula ka theksuar se ka marrë parasysh sakrificën, angazhimin dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të krerëve të saj në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ajo ka thënë se, pas pranimit të ligjit, kishte shprehur gatishmërinë për shpalljen e tij, në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese.
Presidentja ka përmendur edhe Deklaratën e Kuvendit të Kosovës të 28 shtatorit 2026 lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke mbështetur qëndrimin kundër, siç thuhet në deklaratë, çdo përpjekjeje për shtrembërimin e së vërtetës historike të Kosovës dhe vënien në dyshim të karakterit çlirimtar të luftës.
“Në këtë kontekst, kam marrë parasysh edhe Deklaratën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për akgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të datës 28 shtator 2026 (nr. 11De-001), duke mbështetur qëndrimin e shprehur në të, kundër çdo përpjekjeje për të shtrembëruar të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim karakterin çlirimtar të luftës së saj apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë”, është thënë në arsyetimin e Presidentes.
Sipas arsyetimit të saj, Shiroka-Pula ka treguar se zhvilluar konsultime dhe takime me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve politike.
Ajo ka bërë të ditur se më 22 tetor ka pranuar propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, si sponsorizues i ligjit, për t’i dhënë Kuvendit mundësinë që ta rishqyrtojë atë.
“Me qëllim të bashkërendimit të veprimeve ndërinstitucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të rolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë angazhimet që synojnë mbrojtjen sa më të mirë të të drejtave dhe interesave të të rënëve të saj që po gjykohen në Dhomat e Specializuara, kam zhvilluar dhe vijoj të zhvilloj konsultime dhe takime me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve përkatëse shtetërore. Në vijim të këtyre konsultimeve dhe takimeve, më 22 tetor 2026 kam pranuar edhe propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, si sponsorizues i Ligjit (Prot. nr. 01-07-1255-01/26, datë 22.10.2026), për t’i dhënë Kuvendit të Republikës së Kosovës mundësinë që ta rishqyrtojë Ligjin nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, me qëllim të shqyrtimit të mëtejshëm të dispozitave të tij, veçanërisht të atyre që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara”, thuhet në arsyetim.















