Zjarret në objektet e banimit janë bërë më të shpeshta për shkak të shfaqjes së zjarrit në oxhaqe, dhe një shembull të tillë ka pasur mëngjesin e sotëm në fshatin Leshkë. Me ndërhyrjen e Njësitit Territorial të Zjarrfikësive të Tetovës, zjarri është shuar plotësisht dhe nuk ka pasur persona të lënduar.
Policia e Tetovës në tri javët e fundit të dhjetorit ka regjistruar nëntë zjarre, nga të cilat tetë në objekte, për të cilat MPB-ja e Tetovës sërish apelon qytetarët për vigjilencë më të madhe. – Moti I ftohtë, gjegjësisht rënia e ndjeshme e temperaturave ditore, e posaçërisht gjatë natës, këto ditë në rajonin Tetovë-Gostivar e intensifikon në masë të madhe sezonin e ngrohjes, duke rritur kështu mundësitë për zjarre, para së gjithash për shkak të pakujdesisë njerëzore, instalimeve elektrike të vjetra dhe të rrënuara. soba me defekt dhe oxhaqe të papastruara në kohë në shtëpi ose ndërtesa banimi.
Ju ftojmë të mos i lini ngrohëset ndezur kur nuk jeni të pranishëm në shtëpinë apo zyrën tuaj për një kohë të gjatë, veçanërisht jo ngrohëset, kondicionerët apo sobat me dru. Sepse, mjafton vetëm një shkëndijë e vogël për të ndezur një zjarr të madh me pasoja të rënda materiale, tha zëdhënësi Marjan Josifoski.
Zjarrfikësit apelojnë vazhdimisht që të kontrollohen dhe pastrohen oxhaqet, por edhe të mos mbingarkohen instalimet duke ndezur disa elektroshtëpiake njëherësh. – Problem i madh dhe rrezik zjarri janë mobiljet e vjetra që përdoren për ngrohje. Prandaj apelojmë që të mos përdoren materiale të tilla, të pastrohen oxhaqet, sidomos në objekte, tha Uka Aliti, komandant i zjarrfikësve të Tetovës.
Shkaktimi i zjarrit në një mënyrë të caktuar është vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” për të cilin sipas nenit 288 të K.Penal dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet dhe nëse është kryer nga pakujdesia kjo vepër dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet./TetovaNews