Ballina Kronika NUK MUND TË PAJTOHEJ ME FAKTIN SE E KISHTE BRAKTISUR/ Një vajzë...

NUK MUND TË PAJTOHEJ ME FAKTIN SE E KISHTE BRAKTISUR/ Një vajzë e mitur nga Kërçova përjeton dhunë dhe keqtrajtim psikologjik nga ish i dashuri (VIDEO)

I dha fund lidhjes pa dëshirën e të dashurit të saj, i cili tani po e shantazhin me foto dhe video në rrjetet sociale. Kjo është situata e vështirë nëpër të cilën po kalon tashmë 1 muaj kjo e mitur nga Kërçova. Ish i dashuri, pas ndarjes, në “Facebook” dhe “Tik Tok” po poston video personale nga kur kanë qenë bashkë.

“Unë kam pasur një lidhje me një djalë dhe ai e ka pasur telefonin tim dhe i ka marr gjërat e mija që kanë qenë personale dhe private dhe prej kur jemi ndarë ai ka hapur TikTok dhe i ka postuar ato video aty dhe në Facebook, njëjtë edhe aty poston dhe shkruan gjëra pa lidhje”.

Ajo thotë se është në ankth për shkak se këto gjëra i shohin familja dhe shoqëria, dhe se çfarë mund të nxirret dhe thuhet për të.

“Më shkruajnë shumë të kanë nxjerrë video në TikTok dhe Facebook edhe familjarët më kanë treguar, shumë keq ndjehem”.

Ka pasur edhe kërcënime ndërsa njëherë dikush tentuar për t’ia djegur shtëpinë, situatë që e ka përjetuar tmerrësisht keq.

“Ato ditë nuk mundesha as të fle, as nuk kam qenë e qetë, as nuk kam ngrënë, asgjë!”

Rasti është paraqitur në polici dhe në organet tjera kompetente, si për zjarrin në derën e banesës po ashtu edhe hapjen e profileve të ndryshme në rrjetet sociale.

“Më 04.12.2021 rreth orës 02:00 të mesnatës, në stacionin policor të Kërçovës është paraqitur se para derës së banesës në rrugën “11 Shtatori” në Kërçovë, është hedhur lëndë djegëse, por fatmirësisht nuk ka arritur që zjarri djegë banesën. Policia në Kërçovë po merr masa për zbardhjen e rastit”, thonë nga SPB-Ohër.

Familjarët thonë se deri më tani janë mbyllur disa faqe me pamjet e vajzës, e cila për shkak të kësaj situate është larguar edhe nga shkolla, por shpejt hapen faqe të reja me etiketime fyese.

Psikologjia Vala Adili thotë se ka shumë raste të shqetësimeve të këtilla, sidomos ndaj vajzave të mitura. Mendon se kjo vjen si pasojë e mendësisë së djemve ose burrave se një vajzë është pronë e tyre dhe mund ta marrin dhe ta largojnë vetëm kur duan ata.

“Edhe djemtë janë një lloj viktime të kësaj mendësie sepse ushqehen dhe rriten me idenë që vajzat janë pronë e tyre, një grua duhet të jetë gjithmonë me ata sikur me çdo kusht duhet të qëndrohet në lidhje ose në martesë edhe pa vullnetin e vajzës dhe të gruas, do të shkoj një kohë e gjatë derisa një “jo” e gruas me gjithë mend të merret një “jo” e vërtetë dhe të tingëllojë “jo” në veshët e çdo burri”, u shpreh Vala Adili – psikologe.

Raste të këtilla janë të shpeshta, por pak denoncohen në polici dhe organet kompetente. Vajza që për TV21 rrëfeu historinë e saj kërkon që të largohen videot dhe foto e të vazhdojë të jetojë e qetë dhe t’u kthehet bankave të shkollës si bashkëmoshataret e saj.