Në një bisedë telefonike me kancelarin Scholz, presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje për ruajtjen e kursit aktual. Ai shpreson se do të jetë kancelari që do t’i përcaktojë marrëdhëniet dypalëshe.
Kreu i shtetit dhe partisë së Kinës Xi Jinping shpreson për vazhdimësi në marrëdhëniet me Gjermaninë nën kancelarin e ri Olaf Scholz. Në një bisedë telefonike me kancelarin Scholzin, Xi bëri thirrje që të dyja palët të “ruajnë kursin” në zhvillimin e marrëdhënieve. Ato gjithashtu duhet të “ruajnë traditën e shkëlqyer të udhëheqjes së nivelit të lartë”, e citojnë mediat shtetërore presidentin kinez.
Deklarata lë të kuptohet se Xi shpreson që Scholz-i, ashtu si paraardhësja e tij Angela Merkel, të vazhdojë të formësojë politikën gjermane ndaj Kinës – dhe jo ministrja e re e Jashtme Annalena Baerbock, e cila tashmë ka është shprehur me nota të qarta kritike ndaj Kinës.
Kundër një “mentaliteti të luftës së ftohtë”
Sipas transmetuesit shtetëror CCTV, Xi u angazhua në bisedë që çështjet rajonale të zgjidhen përmes dialogut dhe që të refuzohet me vendosmëri një “mentalitet i luftës së ftohtë”. Gjermania dhe Kina gjithashtu duhet të hetojnë në mënyrë aktive fusha të reja bashkëpunimi, për shembull në fushën e energjive të rinovueshme dhe ekonominë digjitale. Kompanitë gjermane janë të mirëpritura të shfrytëzojnë mundësitë që ofron hapja e Kinës.
Nga ana tjetër, sipas raportit, Xi shprehu shpresën se Gjermania do të sigurojë një mjedis korrekt biznesi për kompanitë kineze që dëshirojnë të investojnë në Gjermani.
Nga pala gjermane, u bë vetëm një deklaratë shumë e shkurtër për bisedën, në të cilën zëdhënësi i qeverisë, Steffen Hebestreit përmendi një përzgjedhje temash: thellimi i partneritetit dypalësh dhe marrëdhëniet ekonomike, zhvillimi i marrëdhënieve midis BE-së dhe Kinës si dhe “temat ndërkombëtare”.
E kritikuar për shkeljet e të drejtave të njeriut
Kina kritikohet për shkeljet e të drejtave të njeriut në marrëdhëniet e saj me ujgurët dhe tibetianët, për shtypjen e lëvizjes demokratike në Hong Kong ose për kërcënimet e saj kundër Tajvanit. Prandaj, Shtetet e Bashkuara kanë shpallur një bojkot diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore. Deri tani, Scholz nuk ka deklaruar nëse Gjermania do të bashkohet me këtë bojkot.
Vitet e fundit, kancelarja Merkel megjithatë kishte hequr dorë nga një linjë e ashpër kundër Kinës dhe ishte përqendruar te dialogu – gjë që hapi diskutime, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara.