Ballina Aktualitet Shqipëri “Më mirë të jesh skllav jashtë vendit”/ Mënyra se si emigracioni masiv...

“Më mirë të jesh skllav jashtë vendit”/ Mënyra se si emigracioni masiv po e shkatërron Ballkanin

Me dyqanet e tij të braktisura dhe rrugët pothuajse të shkreta, qyteti i vogël i Valandovës është si shumë qytete në Maqedoninë e Veriut që të rinjtë po i lënë në numër të madh me shpresën për të gjetur një jetë më të mirë jashtë vendit. Ashtu si vendet e tjera në Ballkan, Maqedonia e Veriut po lufton me një rënie demografike alarmante, të nxitur nga emigracioni masiv dhe plakja e banorëve të saj.

Vendi ka humbur 10% të popullsisë së tij gjatë njëzet viteve të fundit, dhe tani ka 1.8 milionë banorë, sipas rezultateve paraprake nga regjistrimi i shtatorit, 200,000 më pak se në regjistrimin e fundit në 2002.

Tridhjetë vjet pas pavarësisë së vendit, rreth 600,000 maqedonas jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave nga Banka Botërore dhe qeveria në Shkup. Ndër arsyet kryesore të këtij emigrimi, ekonomia dhe mungesa e investimeve. “Nëse rreth një e katërta e 2.4 milionë banorëve tuaj janë larguar, ju duhet të shqetësoheni seriozisht për atë që po ndodh”, thotë Apostol Simevski, drejtor i Zyrës Kombëtare të Statistikave.

Fshatrat dhe qytetet e vogla, si Valandova që ndodhet 146 km në jug-lindje të Shkupit, ofrojnë pak mundësi punësimi, duke i shtyrë njerëzit ambicioz të kërkojnë gjetkë. “Shpirti i të rinjve është shkatërruar sistematikisht dhe entuziazmi i tyre për të luftuar dhe për të qëndruar në shtëpi është zhdukur”, i tha AFP Pero Kostadinov, 33 vjeç, kryebashkiaku i Valandovës i zgjedhur së fundmi. “Pesë nga shokët e mi të klasës janë tashmë jashtë vendit me familjet e tyre”, shton Bojan Nikolov, 24 vjeç, anëtar i këshillit rinor komunal në Valandovë, një qytet që mbijeton kryesisht nga bujqësia.

“Më mirë të jesh skllav jashtë vendit”

Pas pavarësisë së vendit në 1991, shumë shpresuan se anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të sillte përparim. Por rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së është bllokuar sistematikisht, fillimisht nga Greqia dhe më pas, së fundmi, nga Bullgaria, duke shkaktuar dyshime rreth mundësisë që vendi një ditë të bashkohet me bllokun e 27.

Për ata që qëndrojnë në vend, paga mesatare mujore prej 470 eurosh mezi i plotëson nevojat elementare. “Më mirë të jesh skllav për 2000 euro jashtë se sa në shtëpi për 300 euro”, dëgjojmë shpesh në të gjithë vendin. Por Maqedonia e Veriut nuk është e vetme në këtë situatë në Ballkan.

Dhjetë mijë mjekë më pak

Në Shqipëri, rreth 1.7 milionë banorë, ose pothuajse 37% e popullsisë, janë larguar nga vendi në 30 vitet e fundit. Në Serbi, qindra mijëra njerëz kanë rindërtuar jetën e tyre jashtë vendit, duke përfshirë 10,000 mjekë, të cilët janë larguar në dy dekadat e fundit, sipas vlerësimeve.

Dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk garanton një përmbysje të kësaj tendence demografike. Që nga anëtarësimi në BE në vitin 2013, popullsia e Kroacisë është zvogëluar me pothuajse 10% dhe aktualisht mezi i kalon katër milionë, sipas rezultateve të para të regjistrimit të vitit 2021.