Shkelja e të drejtave të punëtorëve në Maqedoninë e Veriut mbetet në krye të listës së ankesave te Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi si institucion shtetëror, anëtarët e të cilit i emëron Kuvendi.
Punëtorët thonë se pandemia ka nxjerrë në pah mosveprimin e institucioneve kur shkelen të drejtat e tyre. Më e prekur nga këto shkelje mbetet industria e tekstilit.
“Numri më i madh i ankesave nga më shumë se 170 sa i kemi shqyrtuar vitin e fundit (2021), kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të punëtorëve, përkatësisht shkeljen e marrëveshjeve mbi marrëdhënie pune”, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetarja e Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi, Vesna Bendeska.
Ajo thekson se pasi të konstatohen shkelje, subjektet në fjalë janë obliguara që të veprojnë duke hequr shkeljet përkatësisht evituar dëmin që i kanë shkaktuar palës, në këtë rast punëtorëve në një afat prej 30 ditëve deri në gjashtë muaj.
“Një numër i caktuar i subjekteve i pranojnë rekomandimet tona dhe na njoftojnë se i kanë zbatuar rekomandimet tona, për çka kërkojmë dhe dëshmi me shkrim. Por, ka dhe një numër të madh që na njoftojnë se nuk e kanë ndërmend t’i zbatojnë rekomandimet tona. Në këto raste ne lëndën e procedojmë në gjykatë”, sqaron Bendevksa duke e theksuar si problem më vete edhe mosreagimin e shpejtë të gjykatave.
Kristina Ampeva, e cila është e angazhuar në industrinë e tekstilit dhe drejton organizatën joqeveritare “Glasen Tekstilec” (Punëtori i Zëshëm i Tekstilit) në Shtip, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se vërejtjet që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të punëtorëve kryesisht janë për mospagesën e orëve shtesë, shkelje e kontratave të punës, mosparaqitja e punëtorëve në Entin për Punësim e me këtë edhe mospagesa për ta për sigurim pensional dhe shëndetësor, etj.
Ampeva thotë se janë të shumta edhe rastet e shkeljes së të drejtave të punëtorëve që kanë të bëjnë me mosrespektimin e masave për mbrojtje nga koronavirusi , megjithëse shton se nuk mund të jepet një numër i saktë sepse punëtorët janë anëtarë në organizata të ndryshme sindikale, kështu që dhe denoncimet bëhen në vende të ndryshme.
Në këtë drejtim, Zdravko Savevski, aktivist për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, si shumë më problematike e konsideron faktin që në kushte të krizës ekonomike kur evidente janë shkelje të shumta të të drejtave të punëtorëve, pikërisht punëtorët nuk e ngritin zërin.
“Shpesh ndodh që në rast të shkeljes së Ligjit për marrëdhënie pune punëtorët nuk reagojnë sepse kanë frikë se mos e humbin vendin e punës. Në këtë drejtim më duhet të theksoj se problemi qëndron në atë se është krijuar bindje se punëtorët duhet të presin që dikush tjetër të kujdeset për ta. E kuptueshme që shteti duhet të veprojë kur konstatohen shkelje përmes Inspektoratit për punë, por është zëri i punëtorëve ai që i bën institucionet të mos i shikojnë këto shkelje përmes gishtërinjve”, thotë për Radion Evropa e Lirë Savevski dhe shton:
“Është koha e fundit, veçanërisht në këtë kohë të krizës ekonomike që punëtorët të bashkohen dhe të protestojnë ndaj çdo shkeljeje të të drejtave të punëtorëve”.
Ndërkaq, Drilon Iseni nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore për Radion Evropa e Lirë thotë se pakënaqësia e punëtorëve ka të bëjë me cilësinë e jetës dhe jo me vetë kushtet për punë që, siç vlerëson, dukshëm janë përmirësuar gjatë dekadës së fundit.
“Mendoj se krejt kjo pakënaqësi që mblidhet nga cilësia e jetës, adresohet në adresën e gabuar te punëdhënësit”, thotë Iseni.
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut gjatë vitit të kaluar kanë prezantuar aplikacionin e ri, nëpërmjet të cilit punëtorët që u janë shkelur të drejtat do të mund ta denoncojnë shkeljen dhe denoncimet menjëherë i dërgohen Inspektoratit Shtetëror të Punës.