Amos Chapple
Dy prej fotoreporterëve më me përvojë të luftës në Ukrainë kanë folur për Radion Evropa e Lirë rreth atmosferës përgjatë vijës ndarëse në Donbas, teksa frika për një pushtim të plotë nga Rusia po rritet.
Anatolii Stepanov: “Më qetë se në Kiev”
Në vijat e frontit duket më qetë sesa në Kiev. Kështu është zakonisht – sa më larg kryeqytetit, dhe sa më afër frontit, aq më qetë është.
Të gjithë këtu e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Këtu nuk ka histeri, si ajo që shihet në media aktualisht. Gjatë muajit të fundit, asgjë fare nuk ka ndryshuar në vijat e frontit.
Ndonëse këtu është përgjithësisht qetë, në mbrëmjen e së premtes (më 21 janar), disa kilometra larg pozitës ku unë isha me disa gazetarë, ndodhi një luftim i vërtetë. U përdorën mortaja 82-milimetërshe, një mitraloz i fuqishëm “Utyos”, dhe raketahedhës. Zgjati rreth 90 minuta, por, në vijën e frontit, ku ai ndodhi, s’ka pasur lëvizje kurrë. Do të ketë qenë me gjasë një grindje mes dy palëve.
Unë së fundi isha bashkë me një gazetar, me të cilin biseduam me disa paraushtarakë, ndërsa njëri oficer na tha troç se nëse ky sulm i mundshëm rus vjen deri te pika ku ne jemi, në front, atëherë me shumë gjasë të gjithë ne do të vritemi. Ai tha se ushtarët në front shërbejnë si mburojë, kështu që ata do të mposhteshin, por kjo do të mund të blinte kohë për vijën e ardhshme të mbrojtjes.
Nuk e kam menduar ndonjë plan për të ikur, nëse ndodh një sulm. Puna ime është të shkrep fotografi të çdo gjëje që ndodh, dhe mëtoj të qëndroj këtu në lindje.
Besoj se ka plane të ndryshme sulmi, por dyshoj që edhe Rusia vetë e di se cilin skenar do ta përdorte, nëse vërtet e ka ndërmend ta përdor ndonjërin. Kievi është më pak se 100 kilometra larg kufirit me Bjellorusinë.
Në verë kishte sulme artilerie, por tani po përdoren kryesisht vetëm armë të vogla – gjëra të vogla. Lufta duket e fjetur tani.
Andriy Dubchak: “Është tjetër atmosferë”
Tani, vija e frontit duket e qetë – vetëm luftime të zakonshme sporadike, por është një atmosferë tjetër në krahasim me disa javë më parë, kur njerëzit ishin apatikë karshi zërave për pushtim.
Njerëzit nuk e besonin këtë më parë. Atyre iu ngjasonte me situatën e grumbullimit të trupave dhe të armatimit në pranverë. Por, tani, edhe ushtarët, edhe civilët, pa dyshim se janë të ndikuar nga thashethemet për një sulm. Është zor të mos ndikohesh, me tërë ato lajme ‘online’ dhe në TV.
Së fundi, teksa po punoja në një treg në Mariupol, në të njëjtin vend që u bombardua rëndë nga sistemet raketore “Grad” më 2015, disa ‘babushka’ filluan të më bërtisnin. Ishte vërtet e befasishme, tregon për tensionin që po e ndiejnë njerëzit tani.
Vlera e hryvnia gjithashtu po bie, ndërsa çmimi i benzinës po rritet. Një ushtar më tha se është “lodhur duke pritur” për një pushtim rus, dhe se do të ishte “më mirë që të kishte filluar tashmë”. Ai mendonte se gjasat e një lufte të plotë janë 50 me 50.
Kam shikuar një gazetar të huaj teksa raportonte pranë një pike kontrolli, në periferinë e Mariupolit. Ai ishte i pajisur me jelek antiplumb dhe me helmetë balistike. Prapa tij, civilët po e bënin jetën e përditshme, dhe po e shikonin me interesim këtë “shfaqje”. Për disa, është budallallëk paksa.
Unë kam përvojë të madhe në lufta statike llogoresh, por, t’ju them të drejtën, nuk kam njohuri për konflikte të shpejta. Nëse ndodh një pushtim, unë do të jem aq afër luftimeve sa kam siguri, por kush e di se çfarë do të thotë kjo.
Një gazetar së fundi pyeti një ushtar pranë frontit: “A është sigurt këtu?”. Ushtari u hutua nga pyetja, më pas qeshi me zë, dhe u përgjigj: “Ky vend është tërësisht në mospërputhje me sigurinë”.
Përgatiti: Trim Haliti/REL