Menduam se shtëpitë do të shemben.
Banorët e Manastirit e kanë kaluar natën të frikësuar në rrugë, në vetura dhe shumë janë larguar nga qyteti pas tërmetit 5.5 ballë që ka tronditur shtëpitë dhe në shumë prej tyre kanë pasur dëme materiale. Nga tërmeti nuk ka të lënduar. Mëngjesin e sotëm në qytet ka ndodhur një tërmet i ri me magnitudë 2.8 ballë të shkallës Rihter.
Gjatë natës dhe mëngjesin e sotëm rajoni i Pellagonisë ka pasur mbi 30 tërmete më të vogla. Kryetari i Komunës së Manastirit Toni Konjanovski në një konferencë për media sqaroi se është caktuar mbledhja e shtabit të krizës, ku Këshilli Komunal do të propozojë formimin e komisionit për kompensim. Deri në orën 10 në numrin e urgjencës 195 ka pasur rreth 100 thirrje, qytetarët kanë raportuar për plasaritje të mureve dhe fasadave, të çara në shkallë, tavane të rëna, instalime elektrike dhe hidraulike të shkëputura.
Mbrëmë disa tërmete kanë goditur zonën rreth kufirit Maqedoni-Greqi, më i forti prej të cilëve ka qenë 5.5 ballë i shkallës Rihter dhe është ndjerë në veri të Greqisë dhe në rajon./TetovaNews