Nga Justin Sherman
“Atlantic Council”
Ndërsa bota po vëzhgon grumbullimin e trupave ruse përgjatë kufirit ukrainas, ushtria irlandeze është e shqetësuar për aktivitetin detar rus në afërsi të saj. Pikërisht atje do të zhvillohen stërvitjet ruse, duke rrezikuar seriozisht kabllot strategjike të komunikimit nënujor, të cilat përfaqësojnë një element të anashkaluar në rastin e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga pala ruse:një përpjekje për të “verbuar” botën ndaj ngjarjeve që po zhvillohen në Ukrainë.
E armatosur me një mori të sofistikuar aftësish kibernetike, qeveria ruse është mbështetur prej kohësh – edhe në krahasim me një fuqi kibernetike si Kina -tek sulmet shkatërruese që degradojnë apo shkatërrojnë sistemet, siç ishte ai që detyroi mbylljen e rrjeteve energjetike në Ukrainë në vitin 2015.
Për të mos përmendur rrjetin e madh të aktorëve, nga agjencitë shtetërore, kompanitë e mëdha, dhe rekrutimi i kriminelëve kibernetikë, të cilët kryejnë një sërë operacionesh kibernetike dhe një luftë informative kundër armiqve të regjimit të Putinit.
Por përdorimi i teknologjisë si një armë nga Rusia, nuk ka të bëjë vetëm me kodet dhe tastierat:nëse sulmuesit mund të dëmtojnë, shkatërrojnë apo thjesht ndërpresin energjinë në infrastrukturën fizike të internetit, siç janë kabllot nënujore, ato mund t`i ndërpresin komunikimet e internetit në një zonë specifike për të shkaktuar panik dhe trazira publike, për të sabotuar aktivitetin ekonomik dhe për të prishur rrjedhën e komunikimit të qeverisë dhe qytetarëve.
Kjo e fundit është tani një mundësi e veçantë, në rast se Rusia përshkallëzon veprimet e saj kundër Ukrainës. Këtë gjë e sugjeron dhe historia e kohëve të fundit. Kur Rusia pushtoi ilegalisht dhe aneksoi Krimenë në vitin 2014, një nga veprimet e saj të para ishte prerja e një kablloje nënujore që lidhte gadishullin me botën e jashtme.
Ndërprerja e internetit në Krime, i dha Kremlinit një tjetër levë ndikimi mbi rajonin, duke cunguar në këtë mënyrë aksesin ndaj informacionit në fazat e hershme të konfliktit të “zonës gri” (një term që përdoret për të treguar një konflikt që është ende nën pragun e një lufte).
Kjo tregon se Kremlini e njeh rëndësinë e dimensioneve fizike të kontrollit dhe imponimit në internet. Për shembull brenda vendit, regjimi i Putinit është i angazhuar fort për të ushtruar më shumë kontroll mbi infrastrukturën fizike të internetit, duke i detyruar kompanitë të instalojnë më shumë teknologji të mbikëqyrjes dhe filtrimit.
Dhe kur dështojnë ose janë të pamjaftueshëm mekanizmat dixhitalë të kontrollit, shteti irikthehet imponimit fizik të qytetarëve dhe punonjësve të huaj të teknologjisë. Dy dekadat e fundit të doktrinës ushtarake ruse, kanë treguar ndërkohë një theks në rritje mbi rëndësinë e softuerit, harduerit dhe kontrollit të informacionit në konfliktet moderne.
Ky këndvështrim nuk u ka shpëtuar as zyrtarëve perëndimorë. Kohët e fundit, kreu i forcave të armatosura të Britanisë së Madhe, paralajmëroi se aktiviteti detar rus mund të kërcënojë kabllot nënujore, duke i dhënë mundësi Moskës që të ndërpresë trafikun global të internetit.
Në krizën aktuale, vëzhguesit duhet të fokusohen tek kablloja e vetme nënujore që e transporton trafikun global të internetit direkt në Ukrainë:Kablloja që kalon në Ngushticën e Kerçit, e vendosur në vitin 2014 nga Rostelecom, kompania shtetërore ruse e telekomunikacionit.
Pas aneksimit, ofruesit e shërbimeve të internetit në Krime (ISP), filluan ta përdorin këtë kabllo për të drejtuar trafikun e internetit nëpërmjet Rusisë. Për shkak se ndikimi më i menjëhershëm i ndërprerjes së tij, do të ishte tek komunikimet përmes internetit brenda vetë Krimesë, Kremlini mund të ketë më pak gjasa që ta dëmtojë këtë kabllo.
Por në rast se përshkallëzohet përplasja për Ukrainën, Kremlini mund të mendojë se një veprim i tillë ia vlen të ndërmerret, sidomos nëse do të ndërpresë komunikimet e internetit edhe në pjesën tjetër të vendit. Në këtë skenar, asetet ushtarake dhe të inteligjencës ruse në Krime,nuk do të mund të kishin akses në internet.
Por në të njëjtën kohë, ky veprim mund të krijojë panik në pjesën tjetër të Ukrainës, dhe të kufizojë hapësirën vizive të komunitetit ndërkombëtar mbi veprimet e mëtejshme ruse, në përputhje me gatishmërinë e Kremlinit për të pranuar disa kosto në këmbim të pushtimit dhe kontrollit të dhunshëm mbi Ukrainën.
Trafiku i internetit në Ukrainë bartet gjithashtu përmes kabllove tokësore, siç janë linjat e komunikimit me fibra optike ndërkufitare. Ushtria ruse mund të dëmtojë fizikisht, të mbajë peng ose të ndërpresë energjinë në objektet e ofruesve të shërbimit të internetit (që u ofrojnë përdoruesve trafikun e internetit), si dhe pikat e shkëmbimit të internetit (të cilat shkëmbejnë trafikun midis ISP-ve).
Këta komponentë fizikë në Ukrainë, mbartin trafikun global të internetit, prandaj ndërprerja e tyre do të ndikonte në sferën ndërkombëtare, dhe do të detyronte një pjesë të trafikut të drejtohej rreth Ukrainës. Por efektet më të këqija, do të ndiheshin brenda vendit, pasi këta elementë shpërndajnë kryesisht trafikun e internetit për ukrainasit.
Në skenarin më të dëmshëm në nivel global, ushtria ruse mund të synojë të këpusë cilindo nga dhjetëra kabllot nënujore që lidhin pjesë të tjera të Evropës me internetin global, dhe që për rrjedhojë, mund të transportojnë trafikun që shkon drejt Ukrainës.
Për shembull, në zonën ku Rusia është gati të organizojë “stërvitje detare”, ndodhen 16 kabllo nënujore që prekin Irlandën, dhe këputja e tyre, që lidhen me Norvegjinë, Mbretërinë e Bashkuar, Islandën dhe Shtetet e Bashkuara, do të dëmtonte rrjedhën e trafikut global tëinternetit, dhe riparimi i tyre mund të kërkonte disa orë ose disa ditë.
Ky akt mund t’i shpërqendrojë shumë këto vende nga ngjarjet e tjera botërore. Krahas përgatitjes për operacionet kibernetike ruse kundër Ukrainës dhe vendeve të cilat presidenti rus Vladimir Putin i konsideron si pro-Ukrainës, Kievi dhe aleatët e tij duhet të përgatiten për shenjestrimin e mundshëm të kabllove të internetit. Moska e di se informacioni është jetik në një krizë, dhe se kontrolli apo ndërprerja e plotë e rrjedhës së tij mund t’i sigurojë avantazhe të rëndësishme strategjike.