Nismës ambicioze të Kinës Belt and Road, i bashkohet edhe Argjentina. Presidenti kinez, Xi Jinping, shfrytëzoi hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit për të takuar liderë të huaj, mes të cilëve edhe presidentin argjentinas, Alerto Fernandez.
Nënshkrimi i një memorandum mirëkuptimi mes Kinës dhe Argjentinës synon forcimin e marrëdhënieve dypalëshe politike dhe tregtare, si dhe çon përpara interest e Kinës në Amerikën Latin.
Megjithatë, themelet e marrëveshjes u hodhën nga administratat e mëparshme, duke përfshirë edhe paraardhësin e Fernandez, Mauricio Macri.
Qeveria e këtij të fundit ka kërkuar thellimin e marrëdhënieve ekonomike me Pekinin ndërkohë që po përballej me një sërë sprovash ekonomike të brendshme, të theksuara nga krizat e vazhdueshme të borxhit.
Ideja për t’u bërë pjesë e kësaj nisme doli në sipërfaqe në maj 2017. Në atë kohë, marrëdhëniet mes Argjentinës dhe Shteteve të Bashkuara nuk ishin në momentin më të mirë. Nën administratën e Donald Trump, Argjentina dhe Brazili ishin në shënjestër të tarifave amerikane të aluminit dhe çelikut.
Kur konflikti tregtar Kinë-SHBA u ashpërsua në vitin 2018, Argjentina u pa si një burim alternativ i tregtisë bujqësore dhe ushqimore, ndërsa Buenos Aires e konsideronte Kinën një burim financimi për industrinë dhe infrastrukturën. Interesat kineze lidhen gjithashtu me investimet në minierat e litiumit në Argjentinë, një zhvillim i rëndësishëm duke pasur parasysh kërkesën në rritje për këtë metal të butë për përdorim në bateritë e specializuara për automjetet elektrike.
Pavarësisht pauzave dhe pengesave në avancimin e nismës kineze, marrëveshja e Argjentinës për t’u bërë pjesë e saj është e fundit në një seri përfitimesh politike që Pekini ka grumbulluar në Amerikën Latine.
Forumi CELAC, i cili ka bashkuar ekonomitë e Amerikës Qendrore dhe Jugore me Pekinin që nga viti 2015. Gjithashtu këtë muaj, Kina dhe Ekuadori njoftuan nisjen e bisedimeve dypalëshe të tregtisë së lirë, ndërsa në fillim të vitit 2022 qeveria e Nikaraguas, pasi ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Taipein në dhjetor të vitit të kaluar, konfirmoi interesin e saj për zhvillimin e lidhjeve më të forta ekonomike kineze nëpërmjet nismës Belt and Road.
Këto zhvillime paraqesin sfida serioze për Uashingtonin, pasi ai kërkon të rifitojë ndikimin politik në Amerikën Latine pas disa vitesh neglizhencë diplomatike. Administrata Biden ka plane për të zgjeruar në rajon projektin e sapolindur të udhëhequr nga SHBA-ja Build Back Better World (B3W).
The Diplomat