Ballina Bota Foshnjat vdesin nga i ftohti në kampet e Sirisë të goditura nga...

Foshnjat vdesin nga i ftohti në kampet e Sirisë të goditura nga stuhia

Dy foshnja kanë vdekur nga i ftohti pasi bora e madhe dhe temperaturat e ulta goditën kampet e personave të zhvendosur në Sirinë veriperëndimore. Një zyrtar i OKB-së i tha agjencisë së lajmeve “AFP” se një vajzë shtatë ditëshe dhe një vajzë dy muajshe kishin vdekur në provincën Idlib. Rreth 2.8 milionë njerëz kanë kërkuar strehim në bastionin e opozitës pasi u larguan nga shtëpitë e tyre gjatë luftës civile dhjetëvjeçare të vendit.

Shumë jetojnë në tenda të vjetruara pa rroba të ngrohta dhe karburant për ngrohje. OKB-ja ka paralajmëruar se situata po përkeqësohet për shkak të një rënieje të rëndë ekonomike në Siri që ka parë dyfishimin e çmimeve të ushqimeve brenda një viti, si dhe mungesën e fondeve për të ofruar ndihmë dimërore dhe rritjen e nevojave. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se foshnjat, vdekja e të cilëve u raportua të martën kishin qëndruar në kampe në zonat al-Ziyara dhe al-Sheikh Bahr, në veri të qytetit Idlib raporton “BBC”.

Grupi i monitorimit me bazë në Mbretërinë e Bashkuar shtoi se një djalë një muajsh kishte vdekur gjithashtu për shkak të të ftohtit në një kamp në Jarablus, në provincën fqinje Aleppo më 23 janar. Një tjetër fëmijë humbi jetën ndërkohë në zonën Qastal Miqdad më 18 janar pasi bora shkaktoi shembjen e çatisë së çadrës ku ai jetonte me familjen e tij. Sipas OKB-së, 287 kampe për personat e zhvendosur në Idlib dhe Aleppo janë prekur nga reshjet e borës, përmbytjet dhe erërat e forta si rezultat i stuhive që goditën rajonin në datat 18, 19 dhe 25 janar.

Bora ka shkatërruar të paktën 935 tenda dhe ka dëmtuar më shumë se 9,500 të tjera. OKB tha se kishte pasur gjithashtu 68 zjarre në kampe që nga fillimi i vitit, të cilat kishin vrarë dy persona dhe plagosën 24 të tjerë. Shumica e flakëve u ndezën nga ngrohja e sobave. Drejtoresha e reagimit të Save the Children’s Siria, Sonia Khush, tha se ishte “e pakuptueshme që ndonjë fëmijë të përballet me dimrin i frikësuar për jetën e tij”.

“Pothuajse 11 vjet pasi filloi kriza në Siri, duket sikur bota ka harruar fëmijët në Sirinë veriperëndimore,” shtoi ajo. “Këto vdekje të shmangshme dhe tragjike janë një shembull i tmerrshëm se si fëmijët kanë nevojë urgjente për më shumë mbështetje humanitare. Ata gjithashtu kanë nevojë për një zgjidhje të qëndrueshme dhe paqësore të konfliktit të Sirisë”.  / abcnews.al