Më 4 shkurt, Parlamenti i Malit të Zi do të vendosë për shkurtimin e mandatit të Kuvendit me kërkesën e kryeministrit Zdravko Krivokapiq, e më pas për mosbesimin e Qeverisë së Krivokapiqit të propozuar nga Lëvizja Qytetare URA e zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq dhe partisë opozitare të udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit aktual, Milo Gjukanoviq.
Nëse Parlamenti mbështet shkurtimin e mandatit të Kuvendit, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, do të duhej të shpallte menjëherë zgjedhje të parakohshme parlamentare, deri në të cilat Qeveria e Krivokapiqit do ta mbante pushtetin në mandatin teknik.
Shkurtimin e mandatit të Kuvendit e ka mbështetur vetëm Fronti Demokratik dhe Demokratët e Aleksa Beçiqit, të cilët së bashku nuk kanë një numër të mjaftueshëm deputetësh për të votuar këtë nismë.
Në rast se Kuvendi e voton mosbesimin ndaj Qeverisë së Krivokapiqit, ky do të jetë një fillim i negociatave për formimin e qeverisë së re.
Nisma për rrëzimin e Qeverisë është nënshkruar nga partitë e opozitës dhe Lëvizja Qytetare URA, të cilat kanë shumicën prej 44 deputetësh nga gjithsej 81 deutetë në Kuvend.
Epilogu i krizës politike
Votimi i propozimeve të përmendura paraqet epilogun e krizës politike që nga formimi i Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit, më 4 dhjetor 2020.
Qeveria e Krivokapiqit, e afërt me Kishën Ortodokse Serbe, u zgjodh me votat e tri koalicioneve fituese të kryesuara nga Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA në zgjedhjet e 30 gushtit 2020.
Qeveria qysh në fillim nuk e ka pasur mbështetjen e plotë të shumicës parlamentare në Kuvend, kurse konfliktet më të mëdha kanë shpërthyer në mes të kryeministrit Krivokapiq dhe Frontit Demokratik, një pjesë e partive në pushtet disa muaj e ka bojkotuar punën e Kuvendit, kurse muajt e fundit ka ardhur edhe deri te ndarja në mesin e ministrave, atyre besnikë të kryeministrit Krivokapiq apo të zëvendëskryeministrit Abazoviq.
Në deklaratën e tij të fundit publike më 3 shkurt, kryeministri Krivokapiq tha se është i vetëdijshëm se nuk do të jetë më kryeministër dhe se Qeveria e tij do të rrëzohet.
Ai akuzoi zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviq se kishte planifikuar të rrëzonte Qeverinë shumë kohë më parë dhe se presidenti malazez, Milo Gjukanoviq është gjithashtu pjesëmarrës në këto marrëveshje.
Nga ana tjetër, Abazoviq ka thënë se pas rënies së Qeverisë së Krivokapiqit do të fillojnë bisedimet për formimin e një pushteti të ri ekzekutiv dhe se ka disa opsione, duke përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme.
Të pakënaqura me nismën për rrëzimin e Qeverisë, disa parti politike dhe organizata të afërta me Kishën Ortodokse Serbe kanë nisur protesta në rrugë duke kërkuar që partitë e shumicës aktuale parlamentare të arrijnë marrëveshje për formimin e qeverisë së re.
Zëvendëskryeministri dhe koordinatori i shërbimeve të sigurisë, Dritan Abazoviq, tha se gjendja e sigurisë në Mal të Zi është e rregullt. /REL