Nga Erisa Zykaj
Të 27 ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian kanë arritur marrëveshje unanime lidhur me një paketë të parë sanksioneve kundër Rusisë, pas orëve të gjata të negociatave me shtetet anëtare dhe institucionet europiane dhe në bashkëpunim me SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë. Sipas shefit tê diplomacisë europiane, Josep Borrel, kjo paketë saknsionesh do ta godasë fort Rusinë.
Lexo edhe:ABC në komunitetin e shqiptarëve në Ukrainë: Nëse ka luftë, do t’i dalim në ballë
Paketa përmban sanksione individuale për 351 deputetë të Dumas (parlamentit rus), që votuan pro këtij dhunimi të ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Në shënjestër janë gjithashtu edhe 27 individë përgjegjës politikë, të entiteteve që po cënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Ka sanksione edhe kundër personave përgjegjës për mbështetjen financiare të këtyre entiteteve, që përfitojnë prej tyre dhe ushtarakë që kanë luajtur rol në pushtimin dhe destabilizimin e dy entiteteve separatise, si dhe ata që kanë punuar për dezinformimin e Ukrainës. Por në gjirin e sanksioneve, janë dhe ato që shënjestrojnë sektorin bankar dhe tregtar, siç e artikulon edhe Josep Borrel.
Josep Borrel Fontelles, shefi i diplomacisë europiane:
“Ne kemi saksione kundër bankave që financojnë vendimarrësit rusë për operacionet në këto territore. Ne gjithashtu kemi vendosur sanksione ekonomike midis dy territoreve dhe Bashkimit Europian, ekzaktësisht siç kemi bërë në rastin e Krimesë, në mënyrë që përgjegjësit të ndjejnë pasojat ekonomike të akteve të tyre ilegale dhe agresive. Gjithashtu, ne kemi kufizuar kapacitetin e shtetit rus dhe qeverisë ruse për aksesin në tregun financiar dhe tregun e shërbimeve dhe atë të kapitaleve, duke kufizuar financimit e politikave të tyre përmes kufizimit të aksesit të borxhit sovran në tregjet tona financiare. Në këtë paketë bën pjesë edhe masa e marrë nga Gjermania, të cilën e falenderojmë që kontribuoi në unitetin tonë me pezullimin e gazësjellësit NordStream 2”.
Ministri i i punëve të jashtme të Francës, Jean-Yves le Drian ka treguar se pavarësisht rreptësisë së sanksioneve europiane, ka gjithnjë një portë të hapur për diplomacinë:
Jean-Yves Le Drian, minister i punëve të jashtme të Francës
“ Pavarësisht rreptësisë së sanksioneve europiane, ka gjithnjë një portë të hapur për diplomacinë. Të gjitha përpjekjet diplomatike që janë përsëritur kohët e fundit janë përballur me një mur dhe dekrata të papranueshme nga ana ruse, ku presidenti rus mohon në një farë mënyre ekzistencën e Ukrainës. Ka një solidaritet midis nesh, një vullnet të fortë, angazhime të vërteta dhe sanksione të rënda, por gjithashtu edhe sanksione rezervë nëse Rusia ka qëllimin për të shkuar më tutje. Rusia nuk i nderon më marrëveshjet që ka nënshkruar më parë, madje presidenti Putin nuk nderon më as angazhimet e tij, pasi Putin kishte deklaruar paraprakisht se votimi për dy territoret separatist në Duma nuk ishte në rendin e ditës.”
Shefi i diplomacisë europiane, Josep Borell êshtë shprehur i gatshëm për t’i prezantuar ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian një zgjerim të listës së sanksioneve për oligarkët rusë.Ndërkohë, përballja tjetër e rëndësishme sipas ministrit të jashtëm francez do jetë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pasi Kina mbështet Rusinë për njohjen e Doneskut dhe Luhanskut./abcnews.al/