Sërgjan Jankoviq Evropa e lire
Kuvendi i Malit të Zi votoi mocionin e mosbesimit për Qeverinë e kryeministrit Zdravko Krivokapiq – me çka merr fund mandati i kësaj qeverie.
Për shkarkimin votuan 43 deputetë, ndërsa kundër ishin 11.
Nga 81 deputetë, 54 votuan.
Për rrëzimin e Qeverisë votuan të gjitha partitë opozitare, të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit, dhe partitë e koalicionit të deritashëm, Lëvizja Qytetare URA dhe Civis.
Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, Qeveria e Krivokapiqit do të vazhdojë të punojë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.
Votimi i mosbesimit i hap rrugë procesit të negociatave për formimin e Qeverisë së re.
Qeveria e Krivokapiqit, e afërt me Kishën Ortodokse Serbe, u zgjodh më 4 dhjetor të vitit 2020, me votat e Frontit Demokratik pro-serb, të Demokratëve dhe të Lëvizjes Qytetare URA.
Këto parti mposhtën Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) në zgjedhjet e gushtit të atij viti.
Por, prejse është formuar në dhjetor të 2020-ës, kabineti i Krivokapiqit është përshkuar me grindje midis partnerëve të koalicionit – atyre pro-serbë dhe pro-evropianë – gjë që ka çuar në tkurrjen e mbështetjes publike për të.
Mocioni i mosbesimit është iniciuar nga URA, udhëheqës i së cilës është zëvendëskryeministri i deritashëm, Dritan Abazoviq.
Dorëzohet mocioni për rrëzimin e Qeverisë së Krivokapiqit
Më herët, Demokratët – që ishin pjesë e koalicionit të deritashëm – reaguan ashpër ndaj nismës për rrëzimin e Qeverisë së Krivokapiqit, kryesisht për faktin se nisma do të votohej me votat e opozitës.
Boris Bogdanoviq, nga Demokratët, e cilësoi iniciativën si tradhti:
“Ata që premtojnë një gjë, bëjnë një tjetër dhe përfundojnë me DPS-në… Ne nuk kemi mesazh tjetër, përveçse tradhti”.
Kuvendi i Malit të Zi, gjatë ditës së premte, refuzoi të diskutojë propozimin e Krivokapiqit për shkurtimin e mandatit të legjislativit.
Shumica e deputetëve abstenuan gjatë votimit, për të mos e futur atë pikë në rend dite.
Nga 77 deputetë, vetëm 29 votuan për debatin për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, kryesisht ata nga Fronti Demokratik dhe Mali i Zi Demokratik, kurse abstenuan kryesisht deputetët nga opozita.
Synimi i Krivokapiqit ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në rast të shkurtimit të mandatit të Kuvendit.
Epilogu i krizës politike
Votimi i mocionit të mosbesimit paraqet epilogun e krizës politike që nga formimi i Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit, më 4 dhjetor, 2020.
Qeveria, qysh në fillim, nuk e ka pasur mbështetjen e plotë të shumicës parlamentare në Kuvend, kurse konfliktet më të mëdha kanë shpërthyer në mes të Krivokapiqit dhe Frontit Demokratik.
Një pjesë e partive në pushtet për disa muaj e ka bojkotuar punën e Kuvendit, kurse muajt e fundit ka ardhur edhe deri te ndarja në mesin e ministrave – atyre besnikë të kryeministrit Krivokapiq dhe të zëvendëskryeministrit Abazoviq.
Në deklaratën e tij të fundit publike më 3 shkurt, Krivokapiq ka thënë se është i vetëdijshëm se nuk do të jetë më kryeministër dhe se Qeveria e tij do të rrëzohet.
Ai ka akuzuar zëvendëskryeministrin Abazoviq se kishte planifikuar të rrëzonte Qeverinë shumë kohë më parë dhe se presidenti malazez, Millo Gjukanoviq, është gjithashtu pjesëmarrës në këto marrëveshje.
Nga ana tjetër, Abazoviq ka thënë se pas rënies së Qeverisë së Krivokapiqit do të fillojnë bisedimet për formimin e një pushteti të ri ekzekutiv dhe se ka disa opsione, duke përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme.
Të pakënaqura me nismën për rrëzimin e Qeverisë, disa parti politike dhe organizata të afërta me Kishën Ortodokse Serbe kanë nisur protesta në rrugë, duke kërkuar që partitë e shumicës së deritashme parlamentare të arrijnë marrëveshje për formimin e Qeverisë së re.
Zëvendëskryeministri dhe koordinatori i shërbimeve të sigurisë, Dritan Abazoviq, ka thënë se situata e sigurisë në Mal të Zi është e qetë.