Ballina Bota OBSH thirrje vendeve të pasura: Paguani 16 miliardë dollarë për t’i dhënë...

OBSH thirrje vendeve të pasura: Paguani 16 miliardë dollarë për t’i dhënë fund pandemisë

Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje vendeve të pasura që të paguajnë urgjentisht 16 miliardë dollarë, për të financuar programin e saj për të luftuar pandeminë e koronavirusit, shkruan euronews

“Shkenca na ka dhënë mjetet për të luftuar pandeminë, nëse ato ndahen në mbarë botën në mënyrë të barabartë, ne mund t’i japim fund këtë vit urgjencës globale shëndetësore të shkaktuar nga COVID-19,” tha drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tandos Adanom Gebregesous.

“Nëse vendet me të ardhura të larta paguajnë pjesën e tyre, ky program “mund të ndihmojë vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të kapërcejnë normat e ulëta të vaksinimit kundër COVID-19, testet e pakta dhe mungesën e ilaçeve”, theksoi Gebregesous.

ACT-A, programi për të përshpejtuar aksesin në mjetet kundër COVID-19, është një mekanizëm i krijuar nga agjencitë kryesore ndërkombëtare shëndetësore, si dhe nga Banka Botërore dhe Fondacioni Bill & Melinda Gates, raporton abcnews.al

Një nga aspektet e tij është sistemi COVAX, i cili u krijua në fillim të pandemisë, në përpjekje për të garantuar akses të barabartë të vaksinave në të gjithë botën. ACT-A kërkoi rreth 23.4 miliardë dollarë për periudhën tetor 2021 – shtator 2022, por deri më tani janë mbledhur vetëm 800 milion dollarë.

Prandaj, programi kërkon 16 miliardë dollarë nga vendet e pasura “për të mbushur boshllëkun e menjëhershëm të financimit”, ndërsa pjesa tjetër pritet të vijë nga vetëfinancimi i vendeve me të ardhura mesatare.

/abcnews.al