Ballina Bota Putin: Kërkesat e Rusisë u injoruan (VIDEO)

Putin: Kërkesat e Rusisë u injoruan (VIDEO)

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se shqetësimet e vendit të tij për sigurinë janë injoruar nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja.

Duke folur të martën në Moskë, Putin tha se Kremlini “po i analizonte me kujdes përgjigjet me shkrim, të marra nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja”, por shtoi se “është e qartë se shqetësimet themelore të Rusisë përfunduan duke u injoruar”.

“Shpresoj se përfundimisht do të gjejmë zgjidhje, por e dimë se nuk do të jetë e lehtë”, tha Putin.

Këto janë ndër komentet e para publike të Putinit, pas intensifikimit të krizës midis Rusisë dhe Ukrainës.

Rusia, tash e sa javë, ka grumbulluar mbi 100,000 trupa pranë kufijve me Ukrainën.

Sipas informacioneve të inteligjencës perëndimore, trupat janë vendosur në distancë sulmi.

Në Perëndim shprehen të shqetësuar se Moska po përgatitet për pushtimin e Ukrainës, por Kremlini e mohon.

Rusia ka kërkuar garanci – ligjërisht të detyrueshme – nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja se Ukraina nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO, se NATO-ja do të ndalojë vendosjen e sistemeve të armëve pranë kufijve rusë dhe se forcat e saj do të tërhiqen nga Evropa Lindore.

Shtetet e Bashkuara e hodhën poshtë kërkesën e Rusisë për të ndaluar anëtarësimin e Ukrainës në NATO, por ofruan “rrugë të re diplomatike” për të dalë nga kriza.

“Ne nuk pamë një vlerësim adekuat të tri kërkesave tona kryesore, në lidhje me parandalimin e zgjerimit të NATO-s”, tha Putin.

“Kur i shpërfillin shqetësimet tona, SHBA-ja dhe NATO-ja u japin të drejtën shteteve për të zgjedhur lirisht se si ta garantojnë sigurinë e tyre”, shtoi Putin.

Ai i bëri komentet gjatë një konference të përbashkët shtypi me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, në Moskë.

“Sot u binda se dallimet ekzistuese në pozicione, mund të tejkalohen. Dhe, është e mundur të nënshkruhet një marrëveshje që do të garantonte paqen, do të garantonte sigurinë e Rusisë dhe do të ishte e pranueshme edhe për vendet anëtare të NATO-s”, tha Orban.

https://youtu.be/JJZjcMht780