Shtrenjtimi i artikujve ushqimorë ka alarmuar qytetarët e Greqisë, të cilët po ankohen se e kanë të vështirë të përballojnë çmimet e kripura. Rritja e kostove të energjisë e ka çuar inflacionin në nivele rekord duke bërë që të ketë një rritje drastike të çmimeve në këto tregje fruta-perimesh, që gjenden në çdo lagje greke. Sipas autoriteteve greke çmimet janë rritur nga 20 në 50% për produkte të caktuara.
“Çmimet e larta po na çmendin. Unë marr 400 Euro në muaj por edhe këtë po e shkurtojnë, si mund të jetojë njeriu?”
Që nga Shtatori, qeveria ka shpenzuar më shumë se 2 miliardë Euro për të subvencionuar faturat e energjisë elektrike dhe gazit për familjet, bizneset dhe fermerët.
Por pavarësisht ndihmës financiare nga qeveria, federata greke e konsumatorëve INKA thotë se masat nuk shkojnë aq larg sa të lehtësojnë familjet, veçanërisht për ata me të ardhura të ulëta. Ky institucion bën thirrje për më shumë ulje të taksave dhe tarifave të karburantit.
“Ne po marrim ankesa nga konsumatorët për faturat e kripura të energjisë, qofshin ato nga kompania publike e energjisë ose nga një ofrues tjetër. Është një problem madhor, ata nuk dinë si ta përballojnë këtë”.
Që nga java e kaluar fermerët në Greqinë qendrore kanë parkuar qindra traktorë në autostradën kombëtare, për të kërkuar më shumë ndihmë nga shteti për rritjen e kostove të energjisë, të cilat i kanë rritur kostot e prodhimit të tyre deri në 50%. Greqia është e panjohur për problemet financiare. Në vitin 2010, vendi u godit nga një krizë financiare dhjetëvjeçare.