Nga Simon Tisdall “The Guardian”
Nëse siç po duket si gjithmonë e më e mundshme, Rusia vendos të mos nisë një pushtim të gjithanshëm të Ukrainës, politikanët amerikanë dhe britanikë, të cilët i kanë kaluar javët e fundit duke e trembur publikun me Apokalipsin e afërt, do të kenë disa shpjegime për të bërë.
Grumbullimi i trupave ushtarake ruse në kufi me Ukrainën nga ana e Vladimir Putin, është diçka reale. Por po rritet dyshimi se kërcënimi aktual, i krahasuar me kërcënimin hipotetik të një sulmi konvencional në shkallë të gjerë po keq-lexohet, keq-interpretohet, po mbivlerësohet ose po ekzagjerohet qëllimisht .
Dhe nuk do të ishte hera e parë. Kjo pikëpamje ndahet pjesërisht nga udhëheqësi i Ukrainës, Volodimir Zelenski, që i kërkoi javën e kaluar presidentit amerikan, Xho Bajden, të ndalonte së sugjeruari se pushtimi rus ishte “i afërt”. Diskursi i ashpër amerikan për një luftë të afërt, po e dëmton vendin e tij, dhe po ngjall panik tek qytetarët, tha ai.
Duke folur me tone kritike kundër “profecive vetëpërmbushëse”, edhe presidenti francez Emanuel Makron, po përpiqet të zbusë tonet e palëve. Ai dhe kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Sholc, që ka refuzuar t’i bashkohet “luftëtarëve nga kolltuku”, mund të takohen së shpejti në Moskë me Putinin.
Alarmi u dha që në fund të janarit, kur zyrtarët e inteligjencës britanike informuan në mënyrë anonime, se pushtimi mund të ishte “2-3 javë larg”. Ai vlerësim i bëri jehonë parashikimeve alarmante të SHBA-së për një konflikt që mund të “shpërthejë në çdo kohë”.
Tashmë është duke u zhvilluar një luftë e furishme kundër së vërtetës. Rusia pretendon se mercenarët amerikanë janë tashmë aktivë në Ukrainë. Ndërkohë Ministrja e Jashtme britanike, Liz Truss, ngriti pretendime të dyshimta për një komplot për të rrëzuar Zelenskin nga pushteti.
Ndërkohë Uashingtoni thotë se një video e rreme, që nuk është parë ende nga askush, tregon një sulm të organizuar ndaj forcave ruse. Ndërsa kryeministri britanik Boris Xhonson, paralajmëroi një goditje “të rrufeshme”, Bajden foli me terma mesianikë për një konflikt “që do të ndryshojë botën” , duke filluar nga ky muaj.
Ata mund të kenë ende të drejtë. Por shkurti ka ardhur, dhe nuk ka ende një luftë. Ndërsa Bajden dërgoi fundjavës që shkoi Divizionin e 82-të Ajror në Evropën Lindore, Putini po relaksohet me “mikun e tij të dashur”, Presidentin Xi Jinping, në Lojërat Olimpike dimërore në Pekin, pra jo vendi i duhur nga i cili ai mund të kordinojë një sulm të rrufeshëm.
Duke sulmuar “histerinë perëndimore”, Kremlini mohon çdo qëllim për të pushtuar vendin fqinj. Putin deklaroi javën e kaluar se shpreson që “dialogu” të ketë sukses, edhe pse refuzoi të tërhiqte forcat e tij nga kufiri. Putini nuk është një njeri që i duhet zënë besë.
Arsyetimi i tij është i shtrembëruar, mjeshtëria e tij famëkeqe, dhe instinktet e tij janë brutale. Por duket se atij i është lejuar një moment relaksi nga përgjigja e ethshme e SHBA-së. Ai duket tani i fokusuar në nxjerrjen e avantazheve diplomatike maksimale, pra lëshime për sigurinë evropiane, NATO- n, dhe vendosjet e reja të raketave amerikane me rreze të mesme veprimi.
Ndërkohë Putin i ka dhënë një goditje të fortë “kukullave të Perëndimit” në Kiev, dhe ky mund të ketë qenë ndoshta plani i tij i lojës gjatë gjithë kohës. Nëse kjo luftë e rreme përfundon pa shumë bujë, Xhonson dhe mini-Çërçillët e tjerë do të shpallin fitoren, duke thënë se u përballën me agresionin rus.
Udhëheqësit evropianë do të argumentojnë se diplomacia dha frytet e veta. Megjithatë, njerëzit e lehtësuar anembanë Evropës, që u bombarduan çdo ditë me parashikime apokaliptike, do të kenë të drejtë të pyesin:për çfarë ishte në fakt e gjithë kjo?
A ishte sërish faji i informacioneve të gabuara nga shërbimet sekrete? Me pak fjalë, përgjigja është Kina. Është e vërtetë që Bajden e mbështet fuqishëm NATO-n, e cila nga ana e saj mbështet interesat e SHBA-së në Evropë. Por është po ashtu e vërtetë, se si një veteran i Luftës së Ftohtë, instinkti i tij është të mbështesë demokracinë dhe lirinë në vendet e kërcënuara nga Moska.
Por deri më sot, shtysa kryesore dhe më emergjente e politikës së tij të jashtme, është fokusuar në rajonin e Indo-Paqësorit, dhe sidomos ndaj sfidueses më të madhe të Amerikës, Kinës, dhe jo në Evropë.
Prandaj kur SHBA-ja u përball me një sulm të mundshëm ndaj një kombi sovran, pasojat rrëqethëse për Tajvanin dhe territoret e tjera të synuara të Pekinit, u bënë shpejt një element qendror në përllogaritjet e Shtëpisë së Bardhë. Tajvani nuk është një luftë që SHBA-ja do ta fitonte domosdoshmërisht.
Dhe nuk është as një luftë që Bajden dëshiron ta bëjë. Por Bajden e di se çdo shenjë dobësie në raport me Ukrainën, mund të lexohet në Pekin si tregues i një dobësisë fatale ndaj Tajvanit. Kur ai përmend kërcënimet “për ndryshimin e botës”, presidenti amerikane po flet kryesisht për këtë garë të përshpejtuar dhe të pakufishme të shekullit XXI-të ndaj Kinës.
Në një botë të globalizuar, pak ose aspak konflikte ndodhin të izoluara. Në këtë kuptim, Ukraina është një përleshje e hershme në atë që historianët mund ta shohin një ditë si një luftë të re 100-vjeçare. Kazakistani i trazuar, ku Putini vendosi së fundmi trupa me bekimin e Pekinit, është një vijë tjetër e frontit. Të tjerat përfshijnë zona të konflikteve potenciale ose aktuale nga republikat baltike dhe Bjellorusia në Libi, Siri, Mianmar, kufirin Indian, Xinjiang dhe Detin e Kinës Jugore.
Kina dhe Rusia, po shkojnë drejt një aleance gjithnjë e më të ngushtë. Udhëheqësit e tyre ndajnë të njëjtën ideologji postkomuniste, autoritare, nacionaliste. Që të dyja e shohin SHBA-në si kampionin e një sistemi ndërkombëtar, demokratik, dhe të bazuar në rregulla të cilat ata duan t’i rrëzojnë.
Që të dyja këto vende besojnë se Amerika është në një rënie përfundimtare. Edhe para përpjekjes së kësaj fundjave, Putin dhe Xi kishin krijuar një front të përbashkët për t’i rezistuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë mbi Ukrainën dhe Kinën për shtypjen e lirive në Hong Kong dhe për gjenocidin ndaj ujgurëve.
Tani bashkëpunimi po forcohet më tej. Ndërsa bashkëpunimi ushtarak dhe tregtia po rriten me shpejtësi, marrëveshjet e reja për furnizimet me gazin rus të Kinës, klientja më e madhe e energjisë ruse, janë po ashtu gati të nënshkruhen. Një traktat i mbrojtjes reciproke, si ai i NATO-s, mund të mos jetë i largët.
Lindja e aksit Kinë-Rusi, i konceptuar në kundërshtim me demokracitë perëndimore të udhëhequra nga SHBA, është zhvillimi strategjik më domethënës globalisht që nga shembja e Bashkimit Sovjetik 30 vjet më parë. Ai do të diktojë edhe epokën e ardhshme.
Frika nga ajo që mund të bëjë Kina, ndihmon në shpjegimin e reagimit të furishëm, dhe ndonjëherë hiperbolik të Bajdenit ndaj rrethimit rus të Ukrainës.
Është e rëndësishme t’i tregohet Putinit, se ngacmimi i tij nuk funksionon. Por në thelb kjo krizë, nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën apo edhe Evropën. Ajo ka të bëjë me të gjithë botën e re të frikshme, të kontestuar dhe kaotike që na pret.(CNA.al)