Ballina Bota ANALIZA: Pse Shtetet e Bashkuara dhe Anglia po frenojnë armëpushimin në Ukrainë,...

ANALIZA: Pse Shtetet e Bashkuara dhe Anglia po frenojnë armëpushimin në Ukrainë, ndryshe nga vendet e Bashkimit Evropian

Burime të inteligjencës britanike edhe pse në anonimitet kanë shprehur qartë mendimin e tyre lidhur me bisedimet Kiev-Moskë, duke thënë se Putin nuk është serioz dhe gjithçka që bën janë manovra për të fituar kohë.

“Ne jemi shumë të kujdesshëm për bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, sepse asgjë që kemi parë deri më tani nuk na ka treguar se Putini dhe kolegët e tij janë veçanërisht seriozë. Më shumë është si një manovër devijuese për të blerë kohë”. Një skepticizëm që theksohet shumë në fjalët e ministrit britanik të Mbrojtjes, Ben Wallace, i cili ka nënvizuar se Rusia duhet të gjykohet për veprimet dhe jo fjalët e saj.

“Ne nuk kemi lindur dje. Rusia duhet të gjykohet nga veprimet e saj, jo nga fjalët e saj, sepse ka një ndryshim mes të dyjave”, ka thënë ai.

Madje edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka deklaruar se nuk sheh asgjë në negociatat në vazhdim që do të mund të sillte përparim në një mënyrë konstruktive.

Shkurtimisht, ekziston një bosht anglo-amerikan (Britani e Madhe dhe SHBA) që pothuajse duket se po ecën kundër negociatave! Përkundrazi, sheh si një objektiv strategjik jo dhe aq fundin e luftës sesa humbjen e Rusisë në fushë.

Dhe në të vërtetë Boris Johnson ka njoftuar se Londra do të furnizojë Kievin me armë “edhe më vdekjeprurëse”, ndërsa shefi i Shtabit, Admirali Sir Tony Radakin, shtoi se Britania po shkon drejt “një faze të re” në mbështetjen e saj ushtarake ndaj Ukrainës.

Bindja e qeverisë së Londrës është se, ndërsa forcat e Kievit kanë arritur të kundërsulmojnë dhe po i detyrojnë rusët të tërhiqen, natyra e mbështetjes perëndimore duhet të ndryshojë sipas skenarit të ri: ideja është të sigurohen raketa me rreze të gjatë dhe artileri të rëndë, që të bëhet i mundur dëbimi i ushtritë e Putinit edhe nga lindja e vendit.

Dhe Johnson do të donte deri aty që amerikanët të dërgonin raketa më të avancuara kundër anijeve dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

“Ne po shqyrtojmë të gjitha opsionet e mundshme”, tha një zëdhënës i Downing Street.

Filozofia pas kësaj qasjeje u shpreh nga Times, e cila shkroi në editorialin e mëngjesit të sotëm se “rruga më e sigurt për një zgjidhje të pranueshme është që Ukraina të mbizotërojë ushtarakisht mbi Rusinë: Perëndimi nuk duhet të joshet nga fjalimet e Moskës për marrëveshjet e paqes”, por t’i sigurojë Kievit mjetet për të përfunduar punën”.

Me fjalë të tjera, lufta duhet të vazhdojë derisa Ukraina të fitojë.

Megjithatë, kjo është një linjë me të cilën nuk janë dakord evropianët, të cilët përpiqen të mbajnë një kanal të hapur me Kremlinin!

Dhe në fakt nga Londra ka frikë se Franca dhe Gjermania mund të kërkojnë të lehtësojnë presionin ndaj Rusisë, ndoshta duke lehtësuar sanksionet sapo Putin të sinjalizojë gatishmërinë e tij për të mos zgjeruar më tej synimet e tij territoriale.

Është një divergjencë, kjo brenda kampit perëndimor, që deri më tani është maskuar me deklarata unitare: por që rrezikon të bëhet gjithnjë e më e dukshme me kalimin e ditëve. Ndërsa Ukraina vazhdon të rrjedh gjak. / Il Corriere della Sera, përshtati në shqip Shqiptarja.com