Ballina Bota Cilat janë sanksionet e vendosura ndaj Rusisë dhe si ka reaguar ajo?

Cilat janë sanksionet e vendosura ndaj Rusisë dhe si ka reaguar ajo?

SHBA-ja dhe Britania e Madhe po ndalojnë naftën ruse, ndërsa BE-ja është zotuar t’i japë fund varësisë së saj nga gazi rus. Gjithnjë e më shumë po shihen përshkallëzime sanksionesh të vendosura nga fuqitë perëndimore që kur presidenti Putin pushtoi Ukrainën. Si përgjigje, Rusia ka ndaluar eksportin e një numri produktesh të prodhuara nga jashtë.

Çfarë janë sanksionet?

Sanksionet janë dënime të vendosura nga një vend ndaj një tjetri, për të ndaluar atë të veprojë në mënyrë agresive ose të shkelë ligjin ndërkombëtar. Masat janë krijuar për të dëmtuar ekonominë e një vendi, ose financat e qytetarëve individualë, si politikanë dhe drejtues biznesi. Këto veprime konsiderohen si masat më ekstreme që kombet mund të ndërmarrin, pa shkuar në luftë.

Çfarë u vendos për ndalimin e naftës dhe gazit rus?

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka ndaluar të gjitha importet e naftës dhe gazit rus. Mbretëria e Bashkuar, gjithashtu, ka vendosur të ndalojë gradualisht importet e naftës ruse, deri në fund të vitit 2022. BE-ja aktualisht importon një të katërtën e naftës dhe 40% të gazit të saj nga Rusia, kështu që nuk ka shpallur ende një ndalim total. Mirëpo, Komisioni Europian deklaron se po përpiqet të gjejë furnizime alternative, për ta bërë Europën të pavarur nga energjia ruse para vitit 2030. Gjermania kishte pezulluar tashmë lejen për hapjen e gazsjellësit Nord Stream 2 nga Rusia.

Çfarë sanksionesh ka vendosur Perëndimi?

Vendet Perëndimore kanë ngrirë asetet e Bankës Qendrore të Rusisë, duke kufizuar aftësinë e saj për të aksesuar 630 miliardë dollarë (470 miliardë £) të rezervave të saj në dollarë. Ajo është pezulluar gjithashtu nga Organizata e Bankave Qendrore. SHBA-ja, BE-ja dhe Britania e Madhe i kanë ndaluar njerëzit dhe bizneset që të merren me Bankën Qendrore të Rusisë dhe me Ministrinë e saj të Financave. Bankat ruse po hiqen gjithashtu nga sistemi ndërkombëtar Swift.

SWIFT (Shoqëria për Telekomunikacionin Financiar Ndërbankar Botëror) është një platformë komunikimi e sigurt e përdorur nga bankat, ndërmjetësuesit e bankave dhe institucionet financiare për të dërguar dhe pranuar informacione, si udhëzime për transferimin e parave jashtë vendit apo për tregtimin e letrave me vlerë.

Cilat janë sanksionet e vendosura nga Mbretëria e Bashkuar

1.Përjashtimi i bankave ruse nga sistemi financiar i Mbretërisë së Bashkuar, duke i ndaluar ato të aksesojnë sterlinën ose të bëjnë pagesa.

2.Të gjitha bankat ruse do të kenë asetet e tyre të ngrira.

3.Shteti rus dhe kompanitë e mëdha, nuk do të jenë në gjendje të mbledhin financa ose të huazojnë para në Mbretërinë e Bashkuar.

4.Do të vendoset një kufi për depozitat që rusët mund të krijojnë në bankat e Mbretërisë së Bashkuar.

Sanksione individuale

Qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar, BE-së dhe SHBA-së, kanë vendosur sanksione edhe ndaj udhëheqësve ose biznesmenëve miliarderë. Pasuritë që i përkasin presidentit rus Vladimir Putin dhe ministrit të tij të Jashtëm, Sergei Lavrov, të cilat mbahen në SHBA, BE, Britani e Madhe dhe Kanada, do të ngrihen.

Mbretëria e Bashkuar ka sanksionuar shtatë miliarderë rusë – përfshirë pronarin e Chelsea FC, Roman Abramovich – duke ngrirë asetet e tyre dhe duke iu kufizuar mundësinë për të udhëtuar. SHBA-ja ka përpiluar gjithashtu një listë të ngjashme oligarkësh dhe zyrtarësh, që përfshin edhe manjatin Alisher Usmanov.

SHBA-ja dhe Perëndimi kanë vendosur të kufizojnë dërgimin e një sërë produktesh në Rusi. Këto produkte përfshijnë mallra me përdorim të dyfishtë – artikuj që mund të kenë qëllime civile dhe ushtarake, të tilla si kimikatet. Nga ana tjetër, BE-ja dëshiron të vështirësojë në maksimum që Rusia të përmirësojë rafineritë e saj të naftës. Gjithashtu, ka vendosur të ndalojë shitjen e avionëve dhe pajisjeve për linjat ajrore ruse.

SHBA-ja i është bashkuar Britanisë së Madhe, BE-së dhe Kanadasë në ndalimin e të gjitha fluturimeve ruse nga hapësira e saj ajrore. Mbretëria e Bashkuar ka ndaluar gjithashtu avionët privatë nga vendet e palëve të treta, të cilët janë marrë me qira nga rusët. Bjellorusia, e cila është akuzuar se ka ndihmuar pushtimin e Rusisë, po përballet gjithashtu me sanksione.

Çfarë po bëjnë kompanitë?

Një numër në rritje i kompanive ndërkombëtare, duke përfshirë McDonald’s, Coca-Cola dhe Starbucks, kanë pezulluar tregtinë në Rusi. Universal Music Group gjithashtu ka ndërprerë punën dhe ka mbyllur zyrat e tij në Rusi. Apple, Netflix, Zara, Mothercare, H&M dhe Jaguar Land Rover, po ashtu i janë bashkuar këtij pezullimi. A2 CNN, rendit në tabelën e mëposhtme të gjitha bizneset që kanë bojkotuar Rusinë.

Si ka reaguar Rusia ndaj sanksioneve?

Rusia ka ndaluar eksportet e më shumë se 200 produkteve, deri në fund të vitit 2022, në një përpjekje për të kufizuar ndikimin e sanksioneve perëndimore. Ajo gjithashtu dyfishoi normën bazë të interesit, në një përpjekje për të frenuar rënien e rublës, e cila ra 30% kundrejt dollarit amerikan, menjëherë pas sanksioneve.

Rusia ka ndaluar investitorët e huaj që zotërojnë aksione me vlerë miliarda dollarë, të shesin asetet e tyre. BE-ja është e shqetësuar se shumë rusë të pasur do t’i konvertojnë kursimet e tyre nga rubla në kriptovaluta, si Bitcoin.

Rusia ka bllokuar linjat ajrore britanike që të hyjnë në hapësirën e saj ajrore apo të aterojnë në aeroportet e saj. Ekspertët paralajmërojnë, gjithashtu, se Putini mund të reduktojë ose të mbyllë furnizimet me gaz në Europë.

BBC