Nën viaduktin e shkatërruar, ushtarët ukrainas mbrojnë një urë prej dërrase që u lejon të kalojnë lumin. Civilët e kalojnë me pasuritë e tyre të pakta në dorë ndërsa ikin me kokat e zhytura midis shpatullave nga Irpini, qyteti njëzet kilometra në veri të qendrës së Kievit, e cila prej katër ditësh është bërë fronti i rezistencës ukrainase kundër pushtimit rus.
Në lindje dhe në perëndim të viaduktit të goditur – njësoj si në një foto që është bërë ikonë e kësaj lufte – dëgjohet një zjarr i vazhdueshëm artilerie dhe kolona tymi, por në mes korridori humanitar vazhdon të mbajë dhe deri tani, nuk kishte ndodhur. Ushtarët ukrainas ndihmojnë civilët dhe më pas, shkojnë në anën tjetër, drejt luftimeve. Ka edhe nga ata të forcave speciale, që kanë kufje në vesh për të marrë komunikime dhe që mbajnë në duar tubat e raketave antitank – në këtë rast janë raketa britanike Nlaw.
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar shtatëmbëdhjetë mijë nga këto raketa antitank në bazat në Poloni dhe Rumani dhe më pas i kaluan përtej kufirit ukrainas në vetëm gjashtë ditë, dhe i vendosën aty ku nevojiteshin më shumë: Irpin, aty ku ësht koka e një kolone me mjete ruse, e gjatë dhjetëra kilometra. Ato janë armë që mund të shkatërrojnë një tank nëse gjenden në distancë të afërt, jo më shumë se tetëqind metra në rastin e raketave britanike, apo edhe deri në dy kilometra në rastin e raketave amerikane Javelins.
E gjithë kjo përpjekje për të çuar raketat në vijën e frontit dhe për t’i përdorur ato aty ku nevojiten më shumë, menaxhohet nga syri i kudogjendur i shërbimeve të fshehta amerikane, i cili përpiqet të drejtojë në kohë reale dhe në mënyrën më të mirë të mundshme ato pak asete ukrainase.
Përtej Irpinit është aeroporti Hostomel. Kur në fillim të luftës gati dy javë më parë, forcat speciale ruse u përpoqën ta merrnin me një goditje të shpejtë për t’i hapur rrugën tetëmbëdhjetë avionëve transportues të ngarkuar me trupa që duhej të lëviznin menjëherë drejt Kievit, ato u zhdukën nga reagimi i shpejtë i ukrainasve, dhe është pothuajse e sigurt se kjo ka ndodhur falë një paralajmërimi të mbërritur në kohë nga inteligjenca amerikane. Kjo ndihmë e padukshme lëviz në ekuilibër pa e kaluar vijën që nuk shkakton reprezalje të armatosura nga Rusia, të paktën tani për tani.
Ka mundësi që të jetë një sy i inteligjencës edhe në sulmin në jug të vendit, në Kherson, qytet i pushtuar së fundmi nga rusët. Duket, pasi nuk ka asnjë konfirmim, se rusët kishin parkuar dhjetëra helikopterë në një bazë dhe një pjesë u shkatërrua në një sulm natën nga një njësi ukrainase.
Inteligjenca po vëzhgon me vëmendje operacionin e ngadaltë rus për të rrethuar kryeqytetin, i cili mund të përshpejtohet papritur. Ukrainasit kanë përmbytur disa pjesë të fshatrave për të ngadalësuar manovrat e pushtuesve, por kjo nuk mjafton. Në fund të fundit, rusët vetëm duhet të ndërpresin rrugën dhe hekurudhën që shkon në jug për të izoluar Kievin dhe për të formuar një rreth të gjerë rreth tij, pa hyrë – tani për tani. Vlerësimet ndjekin njëri-tjetrin: do të ndodhë brenda një dite, ose dy ditësh, kjo nuk dihet.
Më pas, me Kievin të izoluar, presidenti rus mund të fillojë të negociojë seriozisht nga një pozicion i favorshëm, pa pësuar humbjet e pashmangshme të një beteje urbane, të paktën tani për tani. Dhe ndërkohë, nisin të zbusin rezistencën e kryeqytetit me racionimin e ushqimeve dhe bombat. / Il Foglio – Bota.al