Lufta bërthamore nuk është më “e paimagjinueshme” dhe armët atomike “mund” të përdoren, ndërsa agresioni rus në Ukrainë vijon ende.
Paralajmërimi është dhënë këtë të martë nga ish-shefi i Forcave Ajrore Britanike, Edward Stringer.
“Lufta bërthamore nuk është më e paimagjinueshme. Jemi disa hapa larg nga konfrontimi i mundshëm me armë bërthamore, që do të ishte një situatë shumë e frikshme për këdo që është i arsyeshëm”, tha ai.
Më 27 shkurt, Putin vendosi në gatishmëri të lartë mbrojtjen bërthamore, duke ngjallur frikë në të gjithë botën. Ndërkohë, ofensiva e tij në Ukrainë, të paktën sipas ekspertëve, nuk është duke shkuar sipas parashikimeve dhe tashmë e ardhmja është e paqartë sesi lideri rus do të dalë nga ky konflikt i përgjakshëm.
Zinxhiri i mundshëm i ngjarjeve
Stringer shtoi se mund të përvijohet një “zinxhir i mundshëm ngjarjesh” që mund të çojë në një luftë bërthamore, e cila është “vetëm disa hapa larg nga vendi ku jemi tani”.
“Janë vetëm disa hapa nga vendi ku jemi tani në një konflikt që mund të çojë në përdorimin e armëve bërthamore, gjë që mendoj se është një perspektivë mjaft e frikshme për këdo që është i arsyeshëm,” tha ai.
Megjithatë, ekspertët nxituan të vënë në dukje se rreziku i shkatërrimit të ndërsjellë ka qenë gjithmonë pengesa më e madhe për përdorimin e armëve bërthamore dhe se ai ka penguar vendet të “shtypin butonin”.
Paralajmërimi vjen një ditë pasi Rusia publikoi një video të re tmerruese të raketës së saj bërthamore hipersonike Zircon duke fluturuar me shpejtësi 7000 milje në orë. Një armë katastrofike që mund të godasë Londrën në pak minuta është shënuar si “e pandalshme”.
Llogaritje e gabuar
Një ish-shefi i Marinës Mbretërore, Lord West, tha se një “llogaritje e gabuar” mund të provokojë një luftë në Evropë që mund të përshkallëzohet në një luftë botërore që përfshin përdorimin e armëve bërthamore.
Ish-Zëvendës Komandanti Suprem i Aleatëve për Evropën, Gjenerali Sir Adrian Bradshaw , tha se pushtimi i Putinit në Ukrainë mund të provokojë një luftë bërthamore nëse trupat ruse hyjnë në territorin e NATO-s.
Udhëheqësit perëndimorë hezituan të vendosin një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga presidenti ukrainas, nga frika se kjo do të përshkallëzonte luftën me Putinin.