Nga Andrea Nicastro
Korrespondent i “Corriere Della Sera” në Ukrainë
Mbrëmë, ende pa e dërguar artikullin në gazetë, ra rryma dhe si pasojë e kësaj edhe wi-fi i hotelit.
Sirena e sulmit ajror ra dhe zgjati 10 minuta.
Një notë e vetme, zemërthyese, ulërinte pafund! Një nënë me tre fëmijë të vegjël që ishte në dhomën ngjitur me timen, u dëgjua duke kënduar një këngë, ashtu me gjysmë zëri.
Vepro sikur asgjë nuk ka ndodhur
Ajo është gjithmonë me më të voglën në krahë, i cili nuk pushon së qari. Do doja ta ngushëlloja, por sapo më sheh, vogëlushi trembet. Dy më të mëdhenjtë, akoma pa i mbushur 5 vite, bëjnë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Luajnë me kokën ulur.
E ëma i buzëqesh dhe vazhdon të qajë. Kur drita u fik, pushoi dhe sirena. Me të pushuan edhe gjëmimet e topave. Asnjë zhurmë në rrugë. Heshtje totale, ambient surreal dhe errësira që sa vjen dhe shtohet.
Kazerma e fundit
Jemi të rrethuar. Mariupoli është nën rrethim nga të gjitha anët.
Dje, kolonat e ushtarëve ukrainas u larguan nga fronti. Nuk e di nëse mendojnë se mund të rezistojnë ende, por kazerma e fundit është pikërisht qyteti.
Kështu kaloi nata për një qytet gjysmë milioni banorë. I izoluar, në errësirë dhe në të ftohtë, sepse edhe ngrohja ka pushuar së punuari.
Dy mijë njerëz janë mbledhur në një strehë të madhe sulmi ajror, diku këtu afër. Fotografi i Associated Press ka kaluar natën me ta dhe ka realizuar disa foto të mrekullueshme.
Ai u rishfaq në hotel në mëngjes, me sytë e përlotur dhe mezi ecte. Nuk e di edhe sa mund të qëndrosh në një qytet pa ngrohje, me temperaturën në minus 5.
Si në Mesjetë
Autoritetet thonë se mund ta riparojnë “nënstacionin” që shkaktoi ndërprerjen. Por ndjenja e brishtësisë do të mbetet me ne.
Nëse rusët janë përreth, janë ata që kanë çelësat e mbijetesës sonë: rrymë, gaz, ngrohje, ushqim, ilaçe, ndihma.
Jemi si në një rrethim mesjetar. Normaliteti është një ndjenjë që ndryshon shpejt. Kështu, kur në të gdhirë drita hyri nëpër shtëpi dhe filloi sërish bubullima e zjarrit të topave, ishte njësoj si të merrja frymë lehtësisht. Kush e di nëse normaliteti absurd i djeshëm do të rikthehet.
Dita e gjashtë e luftës. Është një normalitet i ri me të cilin do të duhet të përshtatemi. Më keq se e djeshmja, ndoshta më mirë se e nesërmja.