Në ditën e dytë të sulmit rus, ishte e qartë për gazetaren ukrainase Natalya Lutsenko se jeta për mediat në vend kishte ndryshuar.
Ndërsa shpërthimet tronditën kryeqytetin Kiev, redaktorja 32-vjeçare dhe bashkëpunëtorët e saj nxituan drejt një strehimi nga bombat në ndërtesën ku ndodhet stacioni i saj, ICTV.
Thellë nën tokë, në një dhomë me ndriçim të dobët me mure të zhveshura me tulla, Natalya Lutsenko doli përballë kamerës dhe iu drejtua shikuesve të kanalit ICTV.
“Po përpiqesha të mblidhja veten,” i tha ajo Zërit të Amerikës përmes telefonit. “Në atë video po tregoja se si punojmë tani dhe se ky është realiteti ynë tani: fshihemi në vendstrehime për të regjistruar dhe për të transmetuar”.
Ndërsa raportoi në atë segment të parë, Lutsenko u përpoq të kuptonte realitetin e ri që shpaloset në vendin e saj.
“Për pak po qaja para asaj kamere atë ditë sepse isha e dërrmuar”, tha ajo për Zërin e Amerikës. “Po përpiqesha të pranoja realitetin mizor që po ndodhte”.
Kanali ICTV nuk është i vetmi rrjet lajmesh në Ukrainë që përdor vendstrehimet e bombave – shumë prej tyre të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore – si studio transmetimi.
“Pothuajse të gjitha kanalet televizive tani kanë dy studio; studiot e tyre kryesore, të zakonshme dhe një shtesë të vendosur në vendstrehim në të njëjtën ndërtesë,” tha Olha Mykhaliuk, korrespondente me rrjetin e lajmeve Ukraine 24.
Përpara sulmit, zonja Mykhaliuk ishte një gazetare për tema të përgjithshme në Kiev, duke mbuluar çdo gjë nga çmimet e ushqimeve deri tek produktet më në trend të bukurisë dhe argëtimit.
“Sigurisht, tani të gjithë jemi bërë korrespondentë lufte,” i tha Zërit të Amerikës 37 vjeçarja Mykhaliuk. “Disa janë në vijën e parë të frontit, ndërsa të tjerët raportojnë nga vende relativisht më të sigurta”.
Mbulim i koordinuar
Në fillim të luftës, krerët e katër rrjeteve më të mëdha të Ukrainës u takuan për të diskutuar se si të mbulohej më mirë konflikti.
Vendimi i tyre: të formojnë një shërbim lajmesh 24 orësh, News United. Nëpërmjet tij, çdo rrjet ka një kohë të caktuar transmetimi për të dhënë lajme të pandërprera për luftën.
“Të gjitha mediat e kuptuan se do të ishte krejtësisht e tmerrshme dhe vërtet e ndërlikuar të jesh në transmetim 24 orë në ditë për 7 ditë, por është e nevojshme”, tha Natalya Lutsenko. “Pra, për ta bërë këtë, ata thjesht u bashkuan që nga fillimi.”
Bashkëpunimi përfshin kompaninë mëmë të ICTV, StarLightMedia; Media Group Ukraine, e cila menaxhon disa kanale, përfshirë Ukraine 24, Inter Media Group, dhe kanalin e lajmeve 1+1.
“Çdo kanal televiziv ka rreth pesë orë kohë transmetimi për programet e tij,” tha Natalya Mykhaliuk.
Qeveria ukrainase e ka mbështetur zyrtarisht nismën, duke e quajtur atë një “Maratonë Kombëtare” dhe duke i hapur rrugën Kompanisë Transmetuese Publike të Ukrainës (Suspilne) që t’i bashkohet kësaj përpjekjeje.
Më 18 mars, Presidenti Volodymyr Zelenskyy nënshkroi një dekret që i kërkon zyrtarisht të gjitha kanalet televizive kombëtare të transmetojnë programe përmes një platforme.
I publikuar në faqen presidenciale të internetit, dekreti thotë se qeveria do të sigurojë fonde për masat dhe sigurinë e objekteve të transmetimit.
Nisma lejon që rrjetet e vendit të bashkojnë burimet. Në takimet redaksionale, stacionet individuale ndajnë temat e lajmeve që do të mbulojnë, duke lejuar transmetuesit e tjerë të përdorin atë përmbajtje.
“Ne thjesht ndajmë përgjegjësitë tona,” tha Natalya Lutsenko. “Ndonjëherë ne ndajmë raportime, veçanërisht kur bëhet fjalë për raportime nga jashtë, nga Polonia për refugjatët për shembull”.
Dhe ndërsa gazetarët punojnë për të mbajtur audiencën të informuar, rrjetet e tyre punojnë për t’i mbajtur ekipet e tyre të sigurta në një zonë lufte.
“Të gjithë gazetarët janë të informuar për masat bazë të planit të sigurisë dhe çfarë duhet të bëjnë në rast rreziku”, tha Olena Shramko, drejtuese e komunikimit në kanalin Media Group Ukraine. “Ne monitorojmë vendndodhjen dhe lëvizjet e tyre, dhe i informojmë ata për rrugët e mundshme të sigurta. Nëse është e nevojshme, i ndihmojmë të evakuohen.”
Scott Griffen, zëvendës drejtor në Institutin Ndërkombëtar të Shtypit (IPI) me seli në Vjenë, thotë se rrjedha e informacionit është thelbësore në një kohë konflikti.
IPI-ja ka krijuar një bazë të dhënash për ndjekjen e shkeljeve ndaj mediave në Ukrainë dhe Rusi.
“Ne e dimë se e vërteta është viktima e parë e luftës. Këtë po e shohim tashmë. Dhe kjo është arsyeja pse ne po mobilizojmë burimet tona për të gjurmuar të gjitha këto raste dhe për t’u përpjekur t’i korrigjojmë ato aty ku të mundemi,” i tha ai Zërit të Amerikës.
Pesë gazetarë janë vrarë që nga fillimi i sulmit dhe disa të tjerë janë plagosur, duke përfshirë një korrespondent të kanalit TSN i goditur nga predha të premten, ndërsa raportonte për një korridor humanitar.
Lufta propagandistike
Përveç përpjekjeve të përbashkëta të transmetimit, rrjetet kryesore të Ukrainës krijuan gjithashtu projektin multimedial, Freedom.
Me fokus në audiencën rusisht-folëse në Rusi dhe gjetkë, projekti përpiqet të kundërshtojë propagandën e Kremlinit për luftën.
Ministri i Kulturës dhe Politikës së Informacionit të Ukrainës, Oleksandr Tkachenko, i tha shtypit kohët e fundit se projekti është krijuar gjithashtu për të arritur tek forcat ruse në Ukrainë.
Gazetarja Olha Mykhaliuk i tha Zërit të Amerikës: “Ky projekt synon trupat ruse dhe duhet të shtoj, edhe nënat e tyre”.
Moska ka kufizuar ashpër mënyrën se si media ruse mund të mbulojë konfliktin, duke miratuar një ligj të ri që parashikon dënime me 15 vjet burg për raportimin e “lajmeve të rreme” mbi ushtrinë dhe lëshimin e direktivave se si të përshkruhet konflikti.
Qasjet në disa faqe interneti dhe transmetues lajmesh, përfshirë shërbimin rus të Zërit të Amerikës, janë bllokuar në vend dhe të tjerët janë detyruar të mbyllen.
Ky aspekt, thotë zoti Griffen i grupit IPI, duhet të vëzhgohet me kujdes.
“Publikut rus po i mohohet qasja në informacion në një shkallë masive që ne nuk e kemi parë që nga koha sovjetike,” tha ai. “Ka shumë pak media të pavarura që janë në gjendje të operojnë në Rusi, dhe ato që operojnë sipas këtyre kushteve të diktuara, nuk janë në gjendje ta quajnë luftën luftë”. /VOA