Izraeli është shfaqur si ndërmjetësues mes Rusisë dhe Ukrainës. Kryeministri izraelit Naftali Bennett është i vetmi udhëheqës botëror që ka shkuar në Rusi për të takuar Presidentin Vladimir Putin që kur filloi sulmi ndaj Ukrainës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski e falenderoi zotin Bennett për përpjekjet e tij për të ndërmjetësuar.
Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett ka bërë telefonata të shumta rishtazi me Presidentin rus Vladimir Putin dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski, në përpjekje për të ndërmjetësuar një armëpushim.
Zoti Bennet është i vetmi udhëheqës botëror që vizitoi Moskën këtë javë, duke thënë se Izraeli ka një detyrim moral të bëjë ç’është e mundur për të ndërmjetësuar. Ai tha se përpjekja për të shpëtuar jetë njerëzish justifikon shkeljen e rregullit hebre për të mos udhëtuar gjatë shabatit.
“Është e rëndësishme të kuptohet se nëse udhëheqësit botërorë nuk veprojnë me shpejtësi, gjërat mund të përkeqësohen së tepërmi. Po flas për humbje të parrëfyeshme jetësh, një shkatërrim të plotë të Ukrainës, miliona refugjatë. Dhe nuk është shumë vonë. Është përgjegjësia e lojëtarëve kryesore në botë që të veprojnë me shpejtësi për t’i larguar palët nga fushëbeteja dhe për t’i ulur në tryezën e negociatave”, tha zoti Bennett.
Disa ekspertë thonë se Izraeli gjendet në kushte të favorshme për të ndërmjetësuar.
“Izraeli nuk është i pozicionuar në kontekstin e këtij konflikti, nëse diçka nuk ndryshon, dhe nëse vazhdojmë të ruajmë marrëdhënie korrekte me Ukrainën dhe Rusinë dhe të konsiderohemi me integritet nga të dyja vendet”¸ i tha Zërit të Amerikës Jonathan Dekel-Chen, nga Universiteti Hebre.
Por analistët e tjerë izraelitë thonë se fuqia ushtarake ruse në Lindjen e Mesme luan një rol të madh kundër interesave strategjike të Izraelit.
“Një ndërmjetës duhet të jetë normalisht dikush që mund të ushtrojë presion ndaj dy palëve negociuese për t’i detyruar që të bëjnë lëshime. Izraeli nuk e ka këtë mundësi dhe për më tepër Izraeli është bërë në shumë mënyra objekt i politikave ruse në rajon. Për shembull, nëse Rusia vendos të vërë në funksionim sistemet e raketave kundërajrore S-400 që ka në Siri, ajo mund të paralizojë forcat ajrore të Izraelit dhe mund të luajë një rol shumë të dëmshëm për Izraelin në kontekstin e negociatave bërthamore me Iranin”, thotë Chuck Freilich, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare të Izraelit.
Izraeli ka mikpritur mijëra hebrenj emigrantë nga Ukraina dhe është i gatshëm të presë deri në 100 mijë njerëz të tjerë nga familje me prejardhje izraelite.
Gjithashtu, rreth 20 mijë ukrainas jo-hebrenj që ishin vendosur në Izrael përpara se të fillonte lufta do të lejohen të qëndrojnë, dhe pesë mijë të tjerëve do t’u jepet statusi i refugjatëve për të ardhur në Izrael.