Dy futbollistë ukrainas Vitalii Sapylo, 21 vjeç, dhe Dmytro Martynenko, 25 vjeç, humbën jetën gjatë luftimeve me rusët të cilët kanë 7 ditë që kanë pushtuar Ukrainën.
Babai i Vitalii Sapylo, futbollistit të ndjerë 21-vjeç, po përjeton dhimbje të madhe për humbjen e djalit të tij të ri, për të cilin tani do të ketë veç kujtime të mira.
“Ai ishte një djalë i lumtur dhe i hareshëm. Ishte një sulm ajror nga Putini që ia mori jetën djalit tim”, ka thënë për “Bild” babai i futbollistit të ndjerë, Roman Sapilo, 44 vjeç.
“Ai me të vërtetë dëshironte të luftonte, Luftimet ishin shumë të ashpra por ai assesi nuk dëshironte të largohej nga fronti i luftës”, ka shtuar ai.
Sapylo ishte një portier i ri i klubit ukrainas, Karpaty Lviv. Ai iu kishte bashkuar ushtrisë ukrainase siç kanë bërë edhe shumë sportistë dhe të rinj të tjerë ukrainas që po ballafaqohen me agresionin rus qe 7 ditë. Thuhet se ai u vra në një betejë për ta mbrojtur kryeqytetin, Kievin.
Klubi i tij përmes një kumtese e ka shpallur hero lojtarin e saj, pasi thotë që Sapylo u vra në betejë me forcat ruse. “Ne e çmojmë kujtimin e përjetshëm të këtij heroi”, thuhet në kumtesë
Sikurse Sapylo, edhe futbollisti tjetër ukrainas, Martynenko u vra në moshën 25-vjeç. Ai e humbi jetën bashkë me nën e tij, kur forcat ruse e bombarduan një bllok apartamentesh ku jetonte ai, në Kiev.
Gazeta Express shkruan se Shoqata Ndërkombëtare e Futbollistëve “FIFPRO” ka shpreh ngushëllime për familjet e tyre, futbollin ukrainas dhe atij botëror.
“Mendjet tona janë me familjet, miqtë dhe bashkëlojtarët e futbollistëve të rinj ukrainas Vitalii Sapylo dhe Dmytro Martynenko, humbjet e para të raportuara të futbollit në këtë luftë. U prefshin në paqe që të dy ata”, thuhet në kumtesën e FIFPRO.
Përpos dy futbollistëve, në Ukrainë tashmë jetën e kanë humbur edhe disa sportistë tjerë. Shumë sportistë dhe ish sportist të famshëm ukrainas janë bashkuar në ushtrinë ukrainase dhe po luftojnë kundër pushtuesit të ashpër rus.