Ballina Bota Suedia ka frikë nga Rusia: Aplikimi për t’u bashkuar me NATO-n do...

Suedia ka frikë nga Rusia: Aplikimi për t’u bashkuar me NATO-n do të destabilizonte sigurinë në Europë

Kryeministrja suedeze Andersson tha se aplikimi i Suedisë për t’iu bashkuar Aleancës Veriatlantike (NATO) do të destabilizonte sigurinë në Europë. “Nëse Suedia do të zgjidhte të dërgonte aplikimin për t’u bashkuar me NATO-n në këtë situatë, do të destabilizonte edhe më tej këtë zonë të Europës dhe do të rriste tensionet”, citohet të ketë thënë ajo për agjencinë e lajmeve  Reuters.

Edhe para se të sulmohej Ukraina, grumbullimi i ushtrisë ruse hapi debat të madh në Suedi dhe në Finlandë, gjithashtu një vend jo anëtar i NATO-s. Edhe pse Finlanda bashkëpunon me NATO-n në disa aspekte, nuk i është bashkuar zyrtarisht asaj. Muajin e kaluar, kryeministrja Sanna Marin tha se mundësitë që Finlanda të aplikonte për t’u bërë pjesë e NATO-s ishin të pakta, përgjatë mandatit të saj.

Gjatë një takimi mes tyre të dielën, dy kryeministret, e Suedisë e Finlandës, thanë se do të forconin bashkëpunimin mes tyre në fushën e sigurisë.

Të dy shtetet, të cilat ndajnë kufi me Rusinë në Arktik, praktikisht u kërcënuan se i priste i njëjti fat si Ukraina nëse do të bashkoheshin me NATO-n. Një ditë pasi kishte nisur pushtimi i Ukrainës, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, paralajmëroi se futja e Finlandës ose Suedisë në NATO do të sillte një përgjigje të fortë nga ana e Moskës. “Do të kishte pasoja të rënda ushtarake dhe politike që do të bënin shtetin tonë të ndërmerrte hapa reciprokë”, citohej Zakharova nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve.