Ballina Bota Beteja për marrjen e Mariupolit është në një fazë kritike, çfarë dihet...

Beteja për marrjen e Mariupolit është në një fazë kritike, çfarë dihet deri tani

“Lufta për të marrë në kontroll Mariupolin po bëhet edhe më e ashpër dhe situata është në një fazë kritike”, sipas CNN, duke sjellë një pasqyrim të situatës deri më tani.

Ukraina tha se dy njësitë e saj të mbetura në qytetin jugor të Mariupol kanë arritur të forcojnë rezistencën e tyre kundër forcave ruse. Ndërkohë Moska ka bërë me dije porti detar tregtar i Mariupol është në kontrollin e forcave ruse dhe se 1000 marinsa ukrainas ishin dorëzuar.

Ja çfarë dimë për situatën në Mariupol:

Ukrainasit bashkojnë forcat: Komandantët e dy njësive të Ukrainës që mbrojnë Mariupolin lëshuan një deklaratë duke thënë se kishin arritur të bashkonin forcat. Denys Prokopenko, komandanti i Regjimentit Azov, tha se njësia e tij ishte lidhur me trupat e Brigadës së 36-të të Marinës. Serhii Volyna, komandanti i Brigadës Detare tha: “Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të përfunduar me sukses misionin tonë luftarak”.

Lëvizje “e rrezikshme”: Këshilltari presidencial ukrainas Oleksiy Arestovych tha se bashkimi ishte një “manovër e rrezikshme”. CNN nuk mund të konfirmojë detajet e operacionit por Arestovych tha se diçka e tillë ka “forcuar zonën e tyre të mbrojtjes”.

Të rrethuar: Të dyja njësitë janë përfshirë në një përpjekje të fundit për t’i rezistuar një ofensive ruse kundër qytetit që ka zgjatur më shumë se një muaj. Njësitë janë të rrethuara nga forcat ruse dhe furnizimet po mbarojnë.

Vendet kryesore: Mbrojtësit ukrainas kanë luftuar për të mbrojtur pjesë të portit dhe Azovstal, një fabrikë gjigante çeliku që shtrihet në periferi lindore të Mariupolit.

Momenti vendimtar: Analiza e pavarur e situatës në Mariupol të dielën nga Instituti për Studimin e Luftës tha se mbrojtja e qytetit kishte arritur në një fazë kritike. Bashkimi i forcave ukrainase erdhi pasi “forcat ruse ndanë Mariupolin në dy pjesë nga qendra e qytetit në bregdet më 10 prill, duke izoluar mbrojtësit e mbetur ukrainas në dy lokacione kryesore: portin kryesor të Mariupolit në jugperëndim dhe fabrikën e çelikut Azovstal në lindje. ”, thuhet në analizë.

Rusia pretendon se forcat e saj kanë avancuar: Në një deklaratë të mërkurën, zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, gjenerali Igor Konashenkov tha se porti detar tregtar i Mariupolit ishte në kontrollin e tyre. CNN nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur atë pretendim. Ushtria ruse ka pohuar vazhdimisht se ka në kontroll zonat strategjike në qytet, por gjithashtu është përballur me rezistencë të ashpër nga forcat ukrainase.

Marinsat dorëzohen: Ushtria ruse pretendoi në një deklaratë të mërkurën se 1,026 marinsa ukrainas, ishin dorëzuar në afërsi të uzinës së hekurit dhe çelikut Ilyich në Mariupol.

Prokopenko, i regjimentit Azov të Ukrainës, pranoi se disa mbrojtës ukrainas ishin dorëzuar.

Beteja propagandistike: Rusia është fokusuar në lëvizjen propagandistike rreth betejës për Mariupolin. Televizioni shtetëror rus transmetoi të mërkurën pamje që dyshohet se tregonin marinsat ukrainas duke u dorëzuar para forcave ruse në qytet.. Imazhet tregojnë ushtarë rusë në teatrin e bombarduar të goditur nga një sulm rus dhe duke patrulluar një rrugë.

Banorët nuk mund të dalin jashtë: Rreth 180,000 civilë mbeten të bllokuar brenda dhe përreth qytetit mes shkatërrimeve dhe bombardimeve të pamëshirshme, tha të mërkurën kryebashkiaku Vadym Boychenko. Presidenti i Ukrainës ka thënë se “dhjetëra mijëra” kanë vdekur në Mariupol.

/abcnews.al