Jeta e Volodymyr Zelenskyt ndryshoi plotësisht kur Rusia fqinje futi trupat në vendin e tij duke nisur një pushtim të paprovokuar. Që prej asaj dite asgjë nuk është më njësoj për Zelenskyn, presidenti që u kthye në simbol të mbrojtjes së vendit të tij.
Netët janë më të vështirat, kur ai shtrihet në krevat, ndërsa dëgjon ulërima fëmijësh, sirena sulmesh dhe telefoni i tij ende gumëzhinë. Ekrani e bën fytyrën e tij të duket si një fantazmë në errësirë, sytë e tij skanojnë mesazhe që nuk kishte mundësi t’i lexonte gjatë ditës.
Gruaja dhe fëmijët e tij, shumë nga këshilltarët, disa nga trupat e tij, ndodhen në bunkerë, ndërsa kërkojnë prej tij t’u tregojë më shumë.
Brenda bunkerit të tij, Presidenti e ka zakon të shikojë aghendën e përditshme edhe kur dita ka mbaruar. Ai qëndron zgjuar dhe pyet veten nëse ka humbur diçka, ka harruar dikë. Në këtë mënyrë Zelensky ka bërë një rrëfim ndryshe për “TIME”.
“Është e kotë,” tha Volodymyr Zelensky në kompleksin presidencial në Kiev, jashtë zyrës ku ai ndonjëherë fle.
“Është e njëjta aghendë. E shoh që ka mbaruar për sot. Por e shikoj disa herë dhe ndjej se diçka nuk është në rregull. Nuk është ankthi ai që i mban sytë të mos mbyllen. Është ndërgjegjja ime që më shqetëson”, thotë ai.
“E lashë veten të fle, por tani çfarë? Diçka po ndodh tani. Diku në Ukrainë bombat po bien ende. Civilët janë ende të bllokuar në bodrume ose nën rrënoja. Rusët janë ende duke kryer krime lufte, përdhunimesh dhe torturash . Bombat e tyre po rrafshojnë qytete të tëra. Qyteti i Mariupolit dhe mbrojtësit e tij të fundit janë të rrethuar. Një betejë kritike ka nisur në lindje.” Mes gjithë kësaj, Zelensky, komediani i kthyer në President, duhet ende të mbajë botën të angazhuar dhe të bindë liderët e huaj se vendi i tij ka nevojë për ndihmën e tyre tani, me çdo kusht.
Jashtë Ukrainës, Zelensky tha: “Njerëzit e shohin këtë luftë në Instagram, në mediat sociale. Është natyra njerëzore.”
Presidenti rrëfen ditët e para të pushtimi. Në javët e para të pushtimit , kur artileria ruse ishte në distancë shumë të afërt nga Kievi, Zelensky rrallë priste lindjen e diellit përpara se të thërriste gjeneralin e tij të lartë për një raport. Telefonata e tyre e parë zakonisht bëhej rreth orës 5 të mëngjesit. Më pas ata e zhvendosën bisedën pak më vonë, kohë e mjaftueshme që Zelensky të hante mëngjes, pa ndryshim vezë dhe të bënte rrugën për në dhomat presidenciale. Rrugët përreth kompleksit u bënë një labirint postblloqesh dhe barrikadash.
Momentin më të vështirë konsideron atë para lindjes së diellit më 24 shkurt, kur ai dhe gruaja e tij Olena Zelenska shkuan për t’u treguar fëmijëve të tyre se bombardimi kishte filluar dhe duhet ti përgatisnin ata të largoheshin nga shtëpia e tyre.
Vajza e tyre është 17 vjeç dhe djali 9 vjeç, të dy mjaftueshëm për të kuptuar se ishin në rrezik. “Ne i zgjuam,” tha Zelensky. Kishte shumë zhurmë dhe shpërthime”, tregon ai i prekur.
Shumë shpejt u bë e qartë se rezidenca presidenciale nuk ishte vendi më i sigurt. Ushtria e informoi Zelenskyn se ekipet ruse të sulmit kishin shënjestruar për ta vrarë ose kapur atë dhe familjen e tij. “Para asaj nate, ne kishim parë gjëra të tilla vetëm në filma”, thotë Andriy Yermak, shefi i kabinetit të Presidentit.
Të shtënat filluan rreth ndërtesës së qeverisë pasi u errësua në ditën e parë të luftës. “Rojtarët fikën dritat, sollën jelekët antiplumb dhe pushkët për Zelenskyn dhe dhjetëra ndihmës të tij”, kujton momentin.
E një prej zyrtarëve të paktë që ka ditur të përdorë armën ishte Oleksiy Arestovych, veteran i kundërzbulimit ushtarak të Ukrainës. “Ka qenë çmenduri fare”, tha Arestovych për Time.
Trupat ruse tentuan dy herë të futen në kompleks ndërsa familja e Zelensky ishte brenda.
Të nesërmen, pasi refuzoi ofertat përfshirë evakuimin e tij nga forcat amerikane dhe ato britanike, Zelensky doli në oborr për të filmuar videon tashmë të njohur me telefonin e tij. Në atë moment Zelensky tha se tani është i vetëdijshëm plotësisht për rolin e tij në luftë.
“E kuptoni se ata ju shikojnë. Ju jeni simbol. Duhet të silleni ashtu siç sillet një lider i një shteti”, shtoi ai. g.v/abcnews.al