Ballina Bota Ian Bremmer: Këto janë kostot e luftës së Putinit në Ukrainë

Ian Bremmer: Këto janë kostot e luftës së Putinit në Ukrainë

The Economist

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Ka ende dyshime për rezultatin e luftës së Rusisë në Ukrainë. Por nuk ka asnjë dyshim se vendimi i Vladimir Putin për të nisur një pushtim në shkallë të gjerë është një nga vendimet më të këqija strategjike që një udhëheqës i një vendi të fuqishëm ka marrë në dekada.

Putin i ka kushtuar vendit të tij jetën e mijëra ushtarëve të rinj, disa prej tyre të rekrutuar. Ai pretendon se rusët dhe ukrainasit janë “një popull”, por lufta e tij i ka dhënë Ukrainës një ndjenjë më të fortë të identitetit kombëtar se sa ka pasur ndonjëherë më parë dhe e ka shndërruar atë në armikun e betuar të vendit.

Ai i ka treguar botës se ushtria e tij nuk është e paprekshme dhe se miliarda dollarë të shpenzuara për modernizimin e ushtrisë ruse janë shpërdoruar. Ai i ka dhënë NATO-s një ndjenjë uniteti dhe ka shtyrë Suedinë dhe Finlandën të bashkohen me NATO-n.

Veprimet e tij kanë shtyrë anëtarët, përfshirë Gjermaninë, të rrisin shpenzimet e mbrojtjes. Të tjerë kanë dërguar trupa pranë kufirit të Rusisë.   Putin ka vendosur sanksione dhe kontrolle të eskportit që do të shkaktojnë dëme në disa breza, raporton abcnews.al.

Më e keqja, ai nuk arriti të përgatiste publikun rus për kostot e vërteta njerëzore, financiare dhe materiale të “operacionit të tij special ushtarak”. Duke lënë mënjanë shakatë për vaksinat ruse, shkaku kryesor i llogaritjes së gabuar të Putinit duhet të jetë me siguri izolimi i tij gjatë pandemisë.

Ai duket se nuk dëgjon askënd.

Kush tjetër përveç tij mund të besonte se ushtria e tij mund të pushtonte Kievin brenda dy javësh?

Si mund të mendonte Putin se ukrainasit do të dorëzoheshin sapo të fillonte pushtimi?

Në përgjigje të pushtimit të Ukrainës, kërcënimeve për të ndërprerë furnizimet europiane me energji dhe pasojat e tjera,  Putin duket se ka pritur që Perëndimi të bëjë pak më shumë sesa bëri kur Rusia pushtoi Krimenë tetë vite më parë.

Ai nuk e kishte parashikuar që Amerika do të sanksiononte një pjesë të madhe të rezervave të tij valutore. Në një përpjekje për të mos përhapur mosmarrëveshjet brenda Rusisë, Putin ka bërë një vesh të shurdhër ndaj paralajmërimeve të rëndësishme dhe i ka bindur personat rreth tij se siguria dhe prosperiteti i tyre personal varen nga besnikëria ndaj tij dhe versionit të tij të së vërtetës, raporton abcnews.al.

Një shembull i vogël por i rëndësishëm: Putin tha gjatë ditëve të para të konfliktit se “ushtarët e rekrutuar nuk do të përfshihen në operacione luftarake”. Ky pohim rezultoi i rrëmë. Ka tre shpjegime të mundshme për këtë, dhe të gjitha do të dëmtonin presidentin e Rusisë.

E para është se Putini gënjeu popullin rus për diçka që ai duhej ta dinte dhe që nuk do të ishte në gjendje ta fshihte.

Së dyti, gjeneralët e Rusisë e gënjyen atë.

Së treti dhe, sinqerisht, ka shumë të ngjarë: keqinformimi ka arritur në çdo nivel të ushtrisë ruse dhe oficerët e lartë nuk janë të vetëdijshëm për atë që po ndodh në zinxhirin komandues.

Por sido që të jetë rasti, të gjitha këto shpjegime minojnë besueshmërinë e Putin, si brenda dhe jashtë vendit, dhe komprometojnë efektivitetin e forcave të armatosura të Rusisë për vitet në vijim.

Nuk ka asnjë arsye për të besuar se përpjekja e dështuar e “fazës 1” të Rusisë për të marrë në kontroll Kievin do të përmirësojë rrjedhën e informacionit të komandës ushtarake. Dhe nëse forcat e armatosura të Rusisë nuk po japin informacione të sakta për atë që po ndodh në terren, ose për burimet e nevojshme për të arritur objektivat ushtarake, dhe nëse Putin dhe gjeneralët e tij vazhdojnë të kenë ide joreale për atë që mund të arrihet,  faza tjetër e luftës do të jetë e fokusuar në marrjen e kontrollit rus të rajonit të Donbasit.

Ushtarët e Ukrainës në atë rajon janë testuar nga 8 vite luftime. Nënvlerësimi i aftësive dhe vendosmërisë së ukrainasve për të luftuar, dhe gatishmëria e qeverive perëndimore për t’i furnizuar ata me armë dhe për ti stërvitur, tashmë i ka kushtuar shumë shtrenjtë Putinit.

Nëse thirrjet e tij dhe premtimet e tij për t’i dhënë fund një gjenocidi (fiktiv) të rusëve etnikë në Donbas nuk realizohen, presidenti rus ndoshta do të ndërmarrë hapa që me siguri do të preferonte t’i shmangte.

Këto mund të përfshijnë përdorimin e armëve kimike pasi ukrainasit nuk mund të mbrohen kundër tyre. Putin nuk ka shumë për të humbur. Rusia tashmë përballet me një aleancë politike dhe ushtarake transatlantike që ka vendosur sanksione historikisht të ashpra ndaj vendit të tij.

Qeveritë perëndimore vazhdojnë të mbështesin Ukrainën, të akuzojnë Rusinë për krime lufte dhe gjenocid, dhe ta cilësojnë Putinin si një pabesë.

Dhe Putin e di shumë mirë, se çdo gjë Perëndimi mund t’i bëjë atij është tashmë në proçes, me perjashtim të ndalimit të importeve të energjisë ruse. Shpresat perëndimore se gjeneralët e Rusisë, forcat e saj të sigurisë, oligarkët ose njerëzit e saj do të rrëzojnë së shpejti Putinin nga pushteti, ka të ngjarë të jenë të kota.

Çmimet e larta të naftës do ta mbajnë ekonominë ruse në këmbë për ca kohë, edhe pse dëmi afatgjatë i ekonomisë ruse i shkaktuar nga sanksionet dhe kontrollet e eksporteve do të jetë i rëndë. Duke pasur parasysh klimën politike, është e pamundur të dihet gjendja e vërtetë e popullit rus por nuk ka asnjë provë që Putin po përballet me ndonjë sfidë serioze të brendshme.

Populli i Rusisë sheh imazhet e luftës që qeveria e tyre dëshiron që ata të shohin, dhe ata tani po ushqehen me mizoritë e Ukrainës, planeve perëndimore për të poshtëruar Rusinë dhe vendosmërinë e presidentit dhe ushtarëve të tyre për të mbrojtur atdheun e tyre.

Me pak fjalë, Putin, ushtarët rusë dhe ukrainas dhe liderët perëndimorë nuk duhet të presin atë lloj fitoreje të pastër që dëshiron ndonjëri prej tyre.

Në vend të kësaj, një luftë e shëmtuar do të bëhet gjithnjë më e shëmtuar.

/abcnews.al