Rreth 600 persona, simpatizantë të Rusisë, dhe një karvan me 350 makina organizuan një tubim në Hanover këtë të diel, ndërkohë që në të njëjtin qytet, një tjetër grup, me 3500 persona, protestuan në mbështetje të Ukrainës dhe kundër pushtimit rus.
Karvani me makina valëviste flamuj rusë e gjermanë dhe tubimi ishte në shenjë protestë kundër diskriminimit ndaj rusëve që prej nisjes së luftës në Ukrainë. Policia e Hanoverit tha se kishte ngritur barrikada në qendër të qytetit për të ndarë dy grupet, një veprim që rezultoi i suksesshëm pasi nuk u shënua asnjë incident.
Një “betejë” e ngjashme u zhvillua edhe në Frankfurt, ku pati protesta në mbështetje të Rusisë dhe të Ukrainës, por aty policia nuk lejoi krijimin e një karvani me makina. Në tubimin prorus autoritetet thanë se numri i pjesëmarrësve ishte rreth 2000.
Sipas statistikave më të fundit të autoriteteve gjermane, të vitit 2020, në vend jetojnë 235 mijë rusë dhe 135 mijë ukrainas. Por që prej nisjes së pushtimit më 24 shkurt, rreth 300 mijë ukrainas të tjerë kanë mbërritur në Gjermani.