Pas kritikave nga zyrtarë ukrainas dhe polakë për qëndimin e tij dashamirës dhe të afërt me Rusinë presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier pranoi se ishte gabuar në vlerësimet e tij.
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier pranoi për herë të parë se ka bërë gabime në politikën ndaj Rusisë. “Këmbëngulja ime për Nord Stream 2 ishte një gabim i qartë. Ne u qëndruam besnikë urave, të cilave Rusia nuk u besonte më, gjë për të cilat na kishin paralajmëruar partnerët tanë”, tha Steinmeier gjatë një konference për mediat në Berlin.
E hidhur është gjithashtu se “ne dështuam në krijimin e një shtëpie të përbashkët evropiane, në të cilën përfshihet edhe Rusia. Dështuam me qasjen për të përfshirë Rusinë në një arkitekturë të përbashkët sigurie” – tha Presidenti Steinmeier.
Këto deklarata të Presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier erdhën pas kritikave që kishin shprehur së fundi në intervista për mediat gjermane ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Andriy Melnyk dhe zëvendëskryeministri polak Jaroslaw Kaczynski. Ata e kritikuan atë se nuk ka mbajtur qëndrim dhe nuk është shprehur lidhur me gjykimet e tij të gabuara, veçanërisht gjatë kohës që ishte ministër i Jashtëm.
Kritika nga Ukraina
Ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Andriy Melnyk, ishte shprehur për gazetën “Tagesspiegel” se Steinmeier nuk ka qenë i prerë në qëndrimin e tij për të hequr dorë nga politika ndaj Rusisë. Ai tha se Steinmeieri ndërtoi për dekada një rrjet kontaktesh me Rusinë duke shtuar se “për Steinmeierin, marrëdhënia me Rusinë ishte dhe mbetet diçka themelore – madje e shenjtë.”
Melnyk tha po ashtu se edhe njerëz të lidhur me Steinmeierin si Jens Plötner, këshilltar për politikën e jashtme i kancelarit Olaf Scholz dhe Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Andreas Michaelis, si dhe shumë ambasadorë të rëndësishëm ndjekin gjithashtu qëndrimin e Steinmeierit për afërsi me Rusinë.
Ambasadori i Ukrainës në Berlin refuzoi po ashtu të merrte pjesë në një koncert paqeje me artistë rusë të organizuar në rezidencën presidenciale nga Steinmeier.
Thirrje për shtim të trupave amerikane në Evropë
Edhe zëvendëskryeministri polak Jaroslaw Kaczynski kritikoi në një intervistë me gazetën “Welt am Sonntag” politikën e jashtme të Gjermanisë dhe tha se Polonia “nuk është e kënaqur me rolin e Gjermanisë në Evropë”. Në intervistë Kaczynski bëri thirrje po ashtu për një rritje prej 50% të trupave amerikane në Evropë për të luftuar me zjarret e reja të sigurisë në kontinent.
Përgjegjësinë për luftën e mban Putini
Gjatë konferencës për shtyp Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se ai kishte menduar se Putini nuk do të arrinte deri aty sa të pranonte shkatërrimin e plotë ekonomik, politik dhe moral të vendit të tij për çmendurinë e tij perandorake. “Në këtë pikë unë kam gabuar, si të tjerët.” – u shpreh Steinmeier.
Presidenti gjerman tha se përgjegjësinë për luftën e mban shefi i Kremlinit, Vladimir Putin. “Ne nuk duhet ta marrim këtë përgjegjësi mbi vete. Por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të rishqyrtojmë disa gjëra ku kemi bërë gabime”, tha Steinmeieri duke shtuar se me një Rusi nën Putinin nuk do të ketë “kthim në status quo-në e para luftës”. /DW