Ballina Bota Britania: Putin drejt shpalljes së luftës totale në Kiev

Britania: Putin drejt shpalljes së luftës totale në Kiev

Mediat britanike thonë se gjatë paradës ushtarake të 9 Majit, presidenti rus mund të shpallë luftën totale në Kiev duke u tërhequr nga termi Operacion special.

Kjo do të lejonte Kremlinin të aktivizonte ligjin ushtarak, të angazhonte aleatët e tij në ndihmë ushtarake. Megjithatë Moska mohon të ketë në plan një luftë bërthamore.

Forcat ukrainase po luftojnë për të penguar përparimin e trupave ushtarake të Rusisë në juglindje të vendit aty ku ushtria ruse po përpiqet të pushtojë rajonin industrial të Donbasit.

Ndërsa në Mariupolin e shkatërruar, fabrika e çelikut është shndërruar në bastionin e fundit të mbrojtjes së qytetit. Rreth një mijë civilë vijojnë të qëndrojnë brenda fabrikës dhe luten të shpëtojnë. Pamjet satelitore të Maxar Technologies tregojnë se pothuajse çdo ndërtesë në Azovstal është shkatërruar.

Është e paqartë nga imazhet satelitore, nëse mund të jetë shkatërruar ndonjë nga objektet e bodrumit.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Rusia ka dërguar specialistë bërthamorë për të monitoruar centralin e Zaporizhijas, që gjendet në juglindje të Ukrainës.
Centrali bërthamor, është nën kontrollin rus por ende operohet nga stafi ukrainas.

Ndërkohë mediat britanike deklarojnë se Putin mund të braktisë termin “operacion special” dhe të flasë për luftë totale në Kiev. Duke kërkuar një “hakmarrje” për dështimet ushtarake, oficerët e lartë të ushtrisë ruse po e shtyjnë presidentin të shpallë ndryshimin gjatë paradës vjetore të Ditës së Fitores më 9 maj. Lëvizja do të lejonte

Kremlinin të aktivizonte ligjin ushtarak, të angazhonte aleatët e tij në ndihmë ushtarake dhe të shpallte mobilizim masiv.

Megjithatë Rusia përjashton mundësinë e një lufte bërthamore.

Kremlini përsërit linjën e shpallur ditët e fundit nga Lavrov duke thënë se duhet të minimizohen rreziqet e një lufte atomike. Moska akuzon NATO-n se po bën gjithçka për të parandaluar një marrëveshje politike me Kievin.