Ballina Aktualitet Opinione AGRESIONI NË UKRAINË DHE POLITIKA E MBYLLJES SË SYVE

AGRESIONI NË UKRAINË DHE POLITIKA E MBYLLJES SË SYVE

Xhelal Zejneli

– Politika antishqiptare apo antikosovare e Putinit – 

Kush e solli luftën në Ukrainë!?

– E solli kryetari i Rusisë, Putini, për t’i realizuar synimet hegjemoniste dhe ekspansioniste të Moskës në rajone të caktuara përreth dhe më gjerë;

– E solli politika e pabaraspeshuar midis Perëndimit, në një anë dhe Rusisë, në anën tjetër, e kryetarit të Ukrainës, Volodimir Zelenski;

– E solli Uashingtoni, me synimin e tij për ta përfshirë Ukrainën në NATO;

– E solli Berlini, përkatësisht ish-kancelarja Angela Merkel, me politikën e saj të mbylljes së syve, para aspiratave ekspansioniste dhe pushtuese të Moskës;

– E solli Parisi, përkatësisht presidenti Emanyel Makron Emmanuel Macron), me politikën e tij të mbylljes së syve, para aspiratave ekspansioniste dhe pushtuese të Moskës;

– E solli Uashingtoni, duke i mbyllur sytë para politikës proruse të Berlinit dhe të Parisit.

*   *   *

Çështja e mbylljes së shtetësisë së Kosovës, pothuajse njëzet vjet nuk ka lëvizur nga vendi. Përse!? Si është e mundur kjo!? 

Berlini dhe Parisi duhet ta dinë se:

– Kosova është shtet me sistem politik dhe juridik demokratik;

– Të drejtat e pakicave në Kosovë, respektohen sipas standardeve më të larta, si në asnjë vend të Bashkimit Evropian;

– Kosova është shtet që synon anëtarësimin në organizmat euroatlantik – në NATO dhe në BE;

– Kosova është shtet që i përket zonës perëndimore të interesit;

– Kosova është shtet që i përket sferës perëndimore të ndikimit;

– Shqiptarët janë komb properëndimor;

– Kombi shqiptar i përket zonës perëndimore të interesit;

– Kombi shqiptar i përket sferës perëndimore të ndikimit;

– Në rastin e agresionit rus në Ukrainë, kombi shqiptar apo Kosova, duke e dënuar invadimin, u rreshtuan në anën e drejtë të historisë.

Një Kosovë e sipërthënë ka merituar mbështetje nga Berlini dhe Parisi dhe jo shpërfillje. 

*   *   *

Berlini dhe Parisi duhet ta dinë se Serbia:

– Ka qenë dhe është satelite politike e Rusisë në rajon;

– Është përçuese e interesit rus në gadishull;

– Është destabilizuesja kryesore e Ballkanit;

– Armatoset me armë ruse dhe kineze;

– E militarizon rajoni;

– Ndej politikë destruktive dhe luftënxitëse;

– Ka aspirata territoriale nda Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kroacisë;

– Serbia është ndër vendet e rralla të kontinentit e cila nuk i ka vënë sanksione Rusisë për agresionin ndaj Ukrainës. 

Berlini dhe Parisi duhet ta dinë se:

– Pothuajse i tërë kabineti i Aleksandar Vuçiqit përbëhet prej personave të kohës së Sllobodan Millosheviqit;

– Politika e Vuçiqit nuk ka asnjë dallim prej politikës së Millosheviqit dhe të Vojisllav Sheshelit;

– Mediumet e sotme të Serbisë nuk kanë asnjë dallim nga ato të kohës së Millosheviqit.

  

Një Serbi destruktive, destabilizuese dhe luftënxitëse ka merituar ndëshkimin e Berlinit e të Parisit dhe përkëdheljen e tyre. 

Amerika ndërkaq, para sjelljes shpërfillëse të Berlinit dhe të Parisit ndaj Kosovës, duket sikur i ka mbyllur sytë. Amerika ndërkaq, para përkëdheljes së Serbisë nga Berlini dhe Parisi, duket sikur i ka mbyllur sytë. E dhimbshme.

Vuçiqi e militarizon Serbinë, tenton t’i sjellë në rajon Rusinë dhe Kinës, çon në kufijtë e Kosovës një tren të ngarkuar me çetnikë serbë, pranë kufijve të Kosovës, demonstron forca ushtarake, në afërsi të Kosovës krijon qendër ruse spiunazhi, deklaron se “çështja” e Kosovës mund të shndërrohet në konflikt të ngrirë.

Uashingtoni, Londra, Berlini dhe Parisi duhet ta dinë se Serbia ushtron gjenocid ndaj shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë). Fati tragjik i shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) duhet të shtrohet në OKB. 

Ç’kërkon Serbia nga Prishtina, kur e gjithë bota e di se të drejtat e pakicave në Kosovë garantohen me Kushtetutë dhe me ligje, si në asnjë vend të botës. Pakica serbe në Kosovë, në Kuvendin e shtetit i ka të garantuara dhjetë mandate deputetësh. Pakica serbe në qeverinë e Kosovës e ka të garantuar një dikaster ministror. Serbishtja në Kosovë njihet si gjuhë zyrtare. Pakica serbe në Kosovë, në bashki të caktuara administron pushtetin vendor. Të drejta të këtilla nuk ka asnjë pakicë në vendet e Bashkimit të Evropian.

Kërkesat e Beogradit, për të drejtave të sipërthëna nuk janë veçse kërkesa territoriale. 

Uashingtoni, Londra, Berlini dhe Parisi duhet të dinë dy gjëra;

– E para, kërkesat territoriale janë në kundërshti të plotë me parimet e BE-së për mosndryshimin e kufijve; dhe

– E dyta, krijimi i të ashtuquajturës bashkësi komunash me shumicë serbe, nënkupton krijimin në Kosovë të një dodik republike, si ajo në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Me parimet e BE-së është përcaktuar respektimi i lirive dhe i të drejtave të njeriut dhe jo ndryshimi i kufijve. 

A nuk e shohin qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni, Londra, Berlini dhe Parisi se çfarë problemesh i ka sjellë Bosnjës dhe Hercegovinë dodik republika?! Millorad Dodiku, i shpallur person i padëshiruar nga Uashingtoni, nuk i bindet Sarajevës dhe deklaron se Republikën Serbe do ta shkëpus nga BH-ja. Pas shkëputje, mund t’ia bashkëngjitë Serbisë. 

Është mirë që Beogradi të kërkojë zajednica apo dodik republika në Serbi, ku të diskriminuar jetojnë shqiptarët e Kosovës lindore dhe boshnjakët e Sanxhakut. Në Vojvodinë jetojnë 26 minoritete etnike, midis tyre edhe qindra mijë hungarezë.   

Brenda këtyre njëzet vjetëve, Berlini dhe Parisi nuk duket të kenë bërë ndonjë hap për t’i bindur Greqinë, Rumaninë, Spanjën, Sllovakinë dhe Qipron që ta njohin pavarësinë e Kosovës demokratike. 

Lidhur me punën e Kosovës, shqiptarët duhet të veprojnë si një komb i bashkuar:

– Marrëdhëniet diplomatike me Rusinë, Shqipëria duhej t’i kishte ulur në nivel më të ulët;  

– Me vendet e kontinentit që nuk e kanë njohur Kosovën, Tirana duhet të zhvillojë marrëdhënie të reduktuara;

– Me Serbinë që i kanoset Kosovës me sulm ushtarak, Tirana duhet t’i ngrijë marrëdhëniet diplomatike. 

Ambasadori i Rumanisë në Tiranë deklaron se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Rumanisë janë të shkëlqyera. Në anën tjetër, përfaqësuesi i Rumanisë në Interpol, lëre që votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë forum, por u ngjit në foltore dhe foli kundër saj, gjë që e bënë rrallë shtete që votuan kundër. 

Në vitin 2009, Spanja e nderoi shkrimtarin e madh Ismail Kadarenë me çmimin “Princi Asturias” (Princess of Asturias) për letërsi, por në anën tjetër nuk e njeh Kosovën. E dhimbshme. Një krahasim midis katalonasve përballë Spanjës së madhe dhe demokratike, në një anë dhe Kosovës, njëqind vjet të shtypur, përballë një copë Serbie – unitare, despotike dhe antidemokratike, në anën tjetër, as që duhet të paramendohet.

*   *   *

Në njëzet vitet e kaluara, kryetari i Rusisë, Putin dhe ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergej Lavrov, dy antishqiptarë të përbetuar, janë frenuesit kryesorë të dialogut të Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata i kanë thënë Vuçiqit: “Kërko nga Kosova sa më shumë që të jetë e mundur. Deklaro njëherazi se Serbia kurrë s’ka për ta njohur Kosovën. Rusia qëndron pas Serbisë”

E izoluar nga bota demokratike, Moska kërkon sot shtegdaljeje për në skenë, nëpërmjet Beogradit. Njëherazi, Putini ia premton Vuçiqit mbështetjen ruse për krijimin e zaejednicës apo të dodik republikës. Berlini dhe Parisi nuk duhet të rinë indiferentë para kësaj aleance antiperëndimore. Si mund t’i lejohet Serbisë të përfitojë në të dyja anët, edhe nga Perëndimi edhe nga Lindja!? Dhe përse!? A kaq e rëndësishme na qenkësh kjo farë Serbie. 

Josip Brozi dikur e çonte mirë, si me Lindjen ashtu edhe me Perëndimin. E merrte veten për prijës të të ashtuquajturave venede të painkuadruara. E çonte mirë me arabët, me Kim Il Sungun e Koresë së Veriut, me Kinën dhe me të tjerë. Vetëm me Izraelin s’e çonte dot mirë. Megjithëkëtë, e ashtuquajtura Jugosllavi e Titos u shpërbë në gjak. Ky farë Vuçiqi, sikur synon ta imitojë atë.

*   *   *

Askush s’e di se ç’kanë biseduar për Kosovën Angela Merkeli dhe Putini apo kryetari i Francës Emanyel Makron dhe kryetari i Rusisë – Putin, gjatë takimeve të shpeshta të tyre?! S’mund të ketë asnjë dyshim se Putini ka biseduar me këta dy liderë të Evropës edhe për Kosovën. Përkundër interesave ekonomikë që i ka pasur dhe që i ka Gjermania në marrëdhëniet me Rusinë, Berlini është dashur ta dinte se ekziston një vijë e kuqe e cila në asnjë mënyrë nuk    ishte dashur të kapërcehej. Ndryshe, s’kemi si të mos e kujtojmë pushtimin e Sudetit në vitin 1938 dhe takimin e Munihut midis Çemberlenit, Daladies, Musolinit dhe Hitlerit.

Nuk është e rastit që gjatë dialogut të Brukselit, në kuadër të BE-së janë të përfshirë dy persona që vijnë nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën – Josep Boreli i Spanjës dhe Miroslav Lajçaku i Sllovakisë. Hiç më e mirë s’ishte edhe italiania Federika Mogerini (Federica Mogherini). Ajo s’ishte veçse instrumente në duart e vendimmarrësve.      

*   *   *

Amerika sa më parë duhet ta pranojë Kosovën në NATO dhe të ushtrojë ndikimin e vet për pranimin e saj në Këshillin e Evropës dhe në BE. Njëherazi, qendrat filoserbe të BE-së duhet të heqin dorë nga mbështetja e pakursyer e Serbisë proruse. 

Me rastin e dështimit të vizitës së Sergej Lavrovit në Beograd, më 6.6.2022 Vuçiqi i dha një intervistë RTS-së (Radio-televizionit të Serbisë), emisioni Ditari. Me këtë rast, vendet që ia ndaluan ministrit rus shfrytëzimin e hapësirës ajrore, Vuçiqi i quajti lukuni (zogori, hordhi), në serbisht: čopor. Gjatë samitit të Ballkanit të Hapur të mbajtur në Ohër më 7 dhe 8 qershor të vitit në vazhdim,, Vuçiqi u takua me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevskin si dhe me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviqin, ndonëse një ditë më parë, përfshi edhe autoritete bullgare, i kishte quajtur lukuni.