Nga Xhelal Zejneli
Me rastin e 12-vjetorit (15.06.2010) të vajtjes në amshim të yllit të kinematografisë botërore
Pjesë nga intervista e Bekim Fehmiut dhënë revistës “Përpjekja”, Nr. 31, datë 02.10.1981, Beograd, organ i klubit me të njëjtin emër të studentëve shqiptarë të Universitetit të Beogradit
* * *
Studentët shqiptarë në Beograd, kryesisht nga Kosova, e kishin klubin e vet që quhej “Përpjekja”. Selia e tij ishte në Qytetin e Studentëve në Novi-Beograd. Në vitet ’90 klubi e themeloi edhe revistën e vet, me të njëjtin emër. Në kohën e themelimit të revistës, kryetar i Këshillit redaktues ishte absolventi i stomatologjisë, Jahja, ndërsa kryeredaktor i saj isha unë.
Në një mbledhje të redaksisë së revistës, njëri prej anëtarëve të saj e dha një propozim që të realizohet një intervistë me aktorin e famshëm Bekim Fehmiun. Natyrisht, propozimi u mirëprit. Atë duhej ta realizonte studentja Shqipe Malushi – anëtare e Këshillit redaktues.
E merrja me mend se do të ishte vështirë ta takonte Bekimin. Prandaj, para se të orvatej për të kontaktuar me aktorin e madh të filmit, e përpilova një letër të cilën nëpërmjet personit kompetent të zyrës së Bekimit, duhej dorëzuar atij. Në letër pata shkruar se intervista do të botohej në numrin vijues të revistës “Përpjekja”, që është organ i klubit me të njëjtin emër, të studentëve shqiptarë në Beograd. Pata shkruar se revista është mujore, se ka përmbajtje kulturore dhe shkencore, se shpërndahet ndër studentët shqiptarë në Beograd, se një pjesë e tirazhit shpërndahet edhe në Kosovë, se në të botojnë edhe krijues dhe studiues nga Prishtina, se intervista do të realizohej me pajisje teknike incizimi dhe xhirimi, se në rast nevoje, intervista, para se të botohej, do t’i nënshtrohej procesit të lektorimit dhe të redaktimit profesional, se intervista do të duhej të përfshihej në dy faqe të revistës, se intervistës do t’i bashkëngjiteshin edhe fotografi të caktuara, se intervista, para se të botohej, do t’i dorëzohej autorit për autorizim, se pas intervistës qëndron Këshilli redaktues i revistës “Përpjekja”, se lënda e incizuar dhe e xhiruar, do të depozitohet në arkivin e klubit “Përpjekja”, se vendi dhe koha e realizimit të intervistës, janë çështje që duhet t’i caktojë vetë autori i saj…
Në fund të letrës, në emër të Këshillit redaktues, i shfaqa respekt Bekimit, duke shënuar edhe numrin e telefonit të zyrës së redaksisë dhe sugjerimin që të kenë mirësinë të na kërkojnë pas orës 18.
Pas ca ditësh, intervistuesja e nisi angazhimin për të kontaktuar me Bekimin. Ashtu sikundër e kisha parashikuar, nuk kishte mundur ta takojë. Ajo ishte takuar me gruan e Bekimit – Branka Petriç-in, aktore e shquar me prejardhje kroate dhe serbe, e lindur më 1937 në Novi Vinodolski të Kroacisë. Prej saj kishte mësuar se Bekimi ndodhet në SHBA, se është e mundur të kthehet brenda një muaji, se për një revistë të studentëve shqiptarë me gjithë dëshirë do të gjente kohë për të dhënë intervistë, sapo të kthehej, letrën do t’ia dorëzonte…
Kaluan një muaj, s’na u lajmërua kush, as nga zyra e Bekimit, as nga familja e tij. Kryetari i klubit – Jahja, më sugjeroi të ndërmerrja diç në këtë drejtim. Do të presim dhe ca – ia ktheva. Në ditën e dyzet, rreth orës 18, ra zilja e telefonit të zyrës së redaksisë.
“Mirëmbrëma! Këtu familja e Bekim Fehmiut. Na duhet kryeredaktori i revistës studentore Përpjekja”.
“Jam unë” – u përgjigja. “Me kërkesën Tuaj, e keni në lidhje Bekimin”.
Gjatë bisedës, Bekimi më tha se, përkundër agjendës së ngjeshur, do të jepte intervistë për një revistë të studentëve shqiptarë. Kohën dhe vendin e realizimit të saj, e la në dispozicionin tonë. Duke e marrë me mend se ai menjëherë mund të nisej diku në botë, i thash që intervista të realizohet të nesërmen në orën 17, në hapësirat përkatëse të hotelit “Majestic” në qendër të Beogradit.
Të nesërmen, në vendin dhe në kohën e caktuar, intervistuesja dhe ekipi i incizimit dhe i xhirimit e realizuan intervistën. Po atë natë, zërin e incizuar e nxorëm në letër.
* * *
Pjesë nga intervista
Redaksia: Midis Sarajevës, Prizrenit, Prishtinës, Beogradit dhe botës, ku e shihni atdheun Tuaj?
Bekimi: Prindërit i kam gjakovarë, kam lindur në Sarajevë, një pjesë të fëmijërisë e kam kaluar në Shkodër, jam shkolluar në Prizren, kam studiuar në Beograd, karrierën si aktor e kam filluar në Teatrin Popullor të Prishtinës, kam xhiruar filma në disa vende të botës. Megjithatë, atdheu im është çdo pëllëmbë e trojeve shqiptare në Gadishullin Ballkanik, ku flitet gjuha shqipe. Rrethanat historike determinuan që romantikët arbëreshë veprat e veta letrare t’i krijojnë përtej detit, por gjithmonë me zemrën dhe sytë drejtuar në brigjet e Ilirisë. Edhe rilindësit shqiptarë të shekullit XIX e kryen misionin e tyre kombëtar, kulturor, letrar dhe politik duke vepruar në disa nga qendrat e vendeve të Gadishullit.
Redaksia: I takoni një brezi të shquar të intelektualëve shqiptarë, siç janë Ismail Kadare, Prof. Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Prof. Gazmend Zajmi dhe shumë të tjerë. Cili është roli i inteligjencies shqiptare sot?
Bekimi: Shkrimtarin e njohur – Ismail Kadarenë kam pasur rastin ta takoj në një pritje të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë, gjatë vizitës sime në Shqipëri, në vitin 1972. Përkundër angazhimeve të shumta në fushën e filmit, çdo çast të lirë synoj ta shfrytëzoj për ta përcjellë krijimtarinë letrare-artistike në gjuhën shqipe. Jo vetëm brezi im i intelektualëve që përmendët Ju, por edhe brezat e ri të inteligjencies shqiptare, kanë një mision historik që me veprimtarinë e tyre krijuese dhe shkencore-studimore, të kontribuojnë që bota shqiptare të ecën në hap me vendet më të përparuara të kontinentit. Inteligjencia shqiptare arriti t’i krijojë institucionet kulturore, shkencore dhe arsimore të Kosovës. Me këtë, ajo dëshmoi se është në krye të përgjegjësisë historike. Misioni i saj vazhdon.
Redaksi: Po aktorët kosovarë të teatrit, përkatësisht të filmit…?
Bekimi: Do të kisha thënë se shqiptarët, sikur janë të lindur për art dhe për aktrim. Jam më se i bindur se aktorët kosovarë të teatrit apo të filmit, posedojnë talent dhe përgatitje të jashtëzakonshme. Ata do të kishin mundur të realizojnë role edhe në skenat teatrore dhe në qendrat kinematografike më prestigjioze të kontinentit dhe të SHBA-së. Ne sikur na frymëzojnë Aleksandër Moisiu, arvanitja e famshme Irena Papas dhe aktori më i madh i kinematografisë amerikane në zhanrin e humorit, Xhon Belushi. Hamleti shqiptar – Alekdandër Moisiu, interpretoi në skenat e Vjenës, të Berlinit, të Moskës, të Shën-Petërburgut dhe në shumë skena të tjera të Evropës.
Redaksia: Protestat e studentëve shqiptarë në Prishtinë, të 11 dhe të 26 marsit, i keni mbështetur publikisht. Si e shihni perspektivën e shqiptarëve?
Bekimi: I kam mbështetur publikisht, jo vetëm demonstratat e studentëve shqiptarë të 11 dhe të 26 marsit, por edhe protestat e mëdha popullore të 1 dhe 2 prillit të vitit 1981 që shpërthyen në mbarë Kosovën. Gjithë bota e di se studentët janë faktori më i rëndësishëm i çdo populli dhe i çdo shoqërie. Janë promotori i proceseve në shoqëri. Kam thënë dhe po e përsëris se në një shoqëri apo në një vend ku nuk respektohen parimet demokratike themelore, kërkesat e studentëve apo ato popullore, qofshin sociale, kombëtare apo edhe politike, nuk duhet të priten me bajoneta, me tanke dhe aeroplanë. Sa i përket pyetjes Suaj për perspektivën e shqiptarëve, po ju them me bindje të palëkundur se tre milionë shqiptarë në Jugosllavi, që jetojnë në trojet e stërgjyshërve ilirë, me rininë që dita-ditës arsimohet, me inteligjencien që u prin proceseve historike dhe me vitalitetin që e shquan popullin tonë – do ta realizojnë idealin e madh të barazisë kombëtare, të zhvillimit ekonomiko-shoqëror, të emancipimit të gjithanshëm dhe të përparimit të vazhdueshëm.
Redaksia: Ju jeni një prej luftëtarëve më të mëdhenj të Luftës së Trojës. Odiseu, gjatë bredhjeve dhjetëvjeçare nëpër Mesdhe është ndalur edhe në brigjet e Ilirisë. Cila është odiseada Juaj në botën e filmit?
Bekimi: Shkrimtari austriak me prejardhje hebraike, i lindur në Pragë – Franc Kafka, thotë: “Historia ime është histori e mbylljes së syve”. Autori i Jozef K-së, forcave të padukshme të territ u ka bërë ballë – në rrugën artistike – me veprën e tij të madhe. Në rrugën drejt Itakës, i biri i Laertit – Odiseu – u pengua, dhe jo vetëm nga Poseidoni, babai i ciklopit Polifem. Ai hasi edhe në rreziqe të tjera siç ishin Kalipsoja, magjistarët dhe nimfat e detit që vepronin për ta përplasur atë në brigjet shkëmborë. Përkundër stuhive, unë kurrë nuk jam gjunjëzuar para forcave satanike. Vazhdimisht i kam flakur ato në mënyrën time, tërthorazi por edhe drejtpërsëdrejti.
Redaksia: Gjatë karrierës Suaj në kinematografi, për cilin nga rolet jeni ndjerë më krenar?
Bekimi: Në arenën ndërkombëtare, krenar jam ndjerë në radhë të parë për identitetin tim, të cilin jo vetëm që e kam ruajtur, por edhe e kam potencuar dhe afirmuar. Në qendrat botërore të filmit mëtonin të më paraqesin si aktor jugosllav. Aty për aty dhe në vazhdimësi kam reaguar, duke ua bërë me dije producentëve dhe regjisorëve të botës se nuk jam jugosllav, por shqiptar nga Jugosllavia. Ky – kisha për të thënë keqkuptim i qendrave botërore të filmit – shpejt u mënjanua. Ndaj, kudo që kam vajtur, jam prezantuar si shqiptar. Një kohë, në SHBA ka pasur huti edhe për prejardhjen e kinoaktorit komik Xhon Belushit, por erdhi një ditë dhe e gjithë bota e filmit e kuptoi se ai është bir i një shqiptari, të emigruar në SHBA nga mesi i viteve ’30 nga rrethi i Korçës. Aleksandër Mojsiu, Xhon Belushi, Irena Papas dhe të tjerë, duke i arritur majat më të larta të artit filmik, i kanë shërbyer njerëzimit. Rrjedhimisht, ata janë edhe krenari e popullit shqiptar.
Redaksia: Ç’porosi keni për studentët shqiptarë?
Bekimi: Një rilindës yni i madh, Naimi, ka thënë “… dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë…” Të studiojnë me përkushtim, ta rrisin ndjenjën e përgjegjësisë, të aftësohen në fushat për të cilat janë përcaktuar, të kthehen në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare – për ta kryer me devotshmëri misionin historik të ngritjes së shoqërisë shqiptare, në rrugën plot peripeci drejt vlerave qytetëruese.
* * *
Shpejt pas intervistës së Bekim Fehmiut, revista “Përpjekja”, me një aktvendim të organeve serbe, u ndalua. Nuk vonoi shumë, me një aktvendim tjetër të po të njëjtit organ serb, u mbyll edhe klubi i studentëve shqiptar “Përpjekja”, i themeluar në vitin e largët 1959. Nacionalizmi serb, thelbi i të cilit ishte antishqiptarizmi, po merrte hov.