Ballina Bota Analiza Si e ka deformuar psikologjikisht Putinin puna e tij si agjent i...

Si e ka deformuar psikologjikisht Putinin puna e tij si agjent i KGB-së

Nga Andreas Kluth “Bloomberg

Një mënyrë për ta imagjinar për një moment veten sikur je futur në mendjen e deformuar të një despoti si presidenti rus Vladimir Putin, është që të hetosh së pari në skutat më të errëta të psikikës tënde, dhe pastaj të kuptosh se çfarë është e ndryshme tek ajo e liderit në Kremlin. Lista e dallimeve është gjatë, por një dukuri e zakonshme por dhe e rëndësishme që në frëngjisht quhet “deformation professionelle”, deformimi i mendjes për shkak të profesionit.

Ekspertët përdorim shpesh termin në frëngjisht jo vetëm sepse kjo gjuhë e përkufizon më mirë atë që ndodh, por edhe sepse fraza përmban një lojë fjalësh që nuk përkthehet tamam si “deformim profesional”. Termi “professionelle” do të thotë formim profesional. Ndaj “deformation professionelle” i referohet vizionit të tunelit, paragjykimeve dhe shtrembërimeve që marrim ndërsa bëhemi ekspertë në çdo gjë që bëjmë.

Për shembull, shumë prokurorë kur ecin në çfarëdolloj rruge, shohin majtas e djathtas, dhe do të shohin njerëz që janë fajtorë për diçka, por që nuk janë kapur ende. Avokatët mbrojtës që shëtisin në të njëjtin trotuar do të shikojnë përreth, dhe do të shohin qenie njerëzore që akuzohen padrejtësisht për një gjë apo diçka tjetër.

Zakonisht, “deformimi profesional” mund të vërehet kudo rreth nesh. Kjo vlen edhe për profesorin që kthehet në shtëpi në mbrëmje dhe sillet bezdisshëm sikur të ishte ende në sallën e leksioneve me bashkëshorten dhe fëmijët. Apo edhe eksperti e IT në kompaninë tuaj – të cilit i keni besuar sigurinë kibernetike – që e bën hyrjen në kompjuterin tuaj aq të vështirë sa që nuk do të bëni më kurrë ndonjë punë.

Natyrisht, në kontekstin e gjeopolitikës në përgjithësi, dhe të sulmit rus në Ukrainë në veçanti, rreziqet që sjell ky fenomen janë shumë më të larta. Putin vuajti pasojat e “deformimit profesional” gjatë punës së tij në KGB, agjencia e spiunazhit të ish-Bashkimit Sovjetik.

Ai punoi atje nga viti 1975, kur ishte në të njëzetat, deri pak para shembjes së Bashkimit Sovjetik. Deri më sot, atij i pëlqen të theksojë se nuk ekziston diçka e tillë si “ish-agjenti” i KGB-së. Njerëzit mund të jenë larguar vërtet nga agjencia, por ajo nuk i ka braktisur asnjëherë ata.

Prandaj, shumë kohë përpara se të bëhej udhëheqës i një fuqie bërthamore, ai ndërtoi një identitet dhe personalitet si një fantazmë. Mendoni pak: Ai nuk u ngjit në pushtet pasi kandidoi për ndonjë post, pasi u shtrëngoi duart njerëzve dhe puthte fëmijët; as pas menaxhimit të suksesshëm të ndonjë kompanie, shërimit të pacientëve, kërkimit mbi mRNA apo shitjes së mini-aplikacioneve.

Putin u vendos në krye Kremlinit duke spiunuar qeniet njerëzore, si dhe duke i gjurmuar dhe manipuluar ata. Çfarë i shkaktoi kjo mendjes së Putinit që kemi sot përballë? Ruediger von Fritsch, një ish-ambasador i Gjermanisë në Rusi, përshkruan pasojat psikologjike.

Putin e rendit gjithçka në jetën – private apo publike, ruse apo globale – në kategori armiqësish, komplotesh apo kërcënimesh aktuale apo të mundshme.

Politologu i njohur bullgar Ivan Krastev, pajtohet me këtë ide duke u shprehur: “Putin flet vazhdimisht për tradhti dhe mashtrim”. “Ndërsa Putin analizon historinë dhe ngjarjet aktuale thotë: Gjërat nuk ndodhin asnjëherë spontanisht. Nëse njerëzit demonstrojnë, ai nuk pyet: Pse janë në rrugë? Por thotë: Kush i dërgoi ata?”- shkruan Krastev.

Parë në këtë këndvështrim, shumë nga halucinacionet e Putinit bëhen të pabesueshme. Bashkimi Sovjetik nuk u shemb vetë; por u sabotua nga një Perëndim armiqësor. “Revolucionet shumëngjyrëshe” në ish-Republikat Sovjetike, nuk ishin thirrjet për liri nga njerëzit që ndiheshin të shtypur. Ata protestues ishin punësuar ose manipuluar nga CIA dhe shërbime të tjera sekrete perëndimore.

Ukrainasit nuk duan që t’i bashkohen Bashkimit Evropian për shkak të premtimin të tij për prosperitet, përparim dhe liri. Ata po e bëjnë këtë sepse drejtohen nga nazistët, objektivi i vërtetë i të cilëve është të rrethojnë dhe tradhtojnë Rusinë dhe Putinin.

Një aspekt tjetër i këtij deformimi profesional të personalitetit dhe mendjes ka të bëjë me të vërtetën ose më saktë me mungesën e plotë dhe parëndësinë e vetë këtij koncepti. Për vite me radhë, njerëz si Peter Pomerantsev, një gazetar britanik me origjinë sovjetike, kanë vënë në dukje se Putini e shfaq fuqinë e tij duke e përcaktuar “realitetin” në mënyrë arbitrare si të dojë vetë.

Agjenti i dikurshëm por dhe i përhershëm i KGB-së e di se “nëse asgjë nuk është e vërtetë, atëherë gjithçka është e mundur”, mendon Pomerantsev . “Ne jemi të fiksuar pas idesë së nuk e dimë se çfarë do të bëjë më pas Putin, se ai është i paparashikueshëm dhe për rrjedhojë i rrezikshëm. Jemi të shtangur dhe të turbulluar nga përdorimi si armë i absurdit dhe joreales nga ana e Kremlinit”- shton ai.

Në kohën që ishte ambasador i Gjermanisë në Moskë, Von Fritsch përjetoi personalisht përshtypjen e fortë psikologjike që shkaktoi tek të tjerët kjo qasje. “Në disa biseda në Moskë pas aneksimit të Krimesë në 2014, unë pata ndjenjën se ishim ne dhe jo Rusia që e pushtoi gadishullin”.

Në rast se nuk ka një të vërtetë, nuk ka më rëndësi nëse e shtrembëroni realitetin apo e përmbysni atë, për aq kohë sa mund ta bëni këtë. Në sistemin e Putinit, gënjeshtra nuk është një gabim, por një veçori. Atëherë, çfarë e bën Putinin të ndryshëm nga ne të tjerët?

Shumë gjëra. Së pari, ndonëse të gjithë mund të vuajmë nga ndonjë “deformim profesional” (gazetarët vështirë se janë të imunizuar), shumica nga ne nuk janë spiunë. Së dyti, sado të njëanshme të jenë botëkuptimet tona, shumica prej nesh duhet ende të ndeshet dhe të ndërveprojë herë pas here me njerëz të tjerë, të cilët kanë këndvështrime të ndryshme.

Nga ana tjetër, Putin duket se është plotësisht i izoluar në realitetin e tij alternativ. Së treti, shumica prej nesh nuk kanë një fuqi të mjaftueshme për të lënduar miliona kalimtarë të pafajshëm (edhe pse familjarët e viktimave në masakrën e Uvalde në Teksas, e dinë se edhe një person që vepron vetëm mund të shkatërrojë jetën e shumë njerëzve).

Putin e ka atë fuqi, e cila vjen me kodet e lëshimit të armëve bërthamore. Vitet e tij të formimit në radhët e KGB i shkaktuan një deformim profesional aq të madh Vladimir

Putinit, saqë ai është sot cinik, paranojak, hakmarrës, i paskrupullt dhe i pamëshirshëm.

Dhe mbi të gjitha gënjeshtar. Ukraina, Perëndimi dhe bota duhet ta kenë parasysh këtë kur hartojnë një strategji kundër tij. /abcnews.al