Ballina Bota Ç’duhet të bëjë Biden nëse Putin përdor një armë bërthamore në Ukrainë?

Ç’duhet të bëjë Biden nëse Putin përdor një armë bërthamore në Ukrainë?

Nga Walter Russell Mead “Wall Street Journal”

Ukraina shënoi gjatë fundjavës së kaluar një fitore mbresëlënëse në rajonin Kharkiv. Forcat ruse të dërrmuara u tërhoqën në panik duke braktisën shumë armë, tonelata municionesh dhe furnizimesh shumë të nevojshme. Ky moment, sinjalizon një fazë të re në luftën katastrofike të Vladimir Putinit në Ukrainë.

Ushtria ukrainase është më e armatosur, e udhëhequr më mirë, dhe është më e përkushtuar ndaj luftës sesa kundërshtarët e saj rusë. Dhe tani morali midis mbrojtësve të Ukrainës do të jetë më i lartë se kurrë më parë. Në këtë situatë, zgjedhjet që ka në dispozicion Putini duken se janë të zymta.

Teksa po përpiqet të stabilizojë disi situatën ushtarake, në një kohë që u mbyll gojën kritikëve në vend, presidenti rus duhet që të zgjedhë midis pranimit të një disfate poshtëruese në Ukrainë, dhe dyfishimit të përpjekjeve me synim arritjen e një lloj fitoreje ushtarake.

Dhe në një kohë kur akoma më shumë armë perëndimore po mbërrijnë në duart e mbrojtësve tejet të motivuar të Ukrainës, ky objektiv duket shumë i vështirë për t’u arritur. Ukraina mund të ketë të drejtë të festojë, dhe madje të gëzohet për një sukses ushtarak të arritur me shumë mund dhe sakrifica.

Administrata e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, meriton merita për udhëheqjen e rritjes së mbështetjes së aleatëve ndaj Kievit,gjë që bëri të mundur arritjen e jashtëzakonshme të ukrainasve. Mbështetësit e paqes dhe lirisë në mbarë botën, mund të gëzohen që agresioni i pakujdesshëm i Vladimir Putin, e ka vendosur tashmë atë në një pozitë shumë delikate.

Por fitorja e Ukrainës në frontin verior, sado e mirëpritur që ishte, nuk nënkupton fundin e luftës aktuale. Ndërsa Putin është duke menduar mbi opsionet që ka në dispozicion, ne mund t’i afrohemi momentit të një rreziku maksimal, raporton abcnews.al.

Për Putinin, lufta në Ukrainë filloi si ajo që kreu i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, Richard Haass, e ka quajtur një “luftë të zgjedhur prej tij”. Putin mund të mos e kishte sulmuar Ukrainën, dhe të vazhdonte ta sundonte Rusinë edhe për shumë vite në vijim.

Por pasi ka zgjodhi vetë që ta nisë këtë luftë, ai nuk ka luksin që ta humbasë atë. Nacionalistët radikalë rusë, kanë nisur tashmë ta fajësojnë për dështimet ushtarake në Ukrainë. Kremlini nuk është një vend për të dobëtit.

Dhe drejtuesit e dorës së fortë që drejtojnë Rusinë, mund t’i kundërvihen hapur një Putini të dëmtuar rëndë në aspektin politik. Pavarësisht nga ndjenjat publike në mbarë Rusinë, njerëzit më pranë Putinit ka të që të duan që ai ta fitojë luftën. Çështja është se çfarë do të bëjë më pas Putin.

Në rast se do të mundet ta stabilizojë frontin ushtarak rus derisa të mbërrijë dimri, ai ka disa muaj kohë për t’u përgatitur për pranverën e ardhshme. Dhe mund ta përdorë këtë kohë për të organizuar një mobilizim të përgjithshëm, duke ndërtuar një ushtri shumë më të madhe me rekrutë për të përballuar një vit tjetër luftimesh konvencionale.

Por nëse fronti rus nuk stabilizohet, apo nëse ai mendon se rezistenca publike ndaj një mobilizimi të përgjithshëm. mund të rrezikojë stabilitetin e regjimit të tij, mund të shqyrtojë opsione dhe më drastike, siç është përdorimi i armëve bërthamore në Ukrainë.

Në këtë rast, nuk është e qartë se si do të kundërpërgjigjet Perëndimi. Lejimi i Putinit për të përdorur armët e tij bërthamore, si një mjet për të vendosur nën kontrollin e tij mbi gjithë Ukrainën, do të ishte një akt kaq i neveritshëm, sa që do të trondiste deri në palcë themelet morale dhe politike të NATO-s, raporton abcnews.al.

Atë do ta vëzhgonin me kujdes edhe shtete e tjera agresore, që janë të armatosura me armë bërthamore. Megjithatë edhe kundërveprimi i dukshëm, vendosja e Ukrainës nën një ombrellë bërthamore amerikane, rrezikon krizën më të madhe bërthamore që kur John F.Kennedy dhe Nikita Hrushovi u përballën me Krizën e Raketave në Kubë në tetorin e vitit 1962.

Deri më sot, politika amerikane ka synuar shmangien e zgjedhjes midis braktisjes së Ukrainës dhe provokimit të një konfrontimi bërthamor me Rusinë. Që të funksionojë një politikë e tillë, Uashingtonit i duhet një rezistencë e kalibruar e Ukrainës:jo aq e dobët saqë Rusia të korrë një fitore të qartë, por gjithashtu jo aq të fortë dhe të suksesshme sa që përballë një disfate dërrmuese, Rusia t’i drejtohet në dëshpërim e sipër arsenalit të saj bërthamor.

Përparimet e Ukrainës në verilindje, nuk e detyrojnë ende Putinin të zgjedhë midis shantazhit bërthamor dhe disfatës së tmerrshme. Terreni relativisht i sheshtë dhe i hapur i Ukrainës Lindore, favorizon historikisht luftërat me lëvizshmëri të lartë, ku ushtritë zhvendosen sa para-mbrapa në distanca të mëdha, pa arritur domosdoshmërisht rezultate ushtarake vendimtare.

Fakti që Rusia dhe Ukraina kanë ushtri relativisht të vogla përgjatë një fronti shumë të gjatë, e rrit më tej mundësinë e përparimeve. Kjo nuk është Lufta e Parë Botërore, në të cilën ushtri gjigante ishin të ngulitura thellë përgjatë një linje fronti kryesisht të palëvizshëm.

Dhe duke pasur parasysh mungesën e trupave dhe pajisjeve, komandantët e kujdesshëm nuk kanë gjasa që ta vazhdojnë ofensivën aktuale të Ukrainës për një kohë të pacaktuar. Megjithatë, Perëndimi duhet të mendojë edhe për të paimagjinueshmen:nëse nuk ndodh skenari i Uashingtonit, dhe suksesi i vazhdueshëm i ukrainasve në fushën e betejës e kthen Putinin në një “mi” të izoluar në një cep, çfarë atëherë mund të ndodhë?

Sado e vështirë që mund të jetë, presidenti Joe Biden nuk duhet që të trembet. Përdorimi i armëve bërthamore në Ukrainë, do të rrezikonte seriozisht sigurinë e aleatëve tanë të NATO-s, dhe do të përbënte një shembull të agresionit të mbështetur nga amët bërthamore, i cili do ta destabilizonte thellësisht sistemin ndërkombëtar, raporton abcnews.al

Me mbështetjen e drejtuesve nga të dyja partitë në Kongres dhe Senat, zoti Biden duhet t’ia bëjë të qartë Rusisë se një sulm bërthamor ndaj Ukrainës, do të ishte një akt lufte kundër vetë SHBA-së. Dhe nëse Vladimir Putin zgjedh rrugën e Nikita Khrushchev, atëherë Joe Biden duhet të sillet si John F.Kennedy dikur.

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al