Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan ngriti një padi kundër nënpresidentit të Bundestagut, Wolfgang Kubicki për fyerje dhe shpifje, përmes avokatit të tij në Këln.
Sipas Protothema, Kumbicki, lideri i Liberalëve (FDP), gjatë fjalimit të tij të fushatës në Saksoninë e Poshtme të dielën e kaluar e quajti presidentin turk një “mi i vogël kanalesh” dhe e akuzoi atë për përdorimin e çështjes së refugjatëve si një mjet për të ushtruar presion politik mbi Evropën.
Politikani gjerman më vonë u përpoq ta rindërtonte deklaratën, duke folur për “një qenie të vogël, të lezetshme, të zgjuar dhe dinake, si Ratatouille“, por duket se nuk e ka bindur palën tjetër, pasi ambasadori gjerman në Ankara është thirrur në Ministrinë e Jashtme turke për të dhënë shpjegime.
Në padinë e tij, avokati i Erdoganit, Mustafa Kaplan thekson, sipas revistës Der Spiegel, se termi “miu i kanaleve” i referohet një personi që konsiderohet i degraduar moralisht dhe i neveritshëm” dhe argumenton se këtu nuk bëhet fjalë për kritika të vërteta, por për shpifje. Ai thirret edhe në arsye fetare, të cilat e bëjnë shumë të vështirë pranimin e kësaj fraze.
“Islami hedh poshtë ofendime të tilla“, shkruan Kaplan dhe shton se komentet e Kumbicki nuk kishin të bënin me politikën e refugjatëve, ndërsa është, “e pavërtetë që presidenti turk po i përdor refugjatët si një mjet presioni”.
Avokati me origjinë turke nga Këlni thekson gjithashtu se Wolfgang Kubicki është vetë avokat dhe nuk mund të deklarojë injorancë për atë që përbën shpifje.