Presidenti turk, Recep Tayyp Erdogan, do të takohet nesër me presidentin rus Vladimir Putin në Astana, kryeqytetin e Kazakistanit. Kjo është konfirmuar sot nga një zyrtar i qeverisë turke.
Dje zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha se një takim midis Putinit dhe Erdogan ishte i mundur në prag të samitit të Konferencës për Ndërveprimin dhe Masat e Ndërtimit të Besimit në Azi (CICA) të planifikuar në Astana për 12-13 tetor.
Peskov u tha gazetarëve se Rusia nuk kishte marrë asnjë sinjal rreth perspektivës së negociatave me Perëndimin në Turqi, por nuk përjashtoi që Putini mund ta diskutonte këtë me Erdogan.
Tensionet midis Perëndimit dhe Rusisë për pushtimin e saj shtatëmujor të Ukrainës janë ende në rritje.
Moska ka nisur sulmet me raketa anembanë Ukrainës të hënën në përgjigje të një shpërthimi të fundjavës që dëmtoi rëndë një urë të ndërtuar nga Rusia në Krime.
Turqia, e cila ka marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe Kievin, është parë si një ndërmjetës i mundshëm në konflikt dhe në korrik ndihmoi ndërmjetësimin e një marrëveshjeje për eksportin e grurit ukrainas të bllokuar në portet e Detit të Zi.