Pas tërmetit që ndodhi në orën 7.07 të kësaj të mërkure me epiqendër në detin Adriatik në brigjet e Marche në Itali, më i fuqishmi në atë zonë prej rreth një shekulli, pati nga ata që e lidhën goditjen me shpimin për hidrokarbure në vitet e fundit, duke kritikuar rifillimin e nxjerrjeve që qeveria dëshiron të autorizojë për ta bërë Italinë më pak të varur nga gazi i importuar.
Gjashtë orë pas goditjes kryesore prej 5.7 (magnitudë lokale, zbulimi më i shpejtë) dhe 5.5 (magnitudë momenti, më i saktë dhe domethënës), Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), regjistroi 64 dridhje të njëpasnjëshme me intensitet të ndryshëm.
A mund të ketë një lidhje mes tërmetit të sotëm dhe shpimit në Adriatik?
“Ka pasur gjithmonë ngjarje sizmike në Adriatik, edhe shumë kohë përpara se të fillonin shpimet”, përgjigjet gjeologu nga rajoni Marche Endro Martini, i Shoqatës Italiane të Gjeologjisë Mjedisore. “Kur Ingv nuk kishte nxjerrë ende të dhënat e sakta shkencore të ngjarjes së mëngjesit të sotëm, dikush në rrjetet sociale filloi të lidhte tërmetin dhe shpimin.”
A bëhet shpimi në të njëjtën thellësi ku janë shkaktuar valët sizmike?
“Jo, platformat në det shpohen në një thellësi maksimale 3-4 kilometra. Tërmeti të mërkurën u shkaktua në një thellësi prej 7.6 kilometrash, në një distancë prej 30 kilometrash nga bregu i provincës Pesaro Urbino, sipas të dhënave të siguruara nga sondazhet e Ingv.
A mund të ndikohet struktura gjeologjike e zonës ku ndodhi tërmeti nga nxjerrjet e hidrokarbureve?
“Tërmeti ndodhi në kontekstin e një situate të thellë gjeologjike me struktura që rregullojnë gabimet dhe lëvizjet në evolucionin gjeologjik të Apenineve”, – sipas gjeologut Carlo Meletti i IngV. “Ato lidhen me një mekanizëm përplasjeje të pllakës së Apenineve drejt Adriatikut, siç ishte tërmeti që ndodhi në Emilia nëvitin 2012 dhe në të kaluarën në Rimini në 1916 dhe në Senigallia në vitin 1930”.
A ka tërmete që janë shkaktuar nga aktivitete antropogjene? Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në Oklahoma, pas fillimit të nxjerrjes me teknikën e quajtur “fracking” (procesi i injektimit të lëngut me presion të lartë në shkëmbinj nëntokësor, gropa, etj, në mënyrë që të hapen me forcë çarjet ekzistuese dhe të nxirret nafta ose gazi), u regjistruan shumë tërmete deri në magnitudë 5.0 në zona ku nuk kishin ndodhur kurrë më parë.
“Situata gjeologjike e zonave qendrore të Shteteve të Bashkuara është krejtësisht e ndryshme nga ajo e Adriatikut”, vijon Endro Martini. “Kujtoj gjithashtu që në Itali “fracking”-u është i ndaluar me ligj për shkak të problemeve që shkakton në nivel sipërfaqësor”.
Në të kaluarën, nxjerrja e hidrokarbureve ka shkaktuar fenomene fundosjeje në zonën e Ravenës, në rrjedhën e lumit Po dhe Polesine. Kryebashkiakët e zonës janë kundër rifillimit të nxjerrjeve pikërisht për këtë frikë.
“Ka pasur ulje, por në rastin e zonës së Ravenës, ka studime që kanë treguar se ka ardhur edhe për shkak të shfrytëzimit të tepërt të ujërave nëntokësore”.
Cili është pozicioni i autoriteteve përgjegjëse për këto dyshime?
“Raporti “Ichese”, i publikuar pas tërmetit të 2012-ës në Emilia, nuk përjashtoi në parim një korrelacion midis nxjerrjes së naftës dhe sizmicitetit”, përgjigjet Enrico Gagliano, zëvendës-zëdhënës për Koordinimin Kombëtar Mjedisor “No Triv”. “Nëse ka dyshime, veçanërisht në zonat sizmike, parimi i kujdesit duhet të shmangë shpimet ekzistuese dhe të mos japë autorizime të mëtejshme”.
Burimi: Corriere della Sera a.m/dita