Ballina Argëtim Kuriozitete “Dhjetë herë më i sigurt”! Historia e 60-vjeçarit që shiti gjithçka në...

“Dhjetë herë më i sigurt”! Historia e 60-vjeçarit që shiti gjithçka në Rusi dhe ka ardhur të jetojë në Vlorë

“Dhjetë fish më i sigurt”. Rusi 60-vjeçar që la pas gjithçka dhe erdhi të jetonte në Shqipëri. Maksim Ptitsyn ka hequr dorë nga biznesi i tij dhe të afërmit për t’u vendosur në një tjetër vend ku ka gjetur miq dhe qetësi.

Shqipëria nuk është vendi më i dashur i rusëve. Mbizotërojnë stereotipet e rrezikshmërisë, varfërisë dhe luftës. Por e vërteta është krejt ndryshe. E tashmë vendi nuk preferohet vetëm nga turistët, por ka edhe prej atyre që vendosen këtu.

Një prej tyre është Maksim Ptitsyn nga Yekaterinburgu, i cili, në moshën 60-vjeçare, u shpërngul në Gadishullin Ballkanik. Nuk ka qenë dhe aq e lehtë, por që nga dhjetori i 2021-shit ai jeton në bregdet, buzë detit Jon dhe Adriatik.

Maksimi na tregoi se si vendosi të largohet nga viset Urale, vështirësitë që ka hasur dhe çfarë i pëlqen kaq shumë në Shqipëri:

“Nuk më besohej se po largohesha drejt një vendi të sigurt. Udhëtimin për në Shqipëri e vendosa nga fundi i vitit 2021.

Duke parë se çfarë po ndodhte në Rusi, fillova të kërkoja një vend tjetër për të jetuar. Synimi ishte të shkoja në një vend jo të shtrenjë pranë Europës. Për rreth një muaj, mblodha informacion në mënyrë rigoroze. Dhe më pas, zgjodha Shqipërinë, ku nuk kisha qenë kurrë më parë.

U përpoqa të kontaktoja njerëz që kishin shkuar ose gjendeshin në Shqipëri. Nëpërmjet të njohurve gjeta dikë. E pyeta se si ishte jeta në Shqipëri dhe nëse kishte probleme. Më siguroi që gjithçka ishte në rregull. Kishte të drejtë. Të gjitha historitë se ka krim të lartë dhe mafia e drogës mbizotëron janë thjeshtë histori.

Kam kontrolluar nga dy herë faqet (e internetit) ndërkombëtare përkatëse dhe çfarë mësova është se krimi në Shqipëri është edhe më i ulët se në Greqi. Për sa i përket Rusisë, dua të hesht. Pse të jetosh mbi një vullkan?

Pashë mundësinë e vendosjes edhe në republikat e ish-BRSS dhe të tjera destinacionet më të njohura. Edhe Turqinë . Por jo, pasi presidenti Erdogan, së fundmi, ndërmori dy operacione ushtarake kundër kurdëve. Dhe po përpiqet të rindërtojë “botën turke”, e cila arrin deri në Siberi.

Është diçka si Perandoria Neo-Otomane me Stambollin në qendër. Nuk doja të shkoja në një vend të tillë.

As në Gjeorgji nuk doja. Pasi vend mund të kthehet në një tjetër pikë tensioni. Gazsjellësi nga Azerbajxhani në Europë kalon përmes Gjeorgjisë. Gjithashtu, ekziston mundësia e një konflikti në Armeninë fqinje.

Kazakistani është nën ndikimin e Kinës dhe, në të njëjtën kohë, në jug të Rusisë. Pozicioni i tij gjeografik nuk jep siguri. Përveç kësaj, është një vend ku kryqëzohen interesa të shumta. Pse u dashka të jetoj mbi vullkan? Për më tepër, Kazakistani është larg Europës. Prandaj, nuk mendova të shkoj te asnjë prej repulikave të ish-BRSS, të gjithë ato që kanë pretendime ndaj njëri-tjetrit.

Ka një dyshim të perceptuar se bota po shkon drejt konflikteve të mëdha. Prandaj, perspektiva e biznesit ka rënë. Isha pronar i një objekt që e jepja me qira. Në vitin 2020, qiramarrësit paguanin rreth 60% të shifrës që paguanin dhjetë vjet më parë. Ndonëse, po të përllogarisim inflacionin, qiraja duhet të ishte rritur. Kjo është tregues i dobësimit të ekonomisë.

Duke marrë gjitha këto parasysh, kuptova se ishte koha të ikja. Kur s’të mban më asgjë, ikën. Gjëja më e vështirë ishte të mbyllja biznesin në Rusi. Më duhej të zgjidhja kontratat e shërbimeve, të shisja objektet, të dorëzoja deklaratat në zyrën e taksave, etj. Pas njoftimit, nisi hetimi.

Vetëm në korrik kam arritur të likuidoj gjithçka. Duhej të paguaja tatimin mbi pronën për vitin e fundit. Gjatë vitit para largimit, ndihmoja nënën time në kopsht. Ajo nuk deshi të vinte dhe e motra pranoi të kujdesej për të.

Një apartament buzë detit

Vitin e kaluar, Shqipëria kaloi një ligj, sipas të cilit të huajt që blejnë minimalisht 20 metra katrorë pasuri të paluajtshme, mund të pajisen me leje qëndrimi. Mbi këtë bazë, në dhjetor 2021, bleva një apartament 80 metra katrorë në Vlorë, katër minuta larg detit. Më ka kushtuar rreth 50 mijë euro dhe tani shitet për 80 mijë euro.

Se sa do të kushtojë një apartament i tillë, kur këtu të ketë më shumë porte jahtesh dhe aeroport, vlen për t’u menduar.

Shqipëria ka prodhimet e veta bujqësore. Një kg mollë kushton vetëm 50 lekë dhe janë të mira. Qumështi është rritur pak, por ende kushton rreth 190 lekë. Një kafe kushton 60 lekë. Ka varietete djathrash, nga 400 deri në 1000 lekë për kg. Domatet, kastravecat dhe patatet rreth 60 lekë. Rrushi, rreth 100 lekë.

Besimi fetar nuk i intereson njeriu”

Shqipëria është mjaft miqësore. Pavarësisht se vendi është më shumicë myslimane, ky është një shtet laik. Pas shpalljes së pavarësisë nga Turqia, qeveria vendosi viza për ta, kështu që ka pak turq këtu. Por ka shumë italianë dhe grekë.

Kam shokë pensionistë, që janë mbi 60 vjeç. Njëri është profesor, tjetri shofer autobusi dhe i treti është përkthyes që dikur shërbente në Flotën Veriore. Ky i fundit madje ka një tatuazh të “BRSS”.

Në sheshin kryesor të kryeqytetit, për shembull, ka një xhami, një kishë katolike dhe një kishë ortodokse. Këtu ata festojnë si Pashkët Ortodokse dhe Katolike, Krishtlindjet, Kurban Bajramin, Vitin e Ri, 8 Marsin e të tjera. Nuk shoh shpesh njerëz me hixhabe dhe burka.

Njerëzve këtu iu intereson se çfarë lloj njeriu jeni. Për më tepër, qëndrimi ndaj rusëve, sado e çuditshme që mund të duket, është më pozitiv se sa ndaj shumë kombësive të tjera. Këtu kam një mik shqiptar që ka një lokal. Kënga e tij e preferuar është kënga ruse, “Një milion trëndafila të kuq”. Madje ka dëshirë të mësojë rusisht. Prandaj, takohemi herë pas here periodikisht për të shkëmbyer njohuri.

Çuditërisht, nuk kam nostalgji për Rusinë. Shumë miq të mi janë shpërndarë në mbarë botën, por kjo nuk na pengon të mbetemi në kontakt. Shumë më kanë vizituar këtu, në Vlorë. Prandaj, nuk vuaj nga moskomunikimi. Në ndonjë platformë me rusë (online), gjen 150 veta për një lojë basketbolli. Dhe tani po organizohet një platformë për futbollin.

Banoj me ukrainas, me të cilët gjithashtu kam komunikim të shkëlqyeshëm. Kam sigurisht miq e të afërm në Rusi, me të cilët jam, po ashtu në kontakt të vazhdueshëm. Më dërgojnë foto me dëborë, bënë burrë dëbore, ndërsa unë u dërgoj foto nga plazhi, teksa temperatura vijon të jetë 27 gradë Celsius.

Nëse nuk ndihesh mirë, mund ta kalosh duke bërë not, duke pedaluar në biçikletë apo me banja dielli. Unë këtu jam i lumtur, nuk më duhet gjë tjetër.

Atyre që planifikojnë të zhvendosen këtu, do i rekomandoja të njihen më nga afër me situatën në vend, nga njerëzit që jetojnë këtu. Historitë e zakonshme me mafian e drogës janë thjesht mite. Të jetosh këtu është dhjetëfish më e sigurt se të jetosh në Rusi”.

—-

Përktheu për DITA, Edona Llukacaj. Shkrimi origjinal mund të lexohet duke klikuar KËTU

@tn.lajmelokale
@tetovanews